Strehim social apo qeverisje imobiliare? Syri.net, 19. 09. 2026
Qeveria ka nxjerrë për konsultim një draftligj të ri për strehimin social. Projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 22/2018 u publikua më 31 korrik dhe konsultimi u mbyll më 28 gusht 2026. Në pamje të parë kemi një reformë sociale që kërkon t'u përgjigjet çmimeve të larta të banesave dhe vështirësisë së familjeve për të siguruar strehim. Por kur drafti lexohet së bashku me Programin Kombëtar të Strehimit të shpallur më 10 shtator, del një histori shumë më e madhe: qeveria nuk po përgatitet vetëm të rregullojë tregun e banesave; po përgatitet të hyjë vetë në të.
Tabloja bëhet
edhe më shqetësuese po ta vendosim këtë reformë pranë tri draftligjeve të tjera
për pronën, që po trajtohen pothuajse njëkohësisht. Të marra së bashku, ato
japin shenja të një rikonfigurimi më të gjerë të marrëdhënies ndërmjet
qeverisjes, pronës, territorit dhe tregut të pasurive të paluajtshme. Por, këtë
lidhje do ta trajtojmë veçmas. Këtu mjafton reforma e strehimit për të ngritur
pyetjen: po ndërtohet një politikë e re sociale, apo po krijohen instrumentet
për ta kthyer qeverisjen në aktore të drejtpërdrejtë të tregut imobiliar?
Nëse ky nuk është
fundi i procesit, deri ku do të shkojë ai? Shqipëria e ka provuar njëherë një
sistem ku pushteti politik nuk mjaftohej të rregullonte pronën, por e
zotëronte, e shpërndante dhe e administronte atë. Prandaj duhet parë jo vetëm
ku ndodhemi sot, por edhe drejtimi i lëvizjes: a po largohet Shqipëria e Ramës
nga logjika e pronës private dhe e tregut, duke iu afruar hap pas hapi një
modeli ku qeverisja grumbullon gjithnjë e më shumë kontroll mbi tokën, pronën,
zhvillimin dhe banesën?
Sepse qeverisja
nuk kërkon më vetëm të propozojë ligje, të planifikojë territorin dhe të
kontrollojë zhvillimin. Ajo kërkon edhe të zhvillojë, të ndërtojë, të shesë, të
realizojë fitim, ta riinvestojë atë, të garantojë kreditë dhe të administrojë
një pjesë gjithnjë e më të madhe të vlerës së krijuar nga zhvillimi urban. Dhe këtë
e quajnë strehim social! Në Shqipërinë e sotme mjafton t'i vendosësh një emër
social një mekanizmi që përqendron më shumë pushtet dhe ai fiton menjëherë
aureolën e bamirësisë.
Problemi i
strehimit është real, sepse çmimet e banesave dhe qiratë janë bërë gjithnjë e
më të papërballueshem, sidomos për të rinjtë dhe familjet me të ardhura të
mesme. Por këtu fillon shmangia kryesore. Qeveria e trajton krizën e
përballueshmërisë sikur zgjidhja të ishte një makineri e re publike ndërtimi
dhe financimi, ndërsa jashtë diskutimit mbetet një nga deformimet më serioze të
tregut shqiptar: hyrja dhe pastrimi i parave të krimit në sektorin e ndërtimit
dhe të pasurive të paluajtshme.
Në një treg ku
banesa blihet për të parkuar e pastruar kapital me origjinë kriminale, çmimi
nuk formohet nga të aftësia reale blerëse e familjeve. Prandaj beteja e parë
për ta bërë strehimin më të përballueshëm duhet të jetë pastrimi i tregut nga
paratë e pista. Të fusësh edhe qeverinë si zhvilluese, pa goditur më parë këtë
deformim, nuk është domosdoshmërisht zgjidhje; mund të jetë vetëm shtimi i një
aktori tjetër në të njëjtën skenë.
Modeli i ri
kombinon strehimin social, strehimin e përballueshëm, tokën publike,
kontributin e sektorit privat, shitjen në treg dhe garancitë publike. Formula e
shpallur është 30% strehim social, 40% strehim i përballueshëm dhe 30% shitje
në treg. Pra kemi një risi të socializmit shqiptar: apartamenti social do të
financohet duke shitur apartamentin komercial.
Në letër duket
elegante. Qeverisja mobilizon tokën publike, zhvillohet projekti, një pjesë
shitet, krijohet fitim, fitimi riinvestohet dhe cikli rifillon. Por në këtë
moment qeverisja nuk është më vetëm rregullatore e tregut; bëhet vetë lojtar në
të. Enti Kombëtar i Banesave synohet të transformohet në kompani publike që hyn
në partneritete, ndërton, realizon fitim dhe e riinveston. Pra kemi një
strukturë që kombinon tokën, kapitalin, të drejtat e zhvillimit, financimin dhe
shitjen për të prodhuar kthim ekonomik.
Këtu lind
konflikti themelor. Kur institucionet e ekzekutivit që kontrollojnë zhvillimin
territorial bëhen pjesë e të njëjtit sistem që ka interes financiar në
zhvillim, rregullatori dhe zhvilluesi fillojnë të kenë të njëjtin interes. Sa
më i madh intensiteti dhe sipërfaqja e shitshme, aq më shumë të ardhura prodhon
sistemi. Atëherë pyetja urbanistike “sa duhet të ndërtohet këtu?” rrezikon të
zëvendësohet nga pyetja: “sa duhet të ndërtohet që projekti të dalë me fitim?”
Edhe
recentralizimi është i qartë. Strehimi social është funksion vendor: bashkia
njeh nevojën, administron territorin dhe përballon kostot e zhvillimit.
Arkitektura e re shkon në drejtim të kundërt: Fond Kombëtar, centralizim të
kontributit 3%, kompani publike kombëtare dhe më shumë kompetenca për
strukturat qendrore. Problemi mbetet lokal, ndërsa pushteti përqendrohet në
qeverisjen qendrore.
Edhe kontributi
3% e tregon këtë zhvendosje. Ai lind nga zhvillimi në një territor konkret dhe
nga vlera që krijojnë toka, plani, intensiteti dhe infrastruktura lokale. Tani
synohet të grumbullohet në nivel kombëtar dhe të rialokohet prej andej. Kjo
quhet “solidaritet”, por solidariteti nuk kërkon domosdoshmërisht centralizim;
mund të ketë ndarje dhe bashkëfinancim pa ia marrë bashkisë kontrollin mbi
vlerën që prodhohet në territorin e saj.
Në fund krijohet
një sistem ku toka publike, miratimi territorial, kompania publike, partneri
privat, shitja në treg dhe riinvestimi lidhen në të njëjtin cikël. Teorikisht,
një mekanizëm i tillë mund të jetë financiarisht efikas; praktikisht, në një
vend me korrupsion galopant, institucione të dobëta kontrolli dhe vendimmarrje
gjithnjë e më të përqendruar, ai mund të shndërrohet në një mekanizëm
jashtëzakonisht të fuqishëm për përqendrimin e pushtetit, privilegjimin e
interesave të lidhura me qeverisjen dhe transferimin e vlerës së pronës publike
drejt përfitimeve private.
Prandaj debati
nuk është nëse duhet strehim social, nëse duhet përdorur prona publike apo nëse
duhet përfshirë sektori privat. Pyetja është pse, për të zgjidhur një problem
social, duhet të ndërtojmë një makineri qeverisëse që përqendron kontrollin mbi
tokën, zhvillimin, financimin, ndërtimin, shitjen dhe riinvestimin, ndërsa
kapitali kriminal që deformon tregun mbetet në periferi të diskutimit.
Sepse këtu nuk
kemi më vetëm politikë sociale. Kemi ekonomi politike të territorit, përqendrim
pushteti dhe një qeverisje që hyn në tregun e pasurive të paluajtshme jo vetëm
si rregullatore, por edhe si aktore ekonomike. Dhe kur ai që vendos rregullat
fillon të ketë interes edhe nga rezultati financiar i lojës, problemi është
vetë loja.
Prandaj pyetja
për qeverinë është e thjeshtë: po përpiqet ta bëjë strehimin më të
përballueshëm, apo po ndërton kompaninë më të madhe imobiliare të Shqipërisë
nën kontrollin e vet?
Comments
Post a Comment