FRAGMENTARIZIMI I ZHVILLIMIT NË QYTETE KËRCËNON DEMOKRACINË. Mapo, 10.06.2013

Jeta publike dhe demokracia politike janë të lidhura ngusht me hapsirën dhe qytetin. Qyteti është produkt material i kulturës së njerëzve/qytetarëve. Pra, mënyrës sesi ata kuptojnë botën, vlerat e tyre, normat morale dhe sjelljen e përditshme, si dhe produkteve materiale dhe jo-materiale që rezultojnë prej tyre. Në këtë dimension, qyteti është produkti apo shfaqja më e dukshme dhe gjithëpërfshirëse e kulturës së qytetarëve të tij. Sigurisht, jo vetëm qytetarëve të tij, po të pranojmë faktin se qyteti (sikurse edhe njerëzit nga të cilët dhe për të cilët ndërtohet) nuk është një njësi e izoluar por nyje e rrjeteve të komunikimit me entitete të ngjashme. Sidoqoftë, në interes të këtij shkrimi, do të fokusohemi vetëm te marrdhënia qytet dhe kulturë e qytetarëve të tij. Sepse ka një lidhje ‘shpirtërore’ midis tyre. E thënë ndryshe, ndërsa individët dhe grupet veprojnë apo ndërveprojnë mes vetes krijohet dhe evoluon një ndërhyrje kulturore në natyrë, të cilin ne e quajmë qytet. Sepse qyteti nuk është thjeshtë dhe vetëm një grumbullim ndërtesash, rrjetesh infrastrukturore dhe hapsirash lidhëse, por, edhe një mënyrë karakteristike jetese, set zakonesh dhe mënyrash të shprehuri dhe të komunikuari. Nga ana tjetër, qyteti (i ndërtuar nga qasjet kulturore e banorëve të tij) ndikon në konstruktimin e kulturës së qytetarëve të vet. Sepse, dimensioni i tij planor dhe volumor kushtëzon mënyrën e tyre të të jetuarit, në të gjithë komponentët e të jetuarit dhe nëpërmjet të gjithë komponentëve të qytetit.
Pra qyteti fizik dhe kultura qytetare janë në një marrdhënie të thellë, ku “kur ftohet njëri, teshtin tjetri”. Hapsirat e banimit; hapsirat e punës; hapsirat e mësimit, studimit, trajinimit; hapsirat e kujdesit dhe shërbimit shëndetsor; hapsirat e shlodhjes, rekreacionit, aktivitet sportive, aktivitetet artistike dhe kulturore; hapsirat shoqërore, vendtakimet, sheshet; hapsirat e varrimit (sepse edhe do vdesim një ditë); rrjetet e informimit dhe komunikimit; rrjetet e lëvizjes e transportit dhe hapsirat e parkimit; rrjetet e furnizimit; e të tjera si këto, formojnë atë që ne e quajmë ‘qyteti fizik’. Cilësia dhe sasia e këtyre elementëve formues, raporti i secilit element me të tërin (qytetin), lokalizimi/vendodhja dhe mënyra shpërndarjes së këtyre elementëve, bëjnë diferencën midis asaj, nëpërmjet të cilës, qytete të ndryshme ndikojnë në formimin e kulturës qytetare. Në njëzet vitet e fundit, fryma kolektivizuese dominuese e sistemit komunist, u zëvendësuar me ekstremin e saj, fragmentarizimin e zhvillimit dhe atomizimin social. Nuk mendojmë më, “shteti për të gjithë”, por tashmë, mendojmë “secili për veten”. Të dyja mendime të këqia që kalojnë nga ekstremi në ekstrem. Dikur kishim dy ‘klasa’ sot kemi tre million individë. Ndërkohë ‘grupi’, si njësi strukturuese e shoqërores, u shmang nga shoqëria shqiptare ndërsa tentonte të ri- organizohej. Individualizmi dhe interesi privat triumfuan mbi shoqëroren dhe interesin e grupit. Dhe sikurse populli thotë “ky stan atë bulmet ka”, ne u investuam në “gjëra që na ndajnë” dhe lamë në harresë “gjërat që na grupojnë”. Ndërtuam banesa për të fjetur, blemë perde me shtresa për t’u mosparë, blemë televizor për të parë të tjerët pa na parë ata ne, blemë makina me xham të errët. Biles, bëmë edhe “Big-Brother”, ku të gjithë shohim cfarë bëjnë disa njerëz të izoluar.
Në vazhdim për të përshkruar sesi është realiteti ynë urban, nuk ka nevojë për ekspertizë teknike. Populli thotë “fshati që duket nuk do kallauz”. Cdo qytetar e njeh këtë realitet sepse e përjeton cdo ditë. Përjeton cdo ditë mungesën e shesheve, lulishteve, parqeve, këndeve të lojrave, teatrove, operave, kinemave, bibliotekave, hapsirave për rekreacin, për aktivitete të hapura kulturore, sociale dhe sportive. Por nuk duhet harruar se përvec funksionit specific të tyre, të gjithë këta element të qytetit i lidh një karakteristikë e përbashkët, fryma socializuese, që shoqëron aktivitetet njerëzore që kryhen në to. Në to komunikohet, paraqiten mendime, shkëmbehen opinione dhe vlera intelektuale. Si rrjellim, në to dakortësohet apo krijohen perceptime dhe kuptime të ngjashme. Me një jetë sociale dhe kulturore gjerësisht të munguar, si pasojë e ndërtimit të qytetit në mungesë të frikshme të hapsirave ‘ku flitet’, ne zvogëluam mundësinë tonë të komunikimit, duke ndërtuar jetën tonë të strukturuar sipas modelit arkitekturor të “Panoptikonit”.
Si në kohë mortaje, ne e izoluam veten tone përditë e më shumë, ‘leje pas leje’, nga të njëjtët si ne për të mos transmentuar virusin (lexo mendimin). Dhe, në mungesë të thellë të komunikimit dhe ndërvarësisë (dy komponentët formues të konceptit ‘komunitet’), individualizmi mbizotëroi jetën e qytetarit. Kështu komunitetet u atomizuan duke u kthyer në individë dhe individët, është e kuptueshme që, kanë kërkesa individuale.Si rrjellim llogjik, jeta e qytetarit u burgos në dy institucione të vetme. Institucionin e familjes dhe mjedisin e saj (banesën dhe pronësinë) dhe institucionin e punës dhe mjedisin e saj. Të dyja këto, institucione shumë hirearkike dhe anti demokratike. Në punë, është e kuptueshme, ndarja e detyrave dhe përgjegjësive kërkon strukturë organizative. Detyron hirearki. Ndërkohë familja patriarkale shqiptare, e trashëguar nga kohë të vështira luftrash (apo është thjesht një justifikim?), qëndron e fortë edhe në kohët “moderne” e bashkohore. E ndërtuar në një hirarki të fortë ajo mbyt cdo frymë emancipimi apo clirimi dhe nuk lejon të “ardhurit më vonë në familje” të kenë interesa të tjera vec atyre të patriarkut. Qofshin ato stafe apo familje, është njësoj, gjithcka është hirearkike. Dhe kjo frymë ndërton kërkesat politike. Nuk kërkohet më “një shkollë”, “një rrugë”, “një ambulancë”, “një spital”, “një terren sportiv”, “një lulishte” për lagjen apo për qytetin. Nuk kërkohet më një politikë publike që të mundësojë zgjerimin e aktivitetit ekonomik ekzistues në lagje apo qytet (cka do të siguronte krijimin e vëndeve të reja të punës për komunitetin). Jo, nuk ka më kërkesa grupi apo komuniteti. Por, ka kërkesa individuale, më e shumta kërkesa familjare. I pari i familjes i drejtohet politikanit konkurues në preferencë të tij duke i garantuar x votat e “tij” (që nënkupton votat e familjarëve, dhe jo vetëm të tyre) për y vënde pune. Sinteza e të gjithës sa u tha është se, ndërsa i largohemi planifikimit dhe ndërtimit të qyteteve në prezencë të elementëve urban-shoqëror që na grupojnë në synime dhe veprime të përbashkëta komunitare, i largohemi gjithashtu konceptit ‘qytetit si njësi’ e ndërvarësisë dhe komunikimit njerëzor. Dhe ndërsa i largohemi oportunitetit ‘të qënin një shoqëri me interesa politike të grupuara’ lejojmë politikanët në kërkesë për votë, të komunikojnë vetëm në dy terma. Në terma populistë nëpër mitingje sheshesh dhe në terma individualë në tavolina kafenesh. Prandaj ti kthehemi qytetit dhe të mos harrojmë se jeta demokratike gjithmon, nëpër histori, është mbështetur në eksperiencën urbane, duke nisur nga Agorat e Polisit Grek.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017