MUNDËSITË PËR BISNES DHE LEJET E NDËRTIMIT. Mapo, 16.06.2014

Disa ditë më parë drekova me një mikun tim me profesion kovaç. Këtë profesion kishte ushtruar për disa vite në sistemin e kaluar, kryefamiljari i ardhur nga një fshat i Korçës në rrethinat e Durrësit. Tashmë nuk ishte më kovaç por sipërmarrës, dhe aktivitetin e tij e kishte mbështetur tek ajo që njihte më mirë. Përpunimi i hekurit. I vinte keq që nuk mundte më ta përpunonte hekurin për t’i dhënë forma artistike, por ishte i kënaqur edhe me mënyrën e re të përdorimit të tij. Ai merr elementë të parapërgatitur të hekurit dhe krijon skelete hekuri për kapanone. Më tej, këto hapësira u shërbenin sipërmarrësve të tjerë për të prodhuar apo magazinuar mallra konsumi me etiketën ‘made in Albania’. Ndoshta ky fakt e bën edhe më shumë krenar. Në një mënyrë shumë specifike ai i shërben ekonomisë kombëtare dy herë. Me produktin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me produktet që prodhohen, në ndërtimet me konstruksion metalik që ai prodhon. Shprehja ‘ku dhemb dhëmbi shkon gjuha’, duket se u vërtetua edhe në këtë rast. Gjatë gjithë drekës tema e bisedës ishte aktiviteti i tij dhe problematikat që ai ndeshte përditë. Kostot e prodhimit, çmimet e shitjeve, burimet njerëzore, transporti i lëndëve të para dhe produkteve përfundimtare, montimi në terren, ishin çështjet që ai iu kthye më shumë se një herë në bisedë. Por shprehja kyç që u përsërit e ripërsërit me dhjetëra herë ishte togfjalëshi ‘lejet e ndërtimit’. Ato nuk i hiqte nga goja. Shpjegonte e rishpjegonte se sa dhjetëra kontrata, me porositës, kishte gati për t’i firmosur apo për të nisur punimet, porse ato “të flamosurat” lejet e ndërtimit e kishin bllokuar. Kështu që mbetej në pritje. Dhe jo vetëm ai, por së paku dhjetëra biznese që prisnin, që ai të ndërtonte hapësirat ku ata do të ushtronin aktivitetin e tyre. Me mënyrën e tij të thjeshtë më sqaroi gjithçka që e favorizonte dhe gjithçka që e pengonte bërjen e biznesit në Shqipëri.
Ekzaktësisht, ato që më tha miku im kovaç/sipërmarrës, na ekspozon edhe ‘Doing Bisness 2014’ për të bërit biznes në Shqipëri. Ekspertiza e Bankës Botërore vëzhgon lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës dhe për vitin 2014 Shqipëria i del në vendin e nëntëdhjetë. Apo e thënë ndryshe, tetë vende më poshtë se një vit më parë. Këtë vëzhgim, Banka Botërore e kthen në raport dhe e publikon. Raporti merr në shqyrtim 10 tregues, të cilët lidhen me kostot e proceseve rregullatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Shqipëria, në krahasim me raportet e viteve të kaluara, vazhdon të ruajë një vlerësim pozitiv përsa u përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14. Ndërkohë që vazhdon të mbetet e fundit në renditje për një nga komponentët më të rëndësishëm të vrojtimit, lejet e ndërtimit. Por ajo që të shqetëson më tepër në këtë raport është fakti se, nëse për çdo vend të botës ka nga një shifër treguese për (i) numrin e procedurave, (ii) kohën në ditë për pajisje me një leje ndërtimi, apo (iii) kostot financiare për marrjen e një leje, për Shqipërinë ka nga një vizë. Vizë që tregon se këta tregues nuk shprehen më as me numra. Pra, ose nuk jepen më leje ndërtimi, ose njerëzit ndërtojnë pa leje. Ndër gjetjet dhe pozimet e shumta që ka raporti, mund të veçojmë edhe një tjetër. Vlerësimin mbi ‘reformat e biznesit në Shqipëri’ që nis nga viti 2008. Nëse e konsulton këtë tabelë, dallon menjëherë se gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash, sipas vlerësimit të drejtpërdrejtë të raportit, që e bëjnë më të lehtë bërjen e biznesit në Shqipëri. Mirëpo ka edhe një reformë, e cila që prej vitit 2012 e vështirëson bërjen e biznesit dhe ajo është reforma për dhënien e lejeve të ndërtimit. Apo reforma e planifikimit të territorit.
  Ky raport botohet në disa gjuhë të botës, në shërbim të qeverive dhe sipërmarrësve ndërkombëtarë. Qeveritë normale e studiojnë dhe ndërmarrin masa me synim përmirësimin e treguesve, dhe me target tërheqjen e investimeve. Sipërmarrësit normalë e studiojnë me synimin e njohjes së vendeve ku është më lehtë për të investuar me targetin për t’i drejtuar sa më mirë investimet e tyre të ardhshme. Qeveritë anormale dhe sipërmarrësit anormalë, nuk dihet si veprojnë në të tilla rrethana. Por një gjë duket dhe mund të thuhet. Qeveria Shqiptare as nuk e ka vënë ujin në zjarr për një çështje kaq të rëndësishme. Ka lënë në fuqi ligjin ‘Për planifikimin e territorit’ të vitit 2009, ndërsa e ka delegjitimuar atë duke nisur një proces për hartimin e një ligji tjetër. Kështu që biznesit i duhet të presë edhe disa vite të tjera, ndërsa Banka Botërore do ta ketë shumë të lehtë punën. Më keq se në vend të fundit, ky tregues, nuk ka ku shkon.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017