PESË PYETJE BAZIKE PËR GARUESIT E TIRANËS. Mapo, 23. 04. 2015

Gara për postin e Kryebashkiakut të Tiranës ka filluar. Megjithëse jo me probabilitet të përafërt për fitore, pesë janë garuesit që marrin pjesë në të. Ata janë shpallur, porse fushata elektorale akoma nuk ka filluar formalisht. Them formalisht sepse shfaqja publikisht e emrave të kandidatëve praktikisht ka shkrehur armën e referit për nisjen e saj. Tashmë ne mund të manipulojmë me fjalën mbi një nga dy dimensionet bazike të vlerësimit qytetar. Mbi “moralin” e kandidatëve. Nga vijnë? Cfarë kanë bërë? Sa e besueshme është fjala e tyre? Pyetjeve të tilla do tu japim në debate nga studiot e televizioneve e deri te kafet e lagjeve. Më tej do të bjeri gongu dhe garuesit do të fillojnë të bëjnë premtime. Premtimet do të jenë të ndryshme në teks, porse ato do të vërtiten mbi të njëjtat cështje. Ndotjen e ajrit, pastrimin e qytetit, ndotjen akustike, parkimin, trafikun, hapsirat e publike dhe të gjelbërta, infrastrukturën inxhinierike dhe sociale. Mbi këto tema do dëgjojmë shumëfarësoj cudirash. Shumicën e tyre nuk do e besojmë por kjo nuk do të na zbehi dëshirën për të futur atë letrën e palosur te ajo carja e kutisë plastike të tejdukshme. Këtë kënaqësi nuk do ja mungojmë vetes. Në fakt, për të tilla tematika debatohet edhe në garat lokale në qytetet perëndimore. C’ka të krijon përshtypjen se Tirana urbane ka problematika të njëjta me to. Nëse i heqim dimensionin kohë, edhe mund të jetë e vërtetë.
Sepse Tirana sot ka të njëjtat problematika me qytetet europiane të kohës së revolucionit industrial dhe të lindjes së paradigmës së parë të shkencës së urbanistikës. Të njëjta në shfaqje e përmbajtje, por me dy ndryshime kontekstuale. Mbiurbanizimi i qyteteve, në atë kohë, vinte si përgjigje ndaj nevojës për strehim të imigrantëve të punësuar, dhe, ndërkohë që respektimi i pronësisë private mbi trojet urbane ishte një traditë e konsoliduar. Me pak fjalë, cështjet që duhet të trajtojë administrata e ardhshme e bashkisë janë shumë më komplekse jo vetëm me homologet e sotme perëndimore por edhe me ato të kohës së revolucionit industrial. Ndërsa mjetet që ka në përdorim janë shumë të limituara. Jo vetëm financat publike por edhe mundësitë financiare të familjeve i japin premtimeve të garuesve dhe stafeve të tyre dimensionin romantik të asaj kohe. Sidoqoftë, ne duhet të marrim një vendim për kë do votojmë dhe në këtë kuptim na duhet të gjejmë një mënyrë për ta zvogëluar këtë paqartësi të pritshme të diskursit garues. Nëse i thjeshtojmë gjërat duhet të mjaftohemi me përgjigjet e garuesve për disa pyetje të thjeshta. Në fakt, për ta duhet të jetë shumë e vështirë sepse do ju duhet të dalin nga populizmi i zakonshëm që shoqëron të tilla evente dhe të sjellin cështje që kanë vite që largohen e shtyhen. Biles të mbajnë një qëndrim pro apo kundër punës së mëparshme të dy kryetarëve të partive kryesore.
Shqetësimi i parë ka referencë kushtetuese. Ai ka të bëjë me barazinë e qytetarëve të Tiranës për të zhvilluar pronat e tyre. Pjesa më e madhe e pronave të Tiranës urbane mbeten në pritje për rizhvillim ndërsa kapacitetet mbajtëse për banor të rinj të njësive të banimit pothuajse janë shteruar. Garuesve do t’ju duhet ti japin një përgjigje që e zgjidh këtë problem. Një cështje po kaq e rëndësishme është niveli i papunësisë në qytet. Sepse janë të punësuarit e qytetit që përballojnë investimet publike. Përgjigjja mbi mënyrën e adresimit të një cështje të tillë nuk mund të anashkalohet. E pashmangshme, gjithashtu, është cështja e gjetjes së burimeve dytësore të financimit për investimet infrastrukturore. Jo vetëm sepse do të premtohen gjerësisht, por edhe se janë të domosdoshme në qytet. Për të ardhur te dy cështje aktuale të diskursit politik mbi cështjet urbane të Tiranës. Si do të pozicionohen garuesit përsa i përket ‘Planit Urban’ Basha dhe ‘Bulevardit të Ri’? Duken gjëra të vogla, por këtu bëhet diferenca. A do arrijnë garuesit të shkëpusin pozicionimin ndaj tyre nga rigjiditeti unifikues me partinë që i kandidoi, atë që nuk e bëri apo kundështare? Cdo diskurs tjetër jashtë këtyre cështjeve nuk ka asnjë vlerë përvecse metaforike e poetike. Ne nuk duhet të impresionohemi nëse duam një qytet ndryshe. Qytetin që nuk e kemi pasur sepse na ka pëlqyer “gënjeshtra e bukur” para së “vërtetës së shëmtuar”.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017