PADIJA DHE KLIENTELIZMI ZBRESIN NË BREGDET. Mapo, 06. 03. 2015

Kryeopozitari Basha, në një takim në qytetin e Lezhës, premtoi se të gjithë të dëmtuarit nga operacioni qeveritar kundër ndërtimeve pa leje apo me leje të diskutueshme do të dëmshpërbleheshin për pronat e tyre. Kjo do të ndodhte sapo Partia Demokratike të vinte në pushtet. Të shumtë ishin të dëmtuarit që u ngrohën nga kjo deklaratë politike, por nuk ishin të pakët edhe ata që nuk e pritën mirë. Të dyja palët shumë të justifikuar. Të parëve, të goditur nga forca e shtetit, premtimi politik po u ofronte një shpresë dëmshpërblyese. Të dytët, të kënaqur që “shteti vuri dorë ndaj paligjshmërisë ndërtimore”, u ndjenë të rrezikuar në xhepin e tyre të përbashkët (buxhetin publik) nga ky premtim opozitar. Ajo që në fakt premtoi politikisht z. Basha, është një prerogativë ligjore. Nëse shteti dëmton pronën e individit nëpërmjet procedurave joligjore, individi gëzon të drejtën e dëmshpërblimit për humbjen e pësuar. I pëlqen apo jo një pjese të shoqërisë, kjo është e vërteta. Qeveria shqiptare sulmoi pronën private në zonat urbane (ndryshon puna në zonat e rëndësisë kombëtare), mbështetur në moral dhe jo në ligj. Dhe z. Basha nuk bëri gjë tjetër vecse e grupoi për ta kthyer në një nismë politike këtë të vërtetë ligjore individuale. Sepse vështirë të gjendet gjykatë në botë, përfshirë edhe gjykatat shumë të përfolura shqiptare, që nuk do i jepnin, cdo ankuesi, të drejtën e dëmshpërblimit për një humbje të pësuar joligjërisht.
Nëse ky do të ishte rasti i parë, ku shteti vendimerr me kosto të lartë për xhepin e përbashkët të shoqërisë, vështirë se do të tërhiqte vëmendje publike. Mirëpo, duket se gjithë tranzicioni shqiptar po evolon nga vendimarrje të këtilla. Tejshtrirja e këtij kapërcimi (tranzicioni) duket se e gjen arsyetimin te kjo mënyrë e të bërit të gjërave. Nisi që ditët e para të ndryshimit të sistemit politik me qasjen ndaj tokës bujqësore. Politika i njohu vetes të drejtën t’ia shpërndaj atë familjeve që jetonin në fshat, ndërsa pronarët legjitim, ata që e zotëronin në bazë të një kontrate, do të dëmshpërbleheshin me para apo troje të tjera publike. E njëjta gjë me reformën e privatizimit të banesave, vititin e dytë të qeverisjes demokratike. Lista bëhet e gjatë ndër vite, por kulmimi ishte procesi i legalizimit të ndërtimeve paleje. Në një garë moralisht të pakuptimtë por shumë racionale në dimensionin propogandistik të mbledhjes së votës, të dyja kahet politike i zbrazën premtimet. Përvec premtimit për njohje ligjore të ndërtimeve të tyre politika u ofronte, me një cmim minimal, edhe truallin ku zhvillohej ndërtimi. Dhe si gjithmon diferenca midis vlerës së tregut (që premtohej për pronarët) dhe kostot për përfituesit do të përballoheshin nga fondi publik i tokës apo xhepi i përbashkët publik. Absurdi grumbullohet e stivoset në magazinën e premtimeve pamundësisht të pambajtura, ndërsa buzheti publik kërcënohet në progresivitet e në vazhdimësi.
Mëndja e coroditur e shoqërisë shqiptare mund ti pranoj edhe këto. Por ajo që duket e patretshme, për më të fortin e stomakëve, është inisiativa e fundit për ta shtrirë këtë mentalitet edhe në zonat bregdetare. Kërkojnë që të “rregullojnë marrdhënien e pronësisë së truallit me ndërtimet në zonat me përparësi turizmin”, dhe faturën ta cojnë përsëri te e jona e përbashkët !!! Pasi shpërndanë “në përdorim” brezat e pishave dhe ranishteve në breg të detit për tokë bujqësore “atij që e punon”, apo “me qira zhvillimi” “personave të stimuluar” për të “stimuluar veprimtari turistike”, politika shqiptare ka vendosur tu’a kalojë përfundimisht në zotërim me gjithë të drejtat juridike të pronësisë që rrjedhin prej kësaj. Sesi shkoi cështja e industrisë së turizmit në bregdet të gjithë e dimë. Pallatet dhe vilat e banimit, e tjetërsuan “tokën bujqësore” dhe “truallin turistik” në gropën më të madhe të parave private. Ndërkohë që, autoritetet publike numërojnë numrin që “shtohen” cdo vit të turistëve të huaj, rritet edhe një gjë tjetër gjithashtu. Rritet tullumbacja e premtimeve për dëmshpërblim e kompensim të të drejtave të pronësisë private apo publike të kaluar pa asnjë nevojë teknike, apo verpimeve të paligjshme qeverisëse që e detyrojnë një gjë të tillë. Arsyeja e vetme është padija për të kuptuar se nuk ka asnjë kontraditë midis pronësisë së ndryshme midis truallit dhe ndërtimit, dhe klientelizmit të politikës ndaj kontribuesve në fushatat zgjedhore.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017