TIRANA, GOJËT E LIGA DHE TRAMPOLINA. Mapo, 11. 05. 2015

Në zgjedhjet e qershorit të para dy vjetësh, të dy, ish Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Kryetari aktual, u mbështetën fort në dashurinë që kishin e kanë për Tiranën. Megjithëse zgjedhje kombëtare ata ligjëruan gjerësisht se sa shumë e donin ‘Tironën e tironsit’. Bile, edhe sa shumë kishin bërë, për të dhe për ta. Po t’i dëgjoje me vëmendje, dhe të ishe në mosnjohje totale të gjëndjes urbane të Tiranës do të imagjinoje dy gjëra. Së pari, se Tirana qënka konvertuar në një nga qytetet më moderne Europiane, dhe së dyti, se gjithcka ishte arritur si investim personal i kryebashkiakëve. Kjo e dyta, i bënte shumë të ngjashëm. Në fakt, të dy kryetarët kanë shumë ngjashmëri. Duke i ngënë pak hakun ish-kryetarit, të dy punën e parë që kanë bërë në Shqipëri ka qënë ministrimi. Kanë qënë ministra. Dhe kanë qënë ministra në Qeverisje Qëndrore të kundërta politikisht me Kryebashkiakët e Tiranës. Dashurinë për Tiranën e shfaqën që në kohën kur ishin ministra. Dhe nuk e shfaqën me fjalë, por me vepra konkrete. I pari, si Ministër Kulture ndërmorri projektin e “Kthim në Identitet” të Ministrive. I dyti, si Ministër i Punëve Publike, projektimin e “Parkut të zonës së banimit” në aeroportin e vjetër të Tiranës apo te gropa e Hajdin Sejdia-s.
Kështu, konkretisht, u shpreh dashuria e kryebashkiakëve për Tiranën urbane. Gjë e mirë, vecanërisht po të kujtojmë se pamja e Ministrive u ndryshua rrënjësisht. Por gojët e liga thonë se të dyja rastet ishin një shkelje e qartë dhe arrogante e kompetencave të qeverisjes vendore. Një goditje e rëndë e procesit të decentralizimit, proces i cili ishte jetik për një Shqipëri në demokratizim e sipër dhe që ngelet pezull akoma edhe sot. Gojët e këqia shkojnë edhe më tej. Ato thonë se, Tirana mund të përfitonte nga të dyja projektet njësoj edhe nëse do ishin ndjekur procedurat ligjore, por jo kryebashkiakët ishministra. Të dy ministrat konkuruan për kryebashkiak, kush më shumë e kush më pak, të dimensionuar larg partive që i kandidonin. Të dy prezantuan se ishin shumë trendi dhe vinin nga eksperienca jetësore Europiane. Dhe të dy premtonin se, do ta kthenin Tiranën në një qytet Europian, sikurse ai nga ku vinin, megjithëse ishte katandisur një katraurë urbane. I pari, identifikonte ‘kjoskëzimin’ duke nënkuptuar kjoskat e shpërndara gjithkund në territor, ndërsa i dyti ‘betonizimin’, duke treguar me gisht pallatet e shumta, të larta dhe të ngjeshura. Të dy si një premtim të parë në fushatë, thanë se do hartonin Planin Rregullues të Tiranës.
Premtuan, Planin Rregullues si shkop magjik që do “sillte lumturinë urbane”. Jo bëj shaka. Këtë nuk e thanë. Sidoqoftë, i pari, pas shumë përpjekjesh dhe shumë parash publike të investuara, pas 11 vjetësh deklaroi se e bëri, por Qeverisja Qëndrore, tashmë e kundërt politikisht me të, ja bllokoi. Po kështu edhe i dyti. Fiks një vit pasi u bë Kryebashkiak deklaroi se e përmbushi premtimin, por, edhe atij i bllokuan lejedhënien ! Mirëpo, gojët e liga thonë se të parit ja financoi Banka Botërore dhe Qeverisja Qendrore, kurse i dyti nxitoi të mbante premtimin në dimensionin kohor, aq sa produktin e përftuar vetëm titulli e lidh me planifikimin. Gojët e liga, që nuk rrinë dot pa folur, thonë gjithashtu se pastrimi i Tiranës nga kioskat u bë se ashtu e kërkoi industria e ndërtimit. Kjo e fundit, ndërsa ndërtonte qindra pallate në Tiranë me leje të paguara shtrenjt, i interesonte të prisheshin këto kioska. Kështu, pronarët e tyre, që kishin vite që grumbullonin para, do të blinin dyqanet e kateve të para të pallateve të reja. Kurse për betonizimin, thonë se, tashmë klientela ka ndryshuar sportelin. Të dy kryetarët kanë ngjashmëri edhe për madhështinë e tyre. Të dy ndërmarrin vetëm projekte të mëdha. Nga ato që të lënë pa mend në kokë. Të stilit Dubai-an.
I pari, modernizoi pallatet e Tiranës qëndrore. I leu shumë ngjyrëshe. Ndërsa i dyti, po projekton vazhdimin e bulevardit. Po ndërton një Tiranë të Re. Ka marrë një studio të madhe e të huaj. Edhe ky, si Kryetari i vjetër ka besim vetëm te studiot e mëdha dhe të huaja. Por, gojët e liga kanë folur edhe për këtë. Dhe e dini c’kanë thënë? Se, i pari shfreu deliret e tij personale kur i bëri pis fasadat. Ndërsa i dyti, po hap një gropë të madhe për paratë publike dhe private që do të investohen në këtë zhvillim të ri. Ndërkohë, pronat në lagjet egzistuese do të shkretohen nga mungesa e investimeve të devijuara gjetkë. Po gojët e liga thonë edhe një gjë tjetër. Thonë se të dy kryetarët e përdorën Tiranën si trampolinë. Nga ministra në kryetarë të partive që u dhanë pushtet. Duke shpallur, nga kolltuku i Kryebashkiakut, se lulëzimin që i kanë sjellë Tiranës do t’a shpërndajnë në gjithë Shqipërinë, sapo të bëhen Kryeministra. Njëri ja doli dhe po e bën ëndrën realitet. Po shkon edhe më tej. Të paktën gojët e liga thonë kështu. Po synon ta kthej Tiranën në trampolinë shumë përdorimshe duke kandiduar parrullën e vet njerëzore për kryebashkiak të Tiranës. Me sigurinë se Tirana altruiste, sikurse vetëm ajo mund të jetë, do ja katapultoj pas pak vitesh si Kryeministër.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017