A E "LEGALIZOI" BASHA RAMEN? Mapo, 06.12. 2013.

Akuza më e rëndë që i është bërë z. Rama, kur ky ka qënë Kryetar i Bashkisë Tiranë, është artikuluar nga vartësit e tij. Sigurisht, këta, nuk e akuzonin për mitmarrje në procesin e menaxhimit të punëve të qytetit apo për betonizim të tij nëpërmjet lejeve të ndërtimit. Këtë në mënyrë publike e bëri një ndërtues, i cili i përmendi publikisht një zarf prej 1 milion dollar në këmbim të një leje ndërtimi. E bëri gjithashtu Partia Demokratike, me qindra herë, përgjatë periudhës 2001- 2011. Në fakt, vazhdon akoma. Por, sikurse dihet publikisht, asnjë gjë nuk ka ndodhur, përtej ligjërimit “politik” mbi cështje ligjore ‘të shpërdorimit të detyrës’ apo të tjera akuza që janë pozuar kundër tij. Në mes fushatën e zgjedhjeve vendore të majit 2011, administrat e athershme e Bashkisë Tiranë, doli në publik me tezat ‘pse z. Rama duhej votuar për herë të katërt’. Në këtë paraqitje publike u shpalosën, me fjalë dhe me harta, arritjet e deri-athershme të z. Rama dhe premtimet për vazhdimësinë. Gjithashtu, u tentua të dekonstruktohej akuza se z. Rama kishte betonizuar Tiranën me lejet e ndërtimit që kishte dhënë. Dhe argumentimi ishte se ‘z. Rama kishte dhënë, gjatë periudhës 2001-2011, vetëm 926 leje ndërtimi, të cilat trajtonin vetëm 1.2 % të trojeve të qytetit”. Në pamje të pare, për mendjen e pastërvitur, shifrat janë vërtet shumë të ulta. Por nuk është kështu për ekspertizën.
  Përtej “paradigmës se re” ku urbanistikë do të thotë ruajtja e disa distancave midis fasadave të objektit dhe kufirit të pronës, ekziston edhe një paradigëm tjetër që përdoret prej dekadash në perëndim. Sipas kësaj, në një përkufizim shumë të gjerë, urbanistik do të thotë kompromis. Kompromis i arritur në procese konsultimesh me palët e interesuara dhe burokracisë locale. Ku palët e interesuara mbrojnë interesin që përfaqësojnë kurse planifikuesit dhe burokratët interesat shoqërore dhe të grupeve të papërfshira në këtë proces. Synimi i final dhe i përbashkët është realizimi i njëtrajtshëm dhe maksimal i mundshëm i interesave të të gjithë palëve. Më së paku, konsiderimi dhe përfshirja e 100 % të trojeve të qytetit.
  Ndërsa, Tirana urbane ka arritur në një gjëndje ngopje, burokracia na thotë se kanë trajtuar vetëm 1.2 % të trojeve. Po me 98.8 % të pronave c’do të ndodhi? Sepse pronësia e tyre vështirë të zhvillohet më! Për humbjet e tyre, kush c’dëmton? Po për c’vlerësimin e apartamenteve që u blenë kur zona e ndërtimit ishte bosh dhe tani gjënden në një geto, si pasojë e lejimit të zhvillimit të paa-planifikuar dhe të fragmentarizuar? Këto tashmë nuk vlejnë as sa gjysma e vlerës së fillimit. Po për c’vlerësime të tjera, e të tjera, në tregun e pronave të paluashme. Kushdo mund ti japi përgjigje kësaj, por askush nuk mban përgjegjësi për këtë. Ndërkohë, në fillesë të të njëjtës fushatë, z. Basha i premtoi opinionit një garë të bazuar te premtimet dhe jo te akuzat ndaj kundështarit. Rezultati si produkt edhe i kësaj, z. Basha u shpall fitues i garës, pra Kryetar i Bashkisë Tiranë. Dhe në këtë pozicionim të ri ai bëri dhe premtimin tjetër ‘… qytetarët të parët… nuk do të ketë përfshirje të bashkisë në debatet politike… bashkia do punoj vetëm për cështjet dhe problemet e qytetarëve..’. Shumë mirë duket, në shikim të parë, edhe kjo filozofi e re qeverisëse lokale. Problemi i vetëm qëndron te ajo që z.Basha kupton kur thotë ‘politike’. Në qoftëse, Kryetari i Bashkisë me fjalën ‘politike’ kupton debatet mediatike se “kush është më i korruptuar se tjetri”, “kush i ka familjarët më të lidhur me krimin”, “kush është më komunist se tjetri” e të tjera si këto, sigurisht cdo qytetar do të ishte dakort. Duhet thënë. Na kanë ardhur në majë të hundës, të tilla “debate politike”. Ndërsa, e kam të vështirë të besoj se qytetarët do të dakortësonin me z. Basha se ‘politike’ do të thotë reagime mbi vendimarrje të gabuara administrative të paraadhësve . Me apo pa qëllim qofshin ato, duhet reaguar. Nëse një administratë ka kryer funksionet e saj keq atherë, mësë paku, ajo është e paaftë. Më së shumti, ajo është shkelëse e ligjit. Dhe për dy vjet z. Basha ka pasur gjithë mundësitë e botës të tregojë me prova se kush kanë qënë vendimmarrjet e gabuara që cuan në betonizimin e Tiranës. Biles, edhe kush ishin lejet e ndërtimit që e bënin z. Rama një zotëri 20 %. Por nuk e bëri. Ndërsa sot, z. Rama është Kryeministër me administratë të ngjashme me atë që drejtoi Bashkinë dhe me premtimin solemn se “do ta bëjë gjithë Shqipërinë si Tiranën”.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017