NË GJUETI TË KRYEBASHKIAKUT- ADMINISTRATOR APO POLITIKAN?! Mapo, 01. 04. 2015

Zgjedhjet vendore të qershorit po afrohen dhe partitë kryesore politike kanë filluar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në to. Procesi duket më i përshkallëzuar te e majta, të cilës i duhet edhe një stacion më shumë për të ndarë bashkitë sipas dy partive dominuese të saj. Specifika e këtij koalicioni është komplementariteti i deturuar sepse askush nga dy partitë nuk mund të vendosi e vetme e më tej tjetra ta ndjeki e kënaqur apo jo. Ndryshon puna në kampin e djathtë. Asnjë nga partitë e shumta të kualicionit nuk mund të kontradiktoj forcën dominuese elektorale të partisë Demokratike. Kështu që, partia Demokratike ka nisur një proces demokratik përzgjedhës së kandidatëve direkt nga baza. C’ka është një hap pozitiv, jo vetëm në aspektin teorik të gjithëpërfshirjes në vendimarrjet e rëndësishme në parti, por edhe në aspektin praktik të garave elektorale duke siguruar mbështetje të gjerë të bazës për kandidatin. Pak më cuditshëm, sepse duket se stomaku i kryetarit nuk po e përtyp dot, i njëjti ushtrim demokratik po zhvillohet edhe në partinë Socialiste. Organizimet lokale, të të dyja partive, do propozojnë tre apo katër kandidatët më të pëlqyer nga baza dhe më tej procesi i përzgjedhjes do të kaloj nëpër filtra kombëtar. Do të jenë drejtuesit e partive (me apo pa këshillimin e elitës qëndrore të partive të tyre), që do të përcaktojnë për cdo qytet emrin e kandidatit konkurues.
Dhe këtu vijmë te shqetësimi legjitim, që duhet të ngacmoj mendimin shoqëror dhe duhet ta tërheqi opinionin publik në debate gjithëpërfshirëse. A mjafton një emër kandidati, qoftë ai edhe gjerësisht i njohur nga elektorati, për të bërë një vlerësim paragjykues për punën e tij si kryebashkiak potencial? Unë mendoj se jo. Unë mendoj se një mjek mund të jetë gjenial në cështjet e shëndetit të individit apo atij publik, mund të jetë një i shenjtë për mënyrën sesi komunikon me pacientët, por këto nuk janë kusht se po kaq mirë do kryente edhe detyrën e kryebashkiakut. Të njëjtën logjikë mund të përdorim për një economist, për një inxhinier, për një mësues, por edhe për një arkitek apo urbanist. Bile, shpesh ndodh e kundërta. Një individ që shkëlqen në një fushë shpesh dështon në të tjerat. Prandaj futja e kandidatëve në filtra të tjerë krahasues e diferencues do ishte një qasje e zgjuar dhe productive. Si një filtër shumë i rëndësishëm, i nivelit kombëtar, mund të ishte pyetja nëse na duhet për kryebashkiak një administrator apo një politikan? Pyetje kjo që nuk është ngritur asnjëherë! Përkundrazi shpesh është marrë për të vërtetë absolute dhe të panegociushme përgjigjja se një kryebashkiak duhet të jetë administrator! Sepse u dashka një administrator për të menaxhuar punët e qytetit! Sepse cështjet që trajtoka pushteti vendor qënkan të dimensionit menaxherial dhe menaxhimi kërkon administrator dhe jo politikan!
Mirëpo, unë jo vetëm e shtroj këtë pyetje por edhe i jap përgjigje diametrikisht të kundërt. Qytetit i duhet një politikan për ta drejtuar. Institucioni i Bashkisë nuk është më një ndërmarje komunale banesa, sikurse 25 vjet më parë, ku vija e Partisë dhe planet pesë vjecare përcaktonin gjithcka politike ndërsa Komiteti Ekzekutiv i Rrethit ishte ingranazhi menaxherial i ‘Pushtetit Popullor’. Jo! Qyteti tashmë është një entitet autonom politik që detyron një politikan në krye të tij. Qyteti ka specifikën e vet. Specifikën natyrore e gjeografike, specifikën ekonomike, specifikën kulturore. Dhe këto specifika drejtojnë në kontekse shumë të ndryshme për qytete të ndryshme. Drejtojnë në c’ekulibra të ndryshëm për tu ekulibruar në qytete të ndryshme. Ekulibra që kërkojnë një qëndrim të fortë politik mbi prioritizimin sipas rëndësisë, rrugëve që duhen ndjekur dhe mbi të gjitha mënyrës së financimit të programeve apo projekteve ekulibuese. Nëse e shohim ndryshe, nuk kemi bërë gjë tjetër vecse e kemi dënuar qytetin në skllavërinë e mëshirës së pushtetit qëndror. Sepse një kryebashkiak i tillë mund të na drejtojë vetëm në dy statuse. Ose si banor të qytetit “mik” të Kryeministrit që financon ndonjë rrugë, shkollë apo lulishte, ose si banor të qytetit “armik” që duhet ta harrojë thesin e c’puar të buxhetit kombëtar. Dhe në të dyja rastet, përvecse do vegjetonim në kënetën e varfërisë urbane të qyteteve tona, por edhe do vazhdonim të ishim thjesht banor duke gënjyer veten se jemi qytetar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017