ELIMINIMI ‘DE FAKTO’ I QEVERISJES VENDORE. Mapo, 24. 09. 2014

Disa vjet më parë, një miku im deputet socialist, në shuajtje të kuriozitetit tim më shpjegoi se z. Rama, i sapo zgjedhur si kryetar i partisë së tij kishte marrë një këshillë shumë të vyer që po e përdorte me efikasitet të plotë. Këshilla i ishte dhënë, sipas mikut tim, nga një eksponent i lartë i të majtës socialiste Europiane dhe vinte si përgjigje për shqetësimin më të madh të z. Rama dhe që ky e shprehte kudo dhe kurdo takonte ndonjë të huaj. Gjithmon sipas të njëjtit mik, z. Rama nuk e kuptonte sesi bashkëpunëtorët e tij në Ps ishin aq të paaftë për të kuptuar dhe vepruar sipas kuptimeve të tij modern. C’ka e bënte të pamundur që ai ti linte në ato funksione/detyra që kishin pasur më parë se ky të zgjidhej kryetar. Por, në të njëjtën kohë e vlerësonte shumë të rrezikshme ti shkarkonte të gjithë dhe në një ditë sikurse e merritonin. Dhe këshilla hyjnore ishte ‘lëri titullin e hiqi detyrat’. Pra , lëri në ato funksione që kanë, ndërsa detyrat e tyre kryeji vet ose kaloja dikujt që ke besim. Z. Rama po e implementonte me sukses të plotë këtë strategji dhe kjo sipas mikut tim socialist ishte arsyeja sepse, të tjera gjëra më kishte thënë për dy orë në kafe dhe të tjera gjëra ligjëronte në public. Biles me të njëjtin arsyetim e shpjegonte edhe faktin pse Ps nuk kishte të njëjtin ndikim në publik.
Mu duk arsyetim logjik, por të them të drejtën nuk e besova plotësisht. Gjysma e ekuacionit qëndronte, të paktën e parë nga jashtë dhe e treguar nga përjetues të brendshëm. Por, ajo që më bënte skeptic ishte gjysma tjetër. Pse njerëz të nderuar dhe me eksperienca shumëcfarësh do pranonin të mbanin titullin pa ushtruar detyrat dhe të drejtat. Sepse të mbash titullin do të thotë edhe të mbash përgjegjësinë, në dimensionin e formës. Mirëpo, ka edhe një dimension tjetër, është dimensioni i përbajtjes, i reales. Dhe sipas tij nëse nuk ke ushtruar kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë (sepse ato i ka ushtruar dikush tjetër), nuk mund të mbash përgjegjësi për rezultatet. Paradoks! Të cilit unë i kam gjetur shumë përgjigje por asnjë që të më duket shteruese. Asnjë që të zbardhi të tërrën. Kështu që e mora dëshirën time për ti dhënë një përgjigje këtij paradoksi (prandaj edhe e quaj të tillë) dhe e vendosa diku në haresën time qetësi sjellëse. Dhe jam i sigurt që do rrinte aty në pafundësi të kohës time sikur në vitin e parë qeversisës (por edhe nja dy muaj më parë) të z. Rama, nuk do kishin ndodhur një rrjet gjërash. Një rrjet vendimesh qeverie, draftligjesh apo edhe veprime konkrete në terren që do ndiznin llampën ndricuese këtë pjesë të trurit tim.
Gjëja që veproi si të ishte gisht tregues që shtyp On-in e celësit të dritës ishte vendimi i Kryeministrit për ti dhënë ai vet lejet e ndërtimit në gjithë territorin kombëtar. Për cdo bashki e komunë. Absurd! Kryeministri që do tu kthejë përgjigje cdo qytetari të Republikës për pyetjen e tyre, nëse mund të ndërtojnë apo jo në tokë të tyre! Ky ishte absurdi i absurdeve, sepse në fakt, është një rrjet i tërrë absurdesh. Ministri i këtij Kryeministri që do miratoj listën e përfituesve nga programet e strehimit social. Ministri tjetër i këtij Kryeministri që do miratoj listën e përfituesve të ndihmës ekonomike. Ministri tjetër që do mbledhi taksat vendore. Ministri tjetër që do prishi ndërtimet paleje. E kështu mund të vazhdoja gjatë. Ishte ky rrjet absurdesh që më ndricoi pyetjen fatale. Mos vallë Kryeministrin e kanë këshilluar që të veproj njësoj edhe me kryetarët e njësive të qeverisjes vendore? Tu lërë titullin dhe t’u marri detyrat? Kjo do ishte shumë e rëndë. Jo vetëm këshilla në vetvete. As vetëm shqetësimi pse Kryeministri ndihet e sillet si mbinjeri që cdo gjë të mirë mund ta bëj vetëm ai. Dhe as pse pranojnë socialistët partiak apo ekzekutiv të mbajnë postet pa kryer detyrat e mbajtur përgjegjësitë. Shumë e rëndë, fatale, do të ishte produkti i kësaj strategjie. Qeverisja vetëm nga një “mbinjeri” me grusht njerëzish “special” dhe eliminimi faktik i qeverisjes vendore.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017