RISHPËRNDARJA E POPULLSISË NË TERRITOR, NJË MODEL I RI ZHVILIMI HAPSINOR. Mapo, 05.09.2013.

Një nga debatet e rëndësisë së vecantë të botës moderne është debati mbi origjinën e krijimit të qyteteve. Pyetjes se “si dhe kush origjinalizoi veprime për stabilizimin e njerëzve në territore të caktuara?”, i janë përgjigjur shumë kërkues. Përgjigjet kanë qënë të shumëllojshme, por ato mund të grupohen në dy rryma kryesore mendimi. Rryma e parë, që është edhe rryma që mbështetet gjerësisht, është “Dominanca e bujqësisë”. Kjo rrymë thekson se ishte zhvillimi i bujqësisë që nxiti intalimet fillestare të përhershme të popullsisë dhe pak e nga pak krijimin e qëndrave të mëdha të banuara. Dhe në vazhdim krijimin e qyteteve. Ndërkohë rryma tjetër kundështon këtë “skenar” dhe formulon tezë se, ishin gjuetarët ata që iniciuan grupimin në qëndra të ndryshme me qëllimin e shkëmbimit dhe tregëtimit të produkteve të gjuetisë me mallra të tjera të nevojshme. Apo se ishte, nevoja e njerëzve për organizim të mbrojtjes kolektive nga sulmuesit e ndryshëm, nxitësi për krijimin e qëndrave të para me banime të përhershme. Kjo rrymë u quajt “Dominanca urbane”. Përtej këtyre kundështive apo të tjera sikëto, ka një gjë që i bashkon këto rryma, praktika logjike për tu instaluar në ato territore që ishin të pasura me burime natyrore. Për rrymën e parë në troje të sheshta e productive për kultivime të bimëve bujqësore dhe pranë lumenjve apo bazenëve ujorë. Ndryshe, për rrymen e dytë pranë kryqëzimeve të rrugëkalimeve, ku mundësoheshin takimet me udhëtarë, pra edhe shkëmbimet e produkteve. Pra me një fjalë të vetme, paraardhësit tanë disa mijëra vjet më parë janë vendosur pranë burimeve. Në ato territore ku mund të siguronin jetesën por edhe t’ju mbetej dicka, nga prodhimet e tyre, për ti shkëmbyer me të tjerë.
Duket se, të njëjtat parime ndoqi edhe Shqipëria e pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht të kontekstualizuara. Zhvillimi i qëndrave të banuara u ndikua nga politikat e urbanizimit dhe industrializimit të vendit, të cilat u zbatuan në kushtet e pronës shtetërore dhe planifikimit të çentralizuar. Si rrjellim, gjatë viteve 1950-1960 urbanizimi i vendit u rrit me ritme më të larta. Politikat e industrializimit dhe urbanizimit të vendit u mbështet në parimin e zhvillimit të barabart dhe përpjestimor të territoreve dhe degëve të ekonomisë. Dhe jo kot. Porse, cuditërisht edhe në kushtet e deformimit socialist, ekonomia tentoi të përfshinte të gjitha burimet natyrore. Tentoi dhe megjithëse në anemi burimesh financimi dhe teknologji prodhimi të prapambetura, duket se ja doli. Si rrjellim ndryshoi hirearkia e qyteteve. Qytetet që kishin lulëzuar para Luftës së Dytë Botërore, tashmë filluan të bini, si p.sh. Shkodra, Korça, Gjirokastra. Qytete të tjera si Durrësi, Tirana, Fieri, Vlora, Elbasani filluan të ngrihen në hirarki. Synimi i urbanizimit dhe i zhvillimit rajonal ishte rritja e numrit të qyteteve të vegjël (5 000- 20 000 banorë) dhe si produkt i këtij qëndrimi u krijuan 39 qytete të reja. Por sistemi socialist, sikurse ishte e pritshme në mungesë të vazhdimësisë së kreditimeve Sovjetike dështoi në dimensionin ekonomik. Në fakt, në dimesionin ekonomik, vet sistemi socialist e ka karakteristikë të vetme dështimin. Dhe dështimi ekonomik paraprin dështimet e gjithë fushave të tjera. Për konseguencë, pas viteve 1960 ritmet e urbanizimit pësuan rënie. Ndërkohë, politikat ndryshuan kahun e imigrimit në, nga qyteti në fshat. Jam i sigurt se shumicës nga ne i kujtohen parrullat dhe slloganet e propogandës por edhe veprimet shtrëguese dhe detyruese që “frymëzonin kuadrin e arsimuar” të kontribuonin në “kthimin e fshatit në qytet”.
Por, nuk ndodhi kështu pas viteve 1990. Të cliruar nga një barrierë shumë e madhe, e njohur me emërtimin ‘leje banimi’, pjesa më e guximshme e shqiptarëve të pas rrëzimit të diktaturës komuniste, u larguan nga trojet e të parëve dhe u vendosën në periferitë e Tiranës dhe qyteteve të tjera. Shumica e imigrantëve vinin nga zona të thella malore ku vështirësitë e jetës ishin të një shkalle të papërballueshme. Rrëzimi i diktaturës kishte eleminuar detyrimin për t’u pajisur me një leje të posacme për të ndryshuar vendbanimin, c’ka ishte një gjë e mirë në dimensionin e lirisë së shqiptarëve. Por, gjithashtu, edhe detyrimin e të emëruarve në zonat e thella dhe fshatare për të punuar “atje ku ka nevojë atdheu”. Gjë e cila ishte e mirë për të rinjtë që detyroheshin pas diplomimit të shërbenin në këto zona të izoluara dhe vinin nga Tirana apo nga qytete të tjera, por jo për banorët e këtyre trevave të Shqipërisë. Të cilët pas shformimit të kooperativave apo ndërmarrjeve të tjera shtetërore ku me vështirësi siguronin pagesë për mbijetesë fizike, u gjendën edhe në mungesë të shërbimeve minimale shëndetësore apo arsimore, që shteti i siguronte nëpërmjet “të shkolluarve të ardhur nga qyteti”. Jam i sigurt, askush prej tyre nuk i braktisi me qejf varret e prindërve apo të afërmve. Askujt prej tyre nuk i pëlqente rrëmuja e qyteteve të mëdha. Apo stili i jetesës së qytetarëve, që për shumicën e tyre nuk ishte gjë tjetër vecse ‘shthurje e familjes’. Por erdhën. Erdhën se kishin nevoja bazike për mbijetesës. Të mos harrojmë, të vije nga Kuksi në Tiranë u duhej 7 orë. Dhe u duhej të vinin vetëm për një mjek.
Por, të paktën në një dimension, gjërat kanë ndryshuar pas njëzetë vjetësh. Në emigracion apo si pasojë e tregut të lirë, shqiptarët nuk e janë më në nevojë mbijetese. Shqiptarët janë më të pasur. Por eksodi vazhdon. Dikush ka 50 mijë euro dhe shkon në qytetin qëndror të qarkut dhe blen një shtëpi. Të vjetrën e lë atje në fshat, bosh. Dikush tjetër bën 100 mijë euro dhe shkon në Tiranë e bën të njëjtën gjë. Dhe pasi kemi blerë shtëpi dhe kemi mbaruar paratë, relaksohemi. Pastaj rrimë se nuk kemi cfarë bëjmë. Nuk kemi punë. Normale, kur nuk ke punë cfarë të bësh, vecse të rrish kot dhe të qahesh se nuk ka punë. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar edhe në një aspekt tjetër. Nuk na nevojiten më 7 orë për të ardhur nga Saranda apo 4 orë nga Korca. Po kështu nuk duhet të ecësh nëpër monopate për të shkuar nga fshati ku ke shtëpinë në qytetin më të afërt. Rrjeti kryesor kombëtar është ndërtuar ose në ndërtim. Rrugë rajonale apo lokale, gjithashtu. Janë ndërtuar, janë në ndërtim apo planifikohet të ndërtohen. Tregu i lirë ka ndryshuar edhe një aspekt tjetër. Arsimi i lartë, privat apo shtetëror, s’ka më limite. Të pranon ashtu si je. Pranon paratë e tua dhe mbështet dëshirat e tua. Po me c’para? Me një pjesë të atyre që bleve shtëpi kur e kishe një. Pra mund të bëhesh mjek, arsimtar dhe të shërbesh në fashatin apo qytesën tënde. Shumë gjëra paskan ndryshuar por jo praktika jonë e urbanizimit. Në vazhdojmë me këmbëngulje ti largohemi burimeve natyrore. Ti largohemi vendeve të punës që këto burime ofrojnë, po të shfrytëzohen, sigurisht. Dhe së fundi, një propozim. Nëse na duhet një model i ri zhvillimi, atherë jemi ekzaktësisht në kohë për ta ndërtuar një. Rishpërndarje e popullsisë dhe burimeve të tyre financiare nëpër territor. Rishpërndarje e cila duhet të jetë sa më e njëtrashme dhe e balancuar. Të bëjmë bashkë burimet natyrore, burimet financiare dhe burimet njerëzore. Sepse këto të treja janë “aksionerët” e vetëm të rritjes së zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Shëmbuj që ky model funksionon i kemi. Na i jep historia. Vecse kujdes, modelet dhe vecanërisht mjetet e mënyrat duhen kontekstualizuar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017