DY PARAKUSHTET PËR SUKSES TË REFORMËS TERRITORIALE. Mapo, 31.01.2014

Elita politike shqiptare dakortëson për domosdoshmërinë e një reforme territoriale. Të gjitha palët politike mendojnë se një ndarje e re territoriale do ndikoj pozitivisht në qeverisjen e mirë vendore. Të njëjtin mendim ndan edhe ekspertiza e profileve të ndryshme, por edhe shoqëria civile. Konsensus më të gjerë shoqëror, mbi nevojën e ndërmarrjes së një nisme të tillë, është i tepërt të kërkohet. Dhe bën kuptim. Sot Shqipëria ka të njëjtën ndarje administrative sikurse 20 vjet më parë ndërkohë që popullata ka përjetuar lëvizje të forta nëpër territor. Realiteti i ri urban patjetër duhet projektuar në një ndarje të re administrative, e cila duhet të jetë në paralel me numrin e banorëve të një njësie të qeverisjes vendore dhe sipërfaqes së shtrirjes së saj. Këto janë dy nga treguesit më të rëndësishëm për formulimin e kësaj reforme. Kurse, synimi kryesor është shërbimi sa më i mirë ndaj qytetarëve. Pra, ndarja e funksioneve qeverisëse në një frymë të fortë decentralizuese, midis dy niveleve. Në një konteks të tillë, pyetja e parë që lind është se sa produktive dhe afatgjatë do të jetë produkti i kësaj reforme? Sepse duhet thënë qartë dhe që në fillim. Gjëndja faktike e shpërndarjes së popullsisë nëpër territorin kombëtar nuk është një produkt i një qasje apo qëndrimi politik të caktuar qeverisës, por, produkt i vendimarrjeve personale dhe i fragmentarizuar i familjeve shqiptare. Dhe se ky realitet nuk mund të merret si tabu dhe përfundimtar. Vet konteksi formues i kësaj gjëndje ishte i rastësishëm dhe në kushte shumë specifike. Kushte të një përmbysje të madhe jo vetëm ideologjike dhe që as nuk mund të përsëriten më as nuk mund të ngelen të pandryshuara. Në këtë konteks, një reformë territoriale pa një qëndrim të ri politik mbi shpërndarjen e popullsisë në mënyrë të balancuar nëpër territor do të ishte një gabim i madh.
Një gabim edhe më i madh do ishte ndërmarrja e nisme të tillë pa qartësuar më parë funksionet dhe kompetencat e secilit nivel qeverisës. Në fakt, ne kemi një ligj që përcakton kush janë funksionet e ‘përbashkëta’, ‘të deleguara’ dhe të ‘veta’ të njësive të pushtetit vendor që prej vitit 2001. Kemi, gjithashtu, praktika dhjetëvjecare qeverisëse të këtyre njësive në kryerjen e këtyre funksioneve. Praktika cilat mund të vlerësohen si të mira apo të këqia, në përputhje me ligjin apo në shkelje të tij, por sidoqoftë kishim një qasje qeverisje me dy nivele. Biles, po tentohej të shkohej më tej. Po tentohej t’u kalohej edhe e drejta praktike për politik-bërje lokale. Ku në përputhje me specifikat locale pushteti vendor mund të hartonte politikat e veta. Ishim në rrugën e duhur. Por performanca e qeverisjes së re i ktheu këto përpjekje në ëndrra të lagërta. Dhe do mbeten të tilla për sa kohë qeverisja qëndrore e sheh veten si “shefi” i qeverisjes vendore dhe jo si një nivel tjetër i qeverisjes. Që ka funksione dhe kompetenca të tjera. Që është votuar për të tjera detyra. Është votuar për të formuluar politika kuadër kombëtare dhe jo për të kryer funksionet e njësive të qeverisjes vendore. Askush nuk e ka votuar qeverisjen qëndrore për të mbledhur taksat e pushtetit vendor. Askush nuk e ka votuar qeverinë qëndrore për lejedhënie në fushën ndërtimore. As për të vlerësuar nëse një ndërtim është me leje apo paleje dhe për të vendimarrë nëse duhet prishur apo jo. Askush nuk e ka votuar qeverinë qëndrore për hartuar listat e të pastrehëve apo të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Por ajo është duke i kryer këto detyra vendore duke vënë në diskutim vijimësinë e procesit të decentralizimit.
Kështu, qeverisja e re ka ndërmarrë një nisëm për ndarje territorialo-administrative pa përcaktuar më parë si e shikon të ardhmen e vendosjes së popullsisë nëpër territor dhe të ardhmen e ndarjes së funksioneve midis dy niveleve qeverisëse. Biles duke shkuar në kah të kundërt për këto cështje. Prandaj reforma territoriale nuk premton të produktoj në përfundime të qëndrueshme dhe në shërbim të brezave të sotëm apo të ardhshëm. Ajo pritet të denigrojë në një hartë tjetër dhe me kufinj të rinj por që nuk mbart asnjë gjë të re. Dhe që koha do ta vjetërsoj shumë shpejt.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017