NJË GRUSHT KUNDËR FATALIZMIT. Mapo, 01. 05. 2015

Z. Rama është një njëri kokëfortë dhe këtë fakt e njohin gjithë shqiptarët që nga koha kur drejtonte bashkinë e Tiranës. Në këtë pikë nuk po themi asgjë të re, nëse nuk shtojmë se z. Rama edhe në ushtrimin e qeverisjes si Kryeministër po sillet si i tillë. Fakti provohet nga këmbëngulja e tij për të ‘sjellë Rilindjen edhe në Tiranë’, sikurse tha se do bënte nëpërmjer z. Veliaj si Kryebashkiak i Tiranës. Provohet, gjithashtu, edhe nga përzgjedhja e vet z. Veliaj si “i dërguar” i Kryeministrit për ta kryer këtë akt kaq “të lartë”. Të sjellurin e Rilindjes edhe në Tiranën lokale. C’ka na con në kuptimin logjik se, ose z. Rama nuk ka kuptuar asgjë, ose se z. Rama nuk ka marrdhënie me logjikën. Sigurisht që ne refuzojmë me forcë të pranojmë mundësinë e dytë dhe do të pranojmë mundësinë, sipas të cilës z. Rama nuk ka kuptuar asgjë nga cfarë po ndodh në Shqipëri dhe kush janë arsyet e këtij realiteti! Nëse duam ta themi me një fjali të vetme, ajo që po i ndodh Shqipërisë është se asaj po i ikin shqiptarët! Po i ikin shtetasit! Që po të mblidhen të gjithë bashkë përbëjnë kombin. Dhe kombi është një nga dy dimensionet e një Shteti. Dimensioni tjetër është territorialiteti ku kombi ushtron sovranitetin. Edhe territorialiteti po i ikën, porse, kjo ikje nuk është një eksluzivitet i kësaj qeverisje. Kjo ikje, me ulje ngritjet e veta, ndodh prej qëkurse e njoh unë historinë e Shqipërisë. Ndryshon puna për shterimin e kombit!
Për ikjen e shqiptarëve e ka fajin kjo qeverisje. Jo vetëm sepse i varfëruan deri në pikën e turpit. Varfërisë shqiptarët ja kanë gjetur zgjidhjen në shekuj dhe do ja gjenin edhe në këto kohë të vështira. Dicka tjetër po i syrgjynos ata. Shqiptarët po ikin, dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, sepse po ju vritet dhe po ju premtohet se do ti vritet edhe në vazhdim, e ardhmja. Shpresa se gjërat do të ndryshojnë, të paktën për fëmijët e tyre. Kjo është ajo që po ndodh! Një vrasje shprese me dy akte. Pas 22 vjetësh udhëtim të stërlodhshëm, shqiptarët besuan se keqja vinte vetëm nga dy njerëz, Nano dhe Berisha. Të gjitha shpresat i shihnin te largimi i tyre dhe nisja nga fillimi me një start të ri. Shpresën e re ja kontraktoi ‘Rilindja’, sëbashku me shumë premtime për shërbime e pronësime falas, që pakkush i besoi por shumëkush i votoi me shpresën e përmbylljes së një epoke. Mirëpo, Rilindja shkoi shpejt në origjinë. Ajo ngatëroi ‘bërjen e shtetit’ me ‘edukimin e masave’, duke ju turrur qytetarëve “ligjshkelës” për t’i marrë së bashku me kursimet e fundit edhe shpresën për një ringritje kulturore të ëndëruar. Me paratë e kursimeve bleu palma dhe bojra, ndërsa shpresën e plagosur ju’a la në oborr të shtëpisë. Kjo po ndodh prej dy vitesh si akt i parë. Ndërsa, akti i dytë i vrasjes po ndodh tani. Quhet ‘konsolidimi i Rilindjes’ dhe premton projektimin e vetvetes kombëtare në cdo njësi të qeverisjes vendore.
Premton se, edhe ato pak para që kanë mbetur do ti bëjë ca palma më shumë e ca bojë më tepër. Sidoqoftë, nuk është ky plumbi vdekjeprurës i shpresës qytetare. ‘Plumbi i sigurisë’, sikurse do ta quante cdo vrasës profesionist, është kandidati Veliaj dhe ajo që shqiptarët nënkuptojnë nga ky kandidim. Ajo që i bën ëndërrvrarë është fakti se, që sot po i propozohet Kryeministri i pas 22 vjetësh. Nëse historia ndjek të njëjtin trend, c’ka nuk duket dhe aq i rastësishëm, z. Rama do mbaroj dy mandatet e tij, më tej z. Basha gjithashtu, për t’ia lënë stafetën z. Veliaj që do të ketë trashëguar ndërkohë partinë Socialiste. Shumë ‘sikur’ ka kjo skemë, porse duket shumë e mundshme nëse nuk ndërpritet menjëherë. Sepse, sapo barazuam në kohë historinë e ndritur të monizmit me atë të shpresës së pluralizmit që nuk u bë kurrë demokraci. Prandaj shqiptarët ikin të lemerisur nga “fati që i është shkruar në dy të natës” edhe për 45 vjet të tjera të pluralizmit pa demokraci. Nën panik, tashmë jo për veten, por për fëmijët. Po! Sepse nëse kanë apo u lind një fëmijë katër vitet e ardhshme gjasat janë të mëdha që kur të votojnë për hërë të parë kandidat për Kryeministër të kënë z. Veliaj. Kaq e përcaktuar është prespektiva. Porse ka edhe një mundësi tjetër! Të besojmë se fatin tonë e shkruajmë vet dhe të mos ikim, por të votojmë kundër z. Veliaj. Një votë kundër tij, mësë paku, është një grusht kundër fatalizmit që po na mbyt.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017