FESTIVAL PROPOGANDE APO NJË PLAN PËR TIRANËN? Mapo, 12. 08. 2015


Ditën e dytë të punës së tij si Kryebashkiak i Tiranës, z. Veliaj, i iku shëtitjeve me autobus, për të pritur në një takim pune Ministren e Zhvillimit Urban. Në fakt, është hera e parë që ministria e Zhvillimit Urban konsiderohet si aktor në cështjet e zhvillimit urban, dhe kjo është për tu përshëndetur. Me cështjet politike të zhvillimit urban, këto dy vjet qeverisje socialiste, zakonisht janë marrë drejtuesit e institucioneve ligjzbatuese e të varësisë ose vet Kryeministri. Dhe kjo nuk ka qënë për tu përshëndetur, prandaj ne nuk e kemi bërë. Bile, me cështjet urbanistike në Shqipëri nuk janë marrë as kryebashkiakët, që duhet thënë se e kanë detyrë eksluzive për territoret nën juridiksionin e tyre. Sidoqoftë, për ti ikur diskursit mbi marrdhëniet demokraci shkatëruese të qeverisë qëndrore me qeverinë vendore, që duket se do kapin një nivel tjetër, takimi në fjalë u zhvillua për ‘fillimin e Planit të Zhvillimit Territorial të Kryeqytetit’. I premtuar prej 13 vitesh Plani Vendor i Bashkisë Tiranë u miratua me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit në vitin 2012. Pra, në kuptimin formal, Tirana e ka një Plan Vendor. Apo një “kushtetutë”, sikurse do ta pagëzonte ish Kryetari i Bashkisë Tiranë. Për z. Basha e kam fjalën, se për Z. Rama, Plani nuk është gjë tjetër vecse një pacavure që do të shfuqizohet. Mirëpo, Kryeministri i sotëm, vetëm katër vjet më parë ka qënë Kryebashkiak. Konkuroi katër herë për këtë post, në tre nga të cilat fitoi me premtimin e parë se do hartonte ‘Planin Rregullues’ të Tiranës, por nuk e bëri!
Pak më tepër se katër vjet më parë ‘Planin Urban’ e premtoi edhe z. Basha, ndërsa konkuronte për Kryebashkiak. Ai shkoi më larg dhe i vendosi një datë limit premtimit të tij. Gjë e mirë, sepse kthehej në gjë të matshme. Gjë e keqe, gjithashtu, sepse u trajtua si të ishte kanal vaditës. Hapjes së një kanali mund ti vihet një limit kohor, jo një produkti ku shkrihen shumë dije për ta bërë cilësor dhe shumë procedura për ta bërë demokratik dhe gjithëpërfshirës. Dhe jo vetëm sepse një plan i tillë mund të siguroj qëndrueshmërinë e zhvillimeve nëpër territor, por edhe sepse kështu e kërkon baza ligjore dhe normative. Gjithmon, nëse ato paragrafet e shkruara, nga kush e di kush, dhe miratuar nga Kuvendi pak më tepër se një vit më parë, mund të quhen ‘bazë ligjore’. Por, ne nuk po flasim për reformën e gjithë tradhëtuar të Planifikimit Territorial.
Po flasim për Planin e Tiranës, domosdoshmërinë praktike të tij. Kështu që, nëse bëjmë një fotografim të integruar të qëndrimeve politike të Kryeministrit, Ministres së Zhvillimit Urban dhe Kryebashkiakut të Tiranës, na pëlqen apo jo, ‘Plani Basha’ është shfuqizuar. “Kundër” këtij instrumenti ka dalë edhe e ashtuquajtura ‘reforma territoriale’, e cila nëpërmjet bashkimit mekanik të disa njësive të tjera vendore me Tiranën ekzistuese ka ndryshuar kufinjtë e juridiksionit të saj. C’ka e kthen ‘planin Basha’ në një plan pjesor, duke vulosur domosdoshmërinë për të hartuar një ‘Plan të Përgjithshëm’ për Bashkinë e Re. Përfundimisht, na duhet një Plan i ri për Tiranën.
Mirë që na duhet, por a jemi në rrugën e duhur? Sipas një mëndje të ndricuar të Hauardit, aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është ‘të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht’, ky është plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive. Plani nuk është ca viza dhe forma gjeometrike të ngjyrosura, në një tabak të madh letre që mezi paloset. Jo! Plani i Territorit është dakortësia mbi kuptimin territorial të politikave ekonomike, social-kulturore dhe mjedisore të një njësie vendore. Shoqëruar me element të fortë të demokracisë kuvenduese, Plani, mund të kthehet në një ringjallje shpirtërore dhe kulturore për qytetin. Ai gjithashtu mund të krijojë parakushtet për një ringjallje ekonomike të tij. Por mbi të gjitha dhe gjithcka, hartimi i tij nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet propogandistik. Kjo “deklarat” e fundit është tërrësisht e imja. Është origjinale, sepse nuk mund ta kem lexuar në asnjë libër. Të ligjërosh demagogjikisht mbi hartimin e një plani, është një gjë që as mund të kuptohet në botën perëndimore. Nuk ekziston! Nuk bën kuptim, për mënyrën e tyre të të menduarit dhe për rrethanat kulturore në të cilat zhvillohen shoqëritë e tyre. Porse, duket se bën kuptim për mënyrën tonë të të kuptuarit dhe të të bërit të gjërave. Duket se për ne, ‘Plani Vendor’ hartohet në takimet midis Kryebashkiakut të Tiranës dhe Ministres së Zhvillimit Urban! Kështu që, përsa kohë do ta shohim planifikimin në këtë mënyrë propogandistike, vështirë të kemi një Plan për Tiranën.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017