TERMETI DHE NDERTESA; CFARE KERKON SHOQERIA NGA SHTETI? Mapo 23.05.2014

Sikurse për shumëçka, edhe për fenomenet natyrore, ne shqiptarët kujtohemi të flasim vetëm pasi ato ndodhin. Bile, edhe për këto fenomene shprehia ‘çudia më e madhe tri ditë zgjat’ përkufizon sjelljen shoqërore. Por fatkeqësisht, edhe të administratës publike të sektorit specifik që paguhet çdo ditë të vitit për të dhënë produkte vetëm një ditë. Atë të ditë kur ngjarja ndodh. Dhe ngjarje të tilla nuk ndodhin shpesh. Pikërisht atë ditë autoriteti shtetëror, ai që në fakt e kemi pranuar si të tillë (autoritet mbi individin) dhe e financojmë, nuk gjendet gjëkundi tjetër veçse në media. Dhe në media, jo për të sqaruar, ndihmuar, orientuar apo drejtuar veprimet konkrete të komuniteteve të prekura nga fenomeni natyror për t’u përballur me faktin, por për të mohuar, limituar e zvogëluar dëmet që dukuria natyrore ka sjellë me vete. Frazat mediatike bajate që lëshojnë duket se janë standarde dhe të parapërgatitura më parë si të ishin paragrafë të një manuali komunikimi publik të shkruar për raste të tilla. Nëse ke nerva dhe i dëgjon, lehtësisht mund të identifikosh katër linja kryesore. Së pari, se ngjarja nuk mund të parashikohej sepse mungon logjistika, së dyti se e njëjta gjë ka ndodhur është kur opozita e radhës ishte në pushtet, së treti se megjithë mungesat e mjeteve nga stafet e tyre është bërë një punë e kolosale dhe së fundi se gjithçka që është bërë në ndihmë të komuniteteve të prekura është frymëzuar nga impenjimi vetëmohues i ministrit të linjës, qeverisë apo kryeministrit të radhës. Ky është ligjërimi politik çdo herë kur qeverisjet përballen me disa detyrime bazike që kanë ndaj qytetarëve me shpresën se ngjarja do harrohet shpejt.
Kështu ndodh në përmbytjet e shpeshta të këtyre viteve të fundit dhe ekzaktësisht kështu ndodhi pas tërmetit të para disa ditëve në zonën qendrore të Shqipërisë. Mirëpo, edhe për këtë rast ka disa çështje për të cilat mund të flitet edhe jashtë ndikimit të qeverisjes. Ka disa pyetje që mund t’u japim përgjigje edhe vetë, në mënyrën tonë, për të ndikuar më pas që qeveria t’u japë kuptim dhe dimension ligjor dhe normativ këtyre përgjigjeve. Kështu, nëse njohuritë shkencore sizmologjike të akumuluara deri më sot nga njerëzimi nuk na mundësojnë të parashikojmë në kohë dhe të marrim masa për evakuime të individëve apo komuniteteve nga zonat e rrezikut, nuk është kështu për njohuritë e mbledhura në shkencat ndërtimore. Ato i kanë të gjitha mundësitë teorike dhe praktike të na sigurojnë objekte ndërtimore që do e shpëtonin jetën tonë nga një sulm i tillë natyror. Ky është shtegu që duhet laboruar për të dhënë disa përgjigje jashtë manualit të ligjërimit populist që shoqëron rastet e tilla. Nëse do të donim një përgjigje shteruese për pyetjen se sa të sigurta janë këto ndërtesa në momentet e një tërmeti, mund të kishim dy përgjigje. Një përgjigje në dimensionin e dijes shkencore dhe kjo realizohet pas një matjeje empirike të çdo objekti më vete. Pra, të shkohet në çdo objekt ndërtimor e të bëhen matje e mbi matjet të bëhen analiza dhe llogaritje teknike. Çka është e mundshme edhe për teknicienët shqiptarë të fushës, por që ka kosto të papërballueshme për një vend të varfër si Shqipëria. Ose një përgjigje në dimensionin e dijes së opinionit, e cila nuk mund të jetë shteruese dhe garantuese, por mund të na ndihmojë për të kuptuar disa gjëra që duhet detyrimisht dhe me shpejtësi t’i ndryshojmë.
E thënë me një marzh të madh gabimi, sot në Republikën e Shqipërisë ka 1 milion ndërtesa dhe njësi banimi. Stok ky që mund ta klasifikojmë në dy grupe kryesore. Në të ndërtuara me lejen e autoriteteve dhe të ndërtuara pa lejen e tyre. Kjo, sipas meje, bën edhe diferencën. Jo sepse kalimi nëpër proceset e vlerësimit dhe filtrave qeverisë, në vetvete, na siguron aftësi mbajtëse dhe qëndrueshmëri mekanike të objektit, porse ky fakt na siguron se objekti ndërtimor është zhvilluar mbi një projekt konstruktiv të nënshkruar nga një ekspert i fushës. Nga një inxhinier, që mban përgjegjësi ligjore për atë që ka llogaritur dhe ka nënshkruar në projekt. Ndërkohë që dyshoj se ndërtimet pa leje të jenë zhvilluar me projekt të plotë. Çka e vështirëson një përgjigje pozitive për pyetjen nëse këto objekte në rast tërmeti do t’ua kursenin jetën përdoruesve apo jo. Në këtë kontekst minimalist por të domosdoshëm, shoqëria shqiptare i kërkon shtetit të saj një gjë po kaq minimaliste dhe po kaq të domosdoshme. Të kontrollojë zhvillimet në territor. Të mos lejojë ndërtime pa leje. Dhe pasi të bëjë këtë, apo ndoshta në të njëjtën kohë me këtë, të hartojë e miratojë kushte teknike të projektimit dhe zbatimit ndërtimor që të sigurojnë ndërtesa me qëndrueshmëri të mirë mekanike e me siguri të lartë në përdorim. Kaq pak kërkon shoqëria nga shteti në mbrojtje të jetës dhe shëndetit nga tërmetet apo dukuri të tjera natyrore. Të heqë dorë nga ligjërimet populiste dhe thërrimet e ndihmave, pasi jeta, shëndeti dhe prona e tyre është dëmtuar dhe të kryejë funksionet e saj bazike.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017