NË GJUETI TË KRYEBASHKIAKUT- KONFORMIST APO FRAKTAR? Mapo, 09. 04. 2015

Nëse kemi ardhur në këtë pikë të këtij rrugëtimi në gjueti të një Kryebashkiaku për Tiranën, do të thotë se kemi pranuar nevojën e përcaktimit të tij në dy karakteristika të rëndësishme. Sipas të cilave, Kryebashkiaku i Tiranës duhet të jetë politikan dhe bindjet e tij politike duhet ti përkasin spektrit të djathtë. Arsyetimet dhe pretendimet në dy shkrimet e mëparshme të këtij triptiku tentojnë ta përligjin një përzgjedhje të tillë. Mirëpo, nevoja për të ditur më shumë na drejton për më tepër kërkim. Kështu që, e nisim nga më e thjeshta dhe më racionalja. A duhet të rikandidojë Kryebashkiaku aktual për një mandat të dytë¬? Duhet thënë se, z. Basha i plotëson të dyja karakteristikat e pranuara. Ai është një politikan dhe pjesë e një partie të dimensionuar djathtas. Po ti shtojmë këtij fakti se z. Basha është gjithashtu Kryetari i kësaj partie, e bën kandidaturën perfekte në perceptimin e përgjithshëm publik. Ka, gjithashtu, edhe një argument tjetër. Një nevojë të brendshme të partisë Demokratike që z. Basha të testohet politikisht. Pas humbjes së zgjedhjeve kombëtare të vitit 2013, kjo parti ju nënshtrua garës për zgjedhjen e Kryetarit të saj, ku z. Basha u trajtua si i paprekur nga “sëmundjet” e rënda të pushtetarëve demokrat. Ndërsa, gjithcka e keqe e qeverisjes tetë vjecare ju vesh kandidatit kundështar, z. Olldashi, që dukej sikur përfaqësonte Këshillin e Ministrave (përvec Kryeministrit) në atë garë të brendshme partie.
Mirëpo, fakti na dëshmon se z. Basha ishte pjesë e rëndësishme e asaj qeverisje tetë vjecare dhe vazhdon edhe sot të qeverisi në njësinë më të madhe të qeverisjes vendore. Një garim elektoral i tij në mënyrë të drejtpërdrejt mund të na tregonte, ndër të tjera, edhe vlerësimin e elektoratit për punën e tij 10 vjecare në qeverisje qëndrore e lokale. Z. Basha e ka bërë tashmë zgjedhjen e vet dhe arsyetimi se, konteksi politik i vendit e kërkon atë të pozicionohet si Kryeministri në hije, e legjitimon plotësisht këtë zgjedhje të tij. Kështu që, na duhet ta përjashtojmë z. Basha nga analiza, për këtë arsye por edhe për një tjetër. Për arsyen e thjeshtë se ne nuk jemi kërkuar një emër të përvetshëm, por jemi duke ndërtuar një model të një Kryebashkiaku që i nevojitet Tiranës. Më tej, secili nga ne, në mënyrë të pavarur, mund ti vëri nga një emër profilit maket të ndërtuar së bashku. C’ka na drejton në një pyetje tjetër. A mund ta përfaqësoj të djathtën politike një nga konformistët e z. Basha, në këtë garë? Kur z. Basha u lancua në partinë Demokratike, dhjetë vjetë më parë nëpërmjet KOP-it, ai u rrethua nga një sërë të ngjashmish që, në shumicë, e pranuan autoritetin e tij si udhëheqës. Të tjerë ju bashkuan këtij grupi përgjatë karrierës së shpejtë të tij. Secili nga ata mund të ketë parapëlqimin e z. Basha por vështirë të ketë mbështetjen masive, të domosdoshme në kufijtë alarmantë, të qytetarëve të Tiranës.
I kuptoj arsyet e tyre sepse janë dhe të mijat. Askush në Tiranë nuk mund të pranonte një zv-Kryebashkiak në krye të ndërhyrjeve të pafundme për të cilat ky qytet ka nevojë të dëshpëruar për tu ndërrmarrë. Tirana është vërtet në një mjerim të thellë urban, nga i cili mund të dali vetëm nga vendimarrje të guxishme të individëve që dinë të marrin përgjegjësi. Të individëve që nuk fshihen pas partisë që i ka kandiduar kur gjenden në vështirësi. Të individëve që dështimet nuk i justifikojnë me argumentin e bllokimeve të qeverisë qëndrore. Të individëve që dinë të përplasen me qeverisjen qëndrore kur e mira e qytetit e kërkon. Të individëve që në fillim të garës vijnë me një portofol arritjesh e dështimesh në punë të tjera që i janë besuar politikisht. Të individëve që e kanë të njohur gjëndjen e qytetit, të qartë modelin në të cilin duhet ta shndërojnë dhe të skicuar rrugëtimin që duhet të ndjekin për te ky model. Të individëve që dinë të ndërtojnë stafe profesioniste dhe jo struktura me delegatë partiakë. Të individë që dinë të delegojnë pushtet, por edhe të kërkojnë produkte konkrete të këtij pushteti të deleguar. Dhe nëse i bënim një sintenzë të gjitha këtyre karakteristikave, ajo që na dilte si përfundim minimalist është se jemi në gjueti të një renegati brenda partisë. Të një anëtari të rëndësishëm të PD që ka integritetin personal dhe di ti thotë ‘JO’ kërkesave populiste dhe klienteliste të autoritetit hirearkik të partisë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017