SEPSE NUK MUND TË KETË QYTETARI PA QYTET. Mapo, 10.12.2012

Nën peshën 45 vjecare të shtypjes politike, shqiptarët u strukturuan në një shoqëri të frikës ku jo vetëm veprimet ishin totalisht të kontrolluara nga lart, por edhe mendimet vendoseshin e shtresëzoheshin sikurse ishte përcaktuar nga rregullat. Në një paralele të qartë me ‘luftën e klasave’, ku të ashtuquajtur skllevër/të varfërit u ngritën kundër skllavopronarëve/të pasurve dhe i luftuan këta pa asnjë mëshirë, u synua ndërtimi i ‘njeriut të ri socialist’. Njeriu i ri kishte të programuar cdo gjë në jetën e tij të modeluar nga pushteti dhe të shpallur nga propaganda. Devijimi, sa do i vogël, nga modeli i propoganduar/urdhëruar sillte automatikisht përjashtimin dhe kalimin nga një grup (skllevër) në grupin tjetër (skllavopronar) dhe rezultati dihet, ekspozim i të gjithë farefisit ndaj efikasitetit të diktaturës së ploretariatit/ luftës së klasave. Civilizimi/qytetaria, nëse mund ta quajmë kështu, ndërtohej në dy kolona të qarta, marrdhënia midis ish-skllevërve dhe ish-skllavopronarëve, dhe, marrdhënia mes ish-skllevërish në vetvete. E para, qartësisht ishte luftë frontale e dhunshme deri në shfarosje. Marrdhënia e dytë ishte totalisht e kundërta, pra paqe, vllazëri dhe barazi mes aktorësh të njëjtë. Tetë orë punë, tetë orë pushim, edukim social-kulturor e ushtarak dhe tetë orë gjumë konstruktonin njeriun e ri. Modeli i individit të ndërtuar nga propaganda ishte i vetmi, dhe duhet të ndiqej nga të gjithë. Ishte ky që përcaktonte interesat, nevojat dhe marrdhëniet, në bazën e të cilave gjithashtu planifikohej, projektohej dhe ndërtohej qyteti. Dhe për sa kohë, qyteti ndërtohej dhe funksiononte në këtë mënyrë, qytetaria konstruktohej në të njëjtën formë.
  Në vitin 1991 kriza e legjitimitetit të elitës politike, kriza e thellë dhe progresive ekonomike, ndryshimi i politikave të faktorit të jashtëm dhe efekti domino i ndryshimeve në vëndet e Europës Lindore shkërmoqën rregjimin komunist, i cili ndërtonte këtë lloj qytetërimi/kulture. Rënia e shkakut konseguonte mosegzistencën e pasojës, pra rënien e llojit të qytetërimit, dhe kjo e fundit fragmentarizimin deri në individualizim të interesave, nevojave dhe marrdhënieve. Nga ana tjetër, rënia e modelit të vetëm kërkonte modele të rinj, biles shumë modele sepse të shumtë ishin edhe rolet. Fatkeqësisht, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, modelet u gjetën te e njëjta dije/njohje. Kishim 45 vjet që dëgjonim dhe lexonim për kapitalizmin dhe demokracinë imperialiste, nuk ishin koncepte të reja për ne, por sigurisht ishin koncepte të përkufizuara sipas një konteksi të caktuar, sipas një loje gjuhësore të caktuar. Konteks i cili kërkonte/synonte deformimin e tyre dhe të roleve të individëve në to. Tregtari duhet të ishte hajdut, ai i riste cmimet sipas qejfit. Borgjezi, gjithashtu, ai duhet t’i pushonte njerëzit nga puna dhe t’i ulte pagat e punëtorëve vetëm në interes të tij. Të mos flasim për drejtësinë, ku gjyqtarë dhe avokatë duhet të ishin bërë bashkë për të favorizuar më të pasurit që paguanin nën dorë. Administrata duhet të ishte injorante. Ajo duhet të vihej vetëm në shërbim të bejlerëv, agallarëve dhe manifakturistëve. Ndërsa punëtorët dhe fshatarët e varfër punonin nga lindja e diellit deri në muzg, të shoqëruar nga skamja totale. Këto ishin modelet e përshkruara nga propaganda, dhe ne këto modele ndoqëm. Dhe, duke ecur drejt këtyre modeleve ndërtuam këto marrdhënie. Marrdhënie, të cilat na ndërtuan këto qytete. Sepse, banesat ku ne jetojmë i ka ndërtuar një ndërtues që për model kishte borgjezin e librave të diktatorit, në tokën e një pronari që për model kishte feudalin, me lejen e një administrate që sikurse orientonte modeli i propoganduar i shërbente vetëm zarfeve nën dorë. E nëse dikush ankohej, drejtësia e dinte shumë mirë dhe paraprakisht se kush kishte të drejtë. Kështu pra, ndërsa ndërtuam marrdhënie ndërtuam edhe qytetin. Dhe ndërsa ndërtuam qytetin, konstituam edhe civilizimin tonë të ri.
Tashmë marrdhëniet janë të shumta, sepse të shumtë janë edhe aktorët dhe faktorët ndikues. Rolet komplementare, fragmentarizimi dhe individualizimi që shoqëron kohën tonë, shërben gjithashtu në diversifikim dhe shumllojshmëri të tyre. Por kush janë, empirikisht, marrdhëniet tona? Mbi cilin konteks ndërtohen ato? Jetojmë në apartamente të patermoizoluara, të padiellëzuara dhe të paajrosura, megjithëse jetojmë në Shqipërinë e treqind ditëve me diell. Kush mendoni se do jetë gjendja jonë shëndetsore dhe e humorit? Apartamentet tona vendosen në pallate me 12 kate dhe 6 apartamente në kat. Cila, mendoni se, do jetë marrdhënia me fqinjët që përdorin të vetmin ashensor apo të njëjta shkallë të ngushta? C’marrdhënie do kemi mes vetes, si komunitet, kur nëse dalim nga dera kryesore e pallatit mund të rezikojmë të shtypemi nga një makinë që ecën me shpejtësi në rrugicat e ngushta që rrethojnë objektin? C’marrdhënie dhe komunitet mund të ndërtojmë, kur për gjatëdhjetë automjetet e pallatit ka vetëm tetë vënde parkimi? Për këto vendparkime na duhet të konkurojmë, apo jo, na duhet të debatojmë dhe shpesh grindemi. C’trashëgimni komunitare do kemi, kur cerdhja dhe kopështi më i afërt për fëmijët tanë është dy kilometra larg, apo në katin e fundit të një pallati? Për ti arrituar ato apo vendet tona të punës na duhet të përdorim patjetër automjet, sepse transporti publik është ai që është. Cilat, mendoni se, do jenë marrdhëniet me bashkëqytetarët kur përdorimi i automjeteve për cdo lëvizje nënkupton një betejë të dhimshme në trafikun e mbingarkuar dhe domosdoshmëri për gjetje vendparkimi në cdo ndalesë të detyruar? C’të ardhme komunitare mund të ndërtojmë, kur fëmijët tanë edhe kur kthehen nga shkolla u duhet të mbyllen brenda apartamentit sepse nuk ka një shesh ku të luajnë. C’marrdhënie ndërbrezore do ndërtojmë, kur prindërit tanë bëjnë tre mijë metra me pengesa (në trotuarët e zënë nga makinat e parkuara dhe tavolinat e kafeneve), për të arritur në lulishtet e pakta të qytetit. C’kohezion social mund të ndërtojmë, nëse aktivitetet tona të kohës së lirë do të jenë vetëm kafenetë? Secili nga ne mund ti japi përgjigje këtyre pyetjeve. Dhe përgjigjet, në mënyrë të pashmangshme, do jenë shumë të ngjashme në mos të njëjta. Janë këto përgjigje që përcaktojnë marrdhëniet tona komunitare dhe janë këto marrdhënie që ndërtojnë qytetarinë tonë. Prandaj, fjetorja jonë e madhe duhet të kthehet në qytet. Vetëm atëherë mund të fillojmë të komunikojmë dhe vetëm duke komunikuar mund të ndërtojmë qytetari moderne, mund të ndërtojmë civilizim.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017