TË VETMUAR NË BETEJË! Mapo, 19. 05. 2015

Sipas kornizës ligjore gara për njësitë e pushtetit vendor ende nuk ka filluar. Megjithatë kandidatët nuk kanë ndejtur duarkryq në pritje që një “tekë e pavlerë ligjore” t’u hapi rrugën drejt kryekarriges vendore. Ata kanë nisur tashmë betejën edhe në Tiranë, sikurse kudo nëpër Shqipëri. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në një artikulim të Kryetares, i paralajmëroi partitë garuese se nëse vazhdonin eventet “programshpalosëse” do të gjobiteshin rëndë. Mirëpo, që nga deklarata kuptova se fushata do të vazhdonte pa kokëcarje të mëtejshme. Jo se besoj në teoritë konspirative, sipas të cilave askush nuk mund të dali kundër partive rotacionuese në pushtet, porse ishte shumë e qartë, që në teks. Kryetarja nuk po urdhëronte, sikurse një deklaratë e tillë kërkonte. Ajo po justifikonte daljen e saj publike, duke lexuar dispozitat ligjore sipas të cilave ky veprim penalizohej dhe duke theksuar pjesën ku nenet përcaktonin masën në para’ të penalizimit. Kjo ishte pse-ja që ma qartësonte skemën. Tashmë të gjithë e dimë që asnjë gjobë nuk është administruar dhe këtu nuk ka asgjë për të bërë përshtypje. Nëse ka dicka për tu cuditur, por fare pak, është deklarata e disa mediave se nuk do e transmetonin fushatën deri ditën kur ajo duhet të hapej ligjërisht, ndërsa bënë ekzaktësisht të kundërtën. Të cudit sepse, ndryshe nga KQZ, ata e kishin vet në dorë. Në vend që të shpallnin, mjafton të vepronin. Sidoqoftë, kjo cështje e ka kaluar tashmë pragun e opinionit për të hyrë në hapsirën e kontrolluar nga ligji. Hapsirë e cila nuk ka nevojë për interpretime e analiza.
Sikurse shfaq domosdoshmëri interpretimi, cështja e vetmisë së garuesve në shfaqet publike të fushatës. Përgjigjja e pyetjes se, pse kandidatët janë kaq të vetmuar në takimet me votuesit potencial. Dhe kur them këtë, nuk e kam fjalën për akuzat e ndërsjellta se z. Kosova nuk po e shoqëron z. Basha apo se z. Veliaj e ka abandonuar partia. As për strukturat e gjysmëstrukturat lokale të partive (votuesit e përhershëm), që duhet thënë se janë të pranishme në të gjitha takimet. E kam fjalën, që në fakt është një shqetësim i madh, për antarët e ardhshëm të këshilltarët bashkiak. Sot ata janë kandidatë, porse ndryshe nga kandidatët për kryebashkiak, që sot mund të thuhet (me një marzh të vogël gabimi), se sa dhe kush prej tyre do na përfaqësojë në ‘parlamentin e qytetit’. Ku janë ata? Pse nuk po mbështesin diskursin premtues të kandidatëve për kryebashkiak? Kështu duhet të ndodhte. Grupi i politikanëve në këshill duhet të mbështeste nga qasje e qëndrime politike premtimet konkrete për strategji, plane, projekte dhe programe që kandidati i secilit kah parashtron si zgjidhje për problemet dhe disekuilibrat e qytetit. Kështu duhet të ishte! Sepse është parlamenti i qytetit që përcakton politikat bazike. Përcakton mënyrën e rritjes fizike dhe ekonomike të qytetit, përcakton mënyrën e shpërndarjes së aktiviteteve dhe banorëve në territor, përcakton zonat prioritare për zhvillim dhe prioritizon investimet publike në infrastrukture. Është Këshilli Bashkiak që përcakton familjet në nevojë që mbështeten ekonomikisht apo grupet prioritare për strehim social.
Përcakton këto dhe shumë të tjera, përderisa miraton cdo dhjetë vjet Politikat dhe Planin e Përgjithshëm Vendor të Territorit, cdo tre vjet Projekt Buxhetin Afatmesëm dhe cdo vit Projekt Buxhetin Vjetor. Në këtë kuptim, kandidatët për këshilltarë duhet të ishin ajka e ekspertizës tematike të qytetit. Ekonomistët, juristët dhe urbanistët më të mirë që partitë mund të përfshinin. Të paktën ky duhet të ishte synimi teorik. Por nuk është, sepse në realitet ata nuk janë përzgjedhur për cfarë mund ti ofrojnë politikave të ardhshme të qytetit, porse sa vota mund të sigurojnë ditën e zgjedhjeve. Apo akoma më keq, janë shpërblyer për kontributin që kanë dhënë deri më sot për partinë apo për kryetarin e saj. Për të mos folur për lidhjet nepotike e klienteliste që i kanë katapultuar nga asgjëja në poste politike lokale duke anashkaluar edhe skemën ‘shpërblimit për kontributin e dhënë apo të premtuar’. Kjo është trupa, realisht, e përzgjedhur. Dhe një trupë e tillë vështirë se ka cfarë të thotë. Edhe nëse për ironi të fatit dikush të ketë njohuritë profesionale, është e paimagjinueshme që ata të flasin paleje. Më emblematike është situata për nënkryetarët e ardhshëm të bashkisë apo kabinetin e kryebashkiakut. Ata na bëhen suprizë pasi është shpallur fituesi dhe votuesit e kanë marrë vendimin, megjithëse detyrat e tyre janë kritike për mbarëvajtjen e punëve të përditshme të qytetit. Prandaj edhe kryebashkiakët potencial janë të vetëm në këtë garë dhe gjithë fushata është e orientuar nga monologje apo dialogje të parapërgatitura nga regjizorët e partive.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017