ANEKDODA E DHIMBSHME E STREHIMIT SOCIAL. Mapo, 22.08.2014

Në harkun kohor qershor 1872 deri në shkurt 1873 në gazetën gjermane Volksstaat, sociologu dhe filozofi marksist Frederik Engëls, do të botonte një set artikujsh me temë ‘Cështja e Strehimit’. Ideja kryesore e Engelsit në këto shkrimeve ishte se politika e revolucionit klasor të ploretariatit nuk mund të zëvendësohet nga politika të reformave. Dhe në këtë konteks, autori e shikonte zgjidhjen e cështjes së strehimit vetëm nga ‘duar’ e shtetit. Sipas të cilës, shteti dhe sektori public duhet të kishte monopol të plotë mbi ndërtimin e banesave, të cilat më tej i shpërndante sipas nevojave. Mirëpo Engësi nuk llogariste një variabël shumë të rëndësishme në këtë ekuacion. A do mundte një shtet me burime shumë të kufizuara të përmbushte gjithë nevojat e familjeve për banesa? Nëse jo, cfarë ndodhte? Do përzgjidheshin “fatlumët” përfitues? Po mbi cfarë kritetesh? Dhe mbi të gjitha, cfarë ndodhte e ata që nuk përzgjidheshin?
Me ndihmën e Zotit, në kohën kur z. Engëls i shfaqi këto ide, popujt europianë nuk do ta merrnin shumë seriozisht. Jemi duke folur për kohën e ekspansionit të revolucionit industrial dhe teoria e ‘mos ndërhyrjes ‘në ekonomi (laisser-faire), sipas të cilës pasuria publike shpërndahet më mirë duke lejuar mekanizmat e tregut që të veprojnë pa asnjë kufizim, eklisoi cdo ideologji tjetër. Mirëpo, duket se nuk do të vazhdonte gjatë kështu. Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa Qëndrore dhe Lindore do t’i bashkëngjitej Rusisë staliniste. Përfshirë Shqipërinë e vogël të Ballkanit, e cila si ai nxënësi që ia kalon edhe mësuesit, monopolizoi cdo element të prodhimit. Dhe në mënyrë specifike ndërtimin dhe shpërndarjen e banesave. Kështu që, 170 vjet më vonë, idetë e Engëlsit mbi cështjet sociale dhe të strehimit, gjetën aplikim të plotë. Produkti i kësaj politike njihet nga të gjithë shqiptarët që e jetuan atë kohë të mbrapshtë.
Familje të tëra disa kurorëshe që jeton nën të njëjtën cati. Familje të sapo krijuara që ju duhej të ndanin guzhinën dhe banjën me familje të tjera që as i kishin takuar ndonjëherë më parë. Për të mos folur, për nivelin e lartë të korrupsionin në procesin e përzgjedhjes së familjeve për t’u strehuar. Preferencat e sistemit ishin të deklaruara. Për së pari shokët me përgjegjësi dhe pushtet. Punonjësit e aparateve të partisë apo ekzekutiv, drejtorët e ndërmarrjeve apo institucioneve të tjera. Ata që i kishin vet “gjërat” në dorë. Në vazhdim familjet e heronjve apo dëshmorëve. Familjet e atyre që ‘ndërtuan themelet’ e atij sistemi. Më tej komunistët, ata që e ‘ruanin dhe e mbanin’ këtë sistem në këmbë. Për të mos harruar miqtë dhe shokët, shumë të rëndësishëm për karrierën e burokratëve nepotikë. Dhe së fundi rrushfet-xhinjtë, ata që dinin të “vajisnin”. Shqipëria e 2014 duket se nuk ka ikur larg. Në cështjen e strehimit të familjeve në nevojë për ndihmën e shtetit, gjërat funksionojnë njësoj. Këshilltarët bashkiak, të majtë e të djathtë që për cështjë të zhvillimit të qytetit debatojnë e bllokojnë pafund, e gjejnë shumë mirë fjalën për të përcaktuar listën e familjeve përfituese. Dikush vendos një ‘shok’ apo ‘zotëri’ të rëndësishëm të partisë, dikush vendos vëllain e gruas së tij, dhe, dikush tjetër një gazetar që do ti mbështesi në zgjedhjet e radhës. Ka, biles, nga ata të pacipët fare që vendosin veten e tyre. Kurse për familjet vërtet në nevojë nuk kujtohet njëri. Për nënat e fëmijëve jetim, baballarët e të cilëve janë shuar në punë të vështira. Për familjet e policëve të vrarë në krye të detyrës. Për të përndjekurit politik. Për individët me aftësi të kufizuara. Për këta, dhe të tjerë si këta, nuk mendon askush. Dhe është normale, vota e tyre nëse nuk vjen falas në mirëbesim, kushton vetëm 5 mijë lek.
Mirëpo qytetarët nuk janë vota, o njerëz të pushtetshëm. Ata janë qënie me dinjitet. Kështu që, mos u tallni me premtimin për të ndërtuar 150 apartamente, në Fier, Lushnje, Berat e Librazh, për 26 mijë të pastrehë. Sepse, edhe nëse ato para nuk do treten nëpër labirinthet e tenderave, ato apartamente nuk plotësojnë as 0.5 % të nevojave. Mos u tallni me premtimin se do t’ja blini ndërtuesve dhe do t’ja shisni familjeve në nevojë. Sepse as Engëlsi nuk do ju’a pranonte këtë logjikë ekonomike. Por ndërmerrni politika që tregu i lirë i banesave të bëhet më gjerësisht i arritshëm për familjet. Ndërmerrni politika për uljen e kostove burokratike e korruptive të ndërtimit të banesave. Ndërmerrni politika për punësim në shkallë të gjerë dhe rritjes së aftësisë paguese të familjeve. Ndërmerrni politika që ato banesat e braktisura nga familje që imigruan në Tiranë dhe në qytetet e tjera të mëdha, të mos mbeten për shumë kohë të tilla.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017