MBI DY NGJARJE MJEDISORE. Mapo, 26.11.2013

15 Nëntori do mbahet mend për shumë arsye. Për një grup specific, kjo ngjarje do të mbahet mend si dita kur planifikimi territorial në Shqipëri kaloi në një nivel më të lartë. Në planifikimin gjithëpërfshirës. Ky term përkufizon statusin e sotëm të planifikimit të territorit në të gjitha vendet demokratike të botës, dhe nënkupton atë “paradigëm” të planifikimit territorial sipas të cilës planifikimi territorial nuk është gjë tjetër vecse një dakortësi politike e palëve të interesuara për një cështje me dimension territorial, dhe më tej, “protokollimi në letër” gjeografikisht i kësaj marrveshje. Këtë të parën bënë shqiptarët. Dakortësuan mbi një cështje me dimension territorial. Por jo vetëm kaq. Shqiptarët u angazhuan në nivelin më të lartë që koha njeh. Në nivelin e vet-organizimit. Ata në mënyrë të pavarur vendimmorrën. Dhe, vendimin e tyre ja shpallën Kryeministrit përpara Kryeministrisë. Ata nuk pritën që burokratët më të lartë të shtetit të vendosnin mbi një cështje që i takonte të gjithëve. Nuk pritën që t’i përcaktonin axhendën e takimeve, kush do pjesmerrte në to, apo ti seleksiononin “dijen” që ju duhej për vendimmarrjen e tyre. Nuk pritën dhe vendimmorrën.
  Kjo ndodhi në 15 nëntor. Palët e interesuara, që në këtë rast ishte shumica e shqiptarëve, morën pjesë në formulimin e një qëndrimi politik mbi një cështje konkrete të rëndësisë së vecantë kombëtare. Dhe sikurse të gjithë e dimë, shqiptarët vendosën që ti thoshin JO, në territorin e tyre, asgjësimit të lëndeve kimike të armëve Siriane. Ky ishte vendimi politik i shqiptarëve. Dhe për një vendim negativ nuk mund të hartosh plane gjeografike. Këtu mbyllet edhe cështja e planifikimit të territorit në lidhje me këtë vendimmarrje politike popullore mbi territorin. Të nesërmen, pa u konsumuar mirë shija e kësaj fitoreje demokracie, Ministri i Punës, Cështjeve Sociale dhe Rinisë ftoi gjithë shqiptarët në nismën e tij “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Duket se qeverisja e re nuk e ka kuptuar që nuk ka për detyrë të “edukojë masat”! Detyra e saj është të financojnë e mbështesi procese planifikuese që nga ato të nivelit kombëtar deri te ato vendore. Procese që prodhojnë instrumenta planifikimi, të cilat u japin përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë edhe problematikave të mjedisit. Procese gjithëpërfshirëse që përforcojnë te komuniteti ndjesinë e përkatësisë mbi këto mjedise. Sepse vetëm nëpërmjet planifikimit territorial mund të përballesh me cështjet mjedisore. Dhe kur, ky planifikim është gjithëpërfshirës, at’herë ai ndihmon edhe në rritjen e marrdhënies së qytetarit me mjedisin.
  Ndoshta, përshkak të ngjashmërive kjo thirrje më kujton të djelën në mëngjes kur babai kthehej nga orvatja disa orëshe për të blerë qumësht dhe i thoshte nënës që duhet të dilnin për të pastruar oborrin e pallatit. Kujtesë kjo, që më jep një ndjesi ankthi, të provuar më parë. Sigurisht, në atë kohë, nisma nuk origjinalizohej nga ministri, por agjitatori i pallatit. C’ka e fut qeverisjen e re në një dimension tjetër. Tashmë nuk është vetëm një cështje propogande apo centralizimi. Tashmë cështja është propogande e centralizuar. C’ka është një problem i madh! Sidoqoftë, nuk është ky problemi më i madh i nismës ministrore. Problemi më i madh i kësaj nisme është se na kthen në të njëjtin stat sikurse ishim para 15 nëntorit. At’herë kur përfshirja qytetare apo të palëve të interesuara në planifikim apo vendimmarrje ishin një “shaka e organizuar”. Dhe ky kthim mbrapa është, një gjë e keqe. Akoma më keq kur ministri shpallës nuk është as ministri që ka kompetencë cështjet e mjedisit. E iniciuar nga ministri i rinisë, nisma duket si një politikë që kërkon të ‘krijojë njeriun e ri socialist’ dhe jo të pastrojë mjedisin. Kështu, në kundështi me 15 nëntorin, 22 nëntori do të mbahet mend si dita kur planifikimi i territorit dhe dimensioni i tij demokratik u kthye mbrapsht. U kthye “në normalitet”.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017