NJË RISTART I DOMOSDOSHËM PËR QYTETET SHQIPTARE! Mapo, 16.09.2015

Prishja e balancave të vendosura për 45 vjet nga rregjimi komunist, në fillim vitet ’90-të, provokoi një sërë ngjarjesh në Shqipërinë e tranzicionit. Më e dhimbshmja ndër to ishte eksodi masiv i shqiptarëve. Eksod, që kishte dy kahe. Shqiptarë që i largoheshin Shqipërisë drejt vendeve të perëndimit demokratik dhe me standarte jetese, dhe, shqiptarë që i largoheshin lokaliteteve të tyre drejt qyteteve të mëdha shqiptare që premtonin një jetesë më njerëzore. Parimi i qënësishëm i mbijetesës i kishte detyruar shqiptarët të lëshonin trojet e të parëve, dhe bashkë me to, edhe një mënyrë specifike jetese. C’ka e justifikon plotësisht nga pikëpamja morale dhe humane ngjarjen, porse prodhoi gjithashtu dy realitete shumë të shëmtuara demografike dhe territoriale. Sot Shqipëria ka më pak banor se një cerek shekulli më parë, dhe, c’ka është më e rëndësishmja për këtë shkrim, prishi balancën e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar. Duhet thënë se, regjimi i një mijë e një të këqiave, kishte arritur të mbante një qasje shumë patriotike ndaj raportit të balancuar ‘shtetas’-‘territor i njësive vendore’.
Për interesa të veta e të ngushta, në kufizim të lirive të shtetasve dhe me mjete të diktatit dhe të dhunës shtetërore, rregjimi kishte prodhuar një Shqipëri të balancuar të rajoneve policentrike urbane. Rajone që tentonin të komplementonin njëra-tjetrën për të ardhur në një Shqipëri policentrike e të njëtrajtshme. Sigurisht, që kjo ishte një utopi për tu arritur dhe jo një realitet i plotësuar, porse nuk duhet mohuar se trendi ishte i qartë. Sot, përgjatë 25 vjet udhëtimi me një trend të kundërt, Shqipëria urbane përshfaqet si një shumatore e dy tipologjish qëndrash të banuara, krejtësisht të kundërta me njëra tjetrën. Njëra përfshin shumicën dërmuese të fshatrave dhe qytezave që shpopullohen, tkuren dhe shkretohen, dhe, nga ana tjetër një pakicë qytetesh të mëdha që mbipopullohen, tejshtrihen dhe densifikohen prej 25 vjetësh. Të dyja, modele që dëmtojnë rëndë Shqipërinë urbane nga pikëpamja mjedisore, sociale dhe ekonomike dhe nuk lejojnë prosperim të familjeve shqiptare. Sepse, ka një lidhje të pandashme midis mënyrës sesi është zhvilluar qyteti dhe ekonomive të familjeve që jetojnë në atë qendër të banuar.
Duke e nisur nga kjo e fundit, është e kuptueshme që në qëndra të mëdha urbane konkurueshmëria për një vend pune apo për të inovuar ndonjë sipërmarrje të re është aq e lartë sa bëhet e pamundur për të suksesuar. E njëjta gjë ndodh në qëndrat e origjinës së imigracionit. Largimi i krahut potencial të punës mjeron edhe ato sipërmarrje që ekzistonin, dhe si rrjellim logjik humbin punën edhe ata që nuk i dorëzohen largimit. Nga pikëpamja sociale, qëndrat urbane humbën homogjenitetin komunitar të ndërtuar në shekuj. Heterogjeniteti i krijuar prodhoi segregacion social e vecim deri në harresë së interesave të të ardhurve me qasje të ndryshme kulturore. Por edhe në dëm të interesave të qytetarëve ekzistuese, të cilëve ju desh të ndanin perspektivën e tyre mbi qytetin, me të ardhurit e rinj. Për të ardhur te cështjet mjedisore, largimi i banorëve boshatisi banesa dhe ndërtesa të ndërtuara më parë, territoret e të cilave nuk mund të kthehen në gjëndje natyrore. Ndërkohë që ardhja në qëndrat pritëse shtroi kërkesën për ndërtime të reja për banim, duke konvertuar në troje të ndërtueshme hapsirat në gjëndje natyrore.
Mirëpo, ky realitet urban nuk vlen të qahet. Ai duhet ndryshuar sa më shpejt dhe sa më qëndrueshëm. Qeveritë kombëtare duhet ta kuptojnë se detyrat e tyre në cështjet territoriale nuk janë investimet për projekte të fragmentarizuara dhe të atomizuara nëpër qëndrat vendore. Ato thjeshtë mund të kënaqin sedrën e sëmurë të kryeministrit të radhës, që po bën “gjëra të mëdha dhe të bukura si asnjëherë në këto 25 vjet”, porse në asnjë rast nuk i vijnë në ndihmë zgjidhjes së problemeve dhe disekuilibrave urbanë të qëndrave të banuara shqipëtare. Shqipëria e dimensionit urban ka nevoja të tjera. Ajo ka nevojë që elita e politikës shqiptare të dakortësojnë një qasje politike gjithëpërfshirëse për domosdoshmërinë e një rishpërndarje të balancuar të banorëve në territorin kombëtar. Qasje, nga ku të origjinalizojnë të gjitha politikat, projektet dhe programet që qeveria drafton dhe kuvendi miraton. Që kjo të ndodhi, për së pari, elitat akademike, politike dhe ekonomike duhet ta pranojnë si projektin strategjik kombëtar. Me synimin praktik, që superqytetet të mos rriten më, dhe, nënqytetet të startojnë ringritjen urbane.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017