NJË SHANS QË OPOZITA NUK DUHET TA HUMBI PËR REFORMËN TERRITORIALE. Mapo, 13. 07. 2015

Zgjedhjet vendore u mbyllën. Ato u kryen mbi hartën e re administrativo-territoriale, dhe këtu nuk ka asgjë për tu cuditur. Opozita pranoi të futej në një garë lokale ku gjërat që diheshin ishin vetëm dy. Numri i banorëve dhe sipërfaqja e territorit të njësisë administrative. Porse, as atherë ku gara nisi, dhe as sot kur gara ka përfunduar, nuk dihet se mbi cfarë ‘funksionesh të veta’, ‘funksionesh të përbashkëta’ dhe ‘funksionesh të deleguara’ do ushtrojnë pushtetin që fituesit i është deleguar nga zgjedhësit. Duket si lojë fjalësh, por ky është realiteti postzgjedhor. Mjafton ky fakt për të vlerësuar nivelin e demokracisë në vend dhe përgjeshmërinë e elitës politike ndaj votuesit. Ndoshta sot nuk e kuptojmë, sepse jemi brenda ngjarjes, por pas disa vitesh edhe ne vet do e kemi të vështirë të besojmë cfarë ka ndodhur. Ne, në vitin 2015 kemi kryer zgjedhje vendore për të përcaktuar kush do jetë ushtruesi i pushtetit, por pa ditur kush është pushteti që do ushtrohet! Vetëm me një hartë me ngjyra të ndryshme që përcakton, në një saktësi të pranueshme, kush do jetë kufiri gjeografik i secilës njësi qëverisëse! Hartë, që ishte një nga dy faktorët e humbjes së opozitës në këto zgjedhje. Duke mos harruar faktin se një pjesë e verdiktit qytetar u deformua pamoralisht, faktori tjetër ishte opozitarizmi i dobët në dy vite dhe vecanërisht përgjatë fushatës zgjedhore. Ishte kështu për pothuajse cdo cështje, por qasja ndaj reformës territoriale ishte shembulli më evident që opozita zyrtare nuk ishte në nivelin që ‘populli potencialisht opozitar’ meritonte.
Sepse, ‘populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare kur kjo refuzoi marrveshjen për reformën territoriale, me arsyetimin se sapo ishte shkelur një marrveshje e vjetër. Por nuk u ndjeh mirë kur opozita e harroi aq shpejt preteksin e marrveshjes së thyer për administratën publike. ‘Populli potencialisht opozitar’ e mbështeti opozitën zyrtare në tezën e saj se, një hartë kufinjsh e pashoqëruar nga një ligj për organizimin dhe funksionimin e qeverisëse vendore, nuk mund të konsiderohej reformë territoriale. Por nuk u ndjeh aspak mirë kur opozita nuk paraqiti një projekt të sajin për decentralizimin e mëtejshëm të funksioneve qeverisëse. Për të ardhur në fushatën lokale, ku ‘populli potencialisht opozitar’ nuk kuptoi, pse opozita zyrtare foli për ulje taksash dhe cmimi energjie elektrike! Apo për stola, parqe, trotuare, kazanë mbetjesh urbane, por nuk e mbrojti politikisht autonominë lokale nga sulmet e drejtpërdrejta të qeverisë kombëtare. A mund të kishte temë më adekuate se demokracia lokale, në konteksin e një fushate për zgjedhje lokale? A mund të mos flitej për listat e përfituesve të ndihmës sociale që hartoheshin më ministri!? A mund të mos flitej për listat e përfituesve nga programet e strehimit që hartoheshin apo miratoheshin në një ministri tjetër!? A mund të mos flitej për bllokimin e lejedhënies ndërtimore!? A mund të mos flitej për sulmin e INUK ndaj ndërtimeve paleje apo me leje të pamoralshme!? Mirëpo, nuk u fol as për këto funksione të grabitura vendore, dhe as për të tjera shkelje me origjinë antikushtetuese, të qeverisjes qëndrore.
Në “luftën” midis hartës të fabrikuar dhe frymëzimit demokratik e decentralizues , fitoi e para. Jo sepse ishte më bindëse, por sepse mungoi i dyti. Ndërsa, nuk mungoi e njëjta qasje centralizuese kryeministrore. Ai thirri në takim të zgjedhurit vendor, për ti komunikuar se pranonte ti “emëronte” në ato poste që populli i kishte votuar. Po! Sepse për mënyrën sesi e kupton Kryeministri qeverisjen me dy nivele, mund edhe të mos i kishte “emëruar”. Shqiptarët duhet t’ja dinë për nder që e bëri, dhe të vlerësojnë që në këtë takim ftoi edhe kandidatët fitues të opozitës. Fakti që këta nuk vajtën në takim nuk e pengoi Kryeministrin të cungonte më tej autonominë lokale duke i marrë edhe policinë bashkiake dhe gjithë funksionet dhe përgjegjësitë ligjore që kjo kryente. Nuk kishte si ta pengonte, përsa arsyetimi i mungesës ishte formal. Ata nuk vajtën sepse ftesa nuk ishte në kohën e duhur e në formën e duhur, duke rrezikuar të humbin një shans të jashtëzakonshëm. Një top që mjafton të preket për tu kthyer në gol. Dhe jo vetëm që opozita të rikthehet fuqishëm në politikë, por c’ka është më e rëndësishmja që reforma territoriale të hy në shinat e përmbylljes gjithëpranuese. Kështu mund të ndodhi, nëse opozita e kthen diskursin e saj nga dimensioni formal në atë përmbajtësor, dhe propozon një paketë të plotë për ndarjen e funksioneve qeverisëse ndërmjet dy niveleve. Një paketë, të cilën pozita do e ketë të pamundur ta refuzojë pa kosto politike, ndërsa do ia ngrejë shumë lartë kuotat opozitës në tregun politik, dhe në përceptimin e ndërkombëtarëve.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017