NENTOKA E VIRGJER E TIRANES. Mapo, 02.10.2013

Për mua, gushti është muaji më i mirë për të jetuar në Tiranë. Temperatuarat e larta të diellit, që duket sikur është afruar aq sa mund ta prekim, dhe rrymat e ajrit të tej nxehtë që duket sikur shpërthejnë nga asfalti dhe betoni i kudo gjendur, mund ta lëkundi për ndonjë moment këtë bindje timen. Por vetëm për një moment, jo më tepër. Sepse, edhe unë sikuse cdo qënie njerëzore, me karakteristik racionalitetin në arsyetim, bëj renditjen sipas rëndësisë së asaj që duhet të përballoj. Pra nga dy të këqija, zgjedh më të voglën. Pranoj temperaturat që i kalojnë 40 gradë celsius të gushtit, dhe që rriten cdo vit e më shumë, për të përfituar situatën normale të trafikut në gusht. Në njëmbëdhjetë muajt e tjerë të vitit nuk kam, më, të drejtë zgjedhje. Nuk mund të vendos unë, sepse kam një punë dhe një banesë. Të dyja të palëvizshme dhe që nuk mund të ndryshohen sipas muajve të vitit. Kështu që, për muajt e tjerë e ka vendosur administrimi urban i qytetit. Mua më duhet të pranoj, pa kushte, këtë trafik që e imponon mënyra sesi është administruar territori urban i Tiranës. Që sigurisht është po aq urbane sa dhe, dimensioni njerëzor i strukturës e saj. Me njëmijë e një probleme, Tirana vazhdon e rritet duke tërhequr banorë të zonave rurale apo suburbane. Apo, duke gllabëruar territore natyrore për ti konvertuar në urbane. Tejshtrihet Tirana e zvogëlohet Shqipëria natyrore. Zvogëlohen fshatrat, qytezat dhe qytetet e tjera. Ajo, vazhdon të tejshtrihet në horizontalitetin e saj naiv duke të krijuar shijen se nuk kemi të bëjmë më me një qytet. Tashmë, kemi të bëjmë me një fshat të madh ku cdo gjë që nuk lëviz është montuar në një plan, ndërsa cdo gjë që lëviz gjendet në të njëjtin rrjet. Në të njëjtin rrjet lëvizin njerëzit, bicikletat, motorcikletat, veturat, por edhe automjetet e transportit publik apo shërbimeve të tjera. Ndërsa, në botën e qytetëruar nuk është kështu. Atje kanë më shumë respekt për tokën. Atje nuk tjetërsohet kaq thjeshtë përdorimi i tokës. Ata e dinë se toka e përfshirë në proceset urbanizuese nuk mund të kthehet më në gjendje natyrore. Urbanizimi, është rrugë me një kahë. Por, ndërkohë, sipërfaqja e tokës, në tërrësinë e saj nuk rritet. Ajo ngelet aq sa ka qënë prej miliona vjetësh, ndërsa zvogëlohet toka në gjëndje natyrore.
Ndërsa Tirana tejshtrihet duke “kulturuar” natyroren, fshatrat, qytezat apo qytetet e tjera ngelen të pandryshuara, në dimensionin e raportit përdorim urban me gjëndje natyrore të tokës. Atyre u ikin banorët drejt Tiranës, ndërsa terrenet e urbanizuara të tyre ngelen të njëjta. Të pabanuara, të papërdorura, të shkretuara por gjithsesi të pakthyeshme në gjëndje natyrore. Sepse edhe në botën e super teknologjisë njeriu nuk mund të bëjë punën e natyrës. Punën e saj e bën vetëm natyra. Ndërsa në Shqipëri, akoma nuk kemi filluar të mendojmë për një shpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territor. Këtë duhet të iniciojmë sa më shpejt, sepse burimet territoriale nuk janë të pashtershme. Ato zvogëlohen shumë shpejt, nëse sillemi si viruset duke populluar një territor që pasi i grabisim cdo burim e braktisim për t’ia nisur nga e para në një territor tjetër. Vetëm viruseve u “lejohet” të sillen kështu, por jo qënies më inteligjente të planetit. Njeriut. Aq më pak njeriut të mijëvjecarit të tretë. Shqiptari i mijëvjecarit të tretë duhet ti japi zgjidhje cështjeve të rëndësishme urbane me mëndje të mprehtë jo me krahë të fuqishëm. Për problemet duhet të japi zgjidhje të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Tejshtrirja urbane apo kualifikimi i territoreve natyrore për urbanizim, nuk është as zgjidhje e zgjuar, as zgjidhje e qëndrueshme dhe aq më pak gjithëpërfshirëse. Në fakt, është rruga më e shkurtër dhe zgjidhja më e thjeshtë. Është përgjigjja më dëmtuese e shkatëruese për mjedisin natyror dhe tokat e bukës. Dhe është mënyra e zhvillimit që nuk përfshin askënd, përvec ndërtuesit dhe pronarit të trojeve që tjetërsohen. Prandaj, ta refuzojmë këtë mënyrë, përgjigje dhe rrugë. Të studiojmë mënyrat, përgjigjet dhe rrugët që kanë ndjekur qytetet perëndimore. Dhe nëse e bëjmë këtë, përgjigjja është shumë e thjeshtë për cdo shqiptar. Qytetet në botë nuk zhvillohen në një plan. Për to, zhvillimi nuk kryhet vetëm mbi tokë. Ta importojmë si ide dhe ta implementojmë të konteksualizuar sipas nevojës e mundësisë.
  Kjo është një rrugë e zgjuar, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Është një zgjidhje e zgjuar sepse “shumëfishohet toka”. Në nëntokë mund të ndërtohen parkingje publike apo rrugë të transportit publik, kurse në sipërfaqen e të njëjtës tokë mund të zhvillohen lulishte, parqe, terrene sportive, të kohës së lirë apo edhe ndërtime të përdorimeve të ndryshme shoqërore, kolektive apo individuale. Përfitime të shumëfishta, apo jo? Është, edhe, një zgjidhje e qëndrueshme sepse dimensionit ekonomik do ti shtohej edhe dimensioni social dhe mjedisor. Nuk do dëmtonim pafund natyrën duke e urbanizuar. Nuk do zvogëlonim akoma dhe më shumë fondin bujqësor të tokës. Dhe kjo është një gjë e madhe për një nga vëndet ky natyrën nuk po e mbron realisht askush. Ndërkohë që tokën bujqësore e ka më me pakic se cdo vënd tjetër në Europë. Është, gjithashtu, një zgjidhje gjithëpërfshirëse sepse në zhvillime të tilla mund dhe duhet të përfshihet edhe bashkia që në fakt është menaxheri i pronave tona të përbashkëta si qytetar të të njëjtit qytet.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017