Adam Smith dhe bashkitë që duhet të vdesin! Syri.net, 07. 09. 2026
Çfarë nuk kupton Reforma Rilindase Territoriale 2.0 për qeverisjen dhe tregun
Bashkia nuk është zgjatim lokal i
administratës qendrore, një lloj dege territoriale e Kryeministrisë që pret
udhëzimet nga Tirana dhe i zbaton në territor. Nuk është as ndërmarrje
komunalo-banesash, ekzistenca e së cilës justifikohet vetëm nga aftësia për të
mbledhur plehrat, ndriçuar rrugët apo mirëmbajtur trotuaret. Dhe aq më pak
është ndërmarrje ekonomike, që mat suksesin me eficiencën, ekonominë e shkallës
dhe uljen e kostos për njësi. Bashkia është institucion politik i
vetëqeverisjes së një komuniteti. Ajo ekziston që qytetari të qeverisë çështjet
e veta lokale, të përfaqësohet, të marrë pjesë në vendimmarrje, të kontrollojë
pushtetin dhe t'i kërkojë llogari atij. Prandaj afërsia, përfaqësimi, autonomia
dhe llogaridhënia nuk janë kosto anësore që duhen sakrifikuar në altarin e
eficiencës; janë vetë arsyeja ekzistenciale e qeverisjes vendore.
Por Reforma
Rilindase Territoriale 2.0 po e nis diskutimin nga skaji tjetër. Bashkitë
peshohen, maten dhe krahasohen sikur të ishin ndërmarrje që duhet të arrijnë
një madhësi minimale për të qenë “funksionale”. Dimensioni ekonomik vendoset
mbi atë demokratik dhe ekonomia e shkallës shndërrohet pothuajse në argument
universal. Mirë atëherë. Për një çast le ta lëmë mënjanë demokracinë,
subsidiaritetin, përfaqësimin dhe afërsinë me qytetarin. Le ta pranojmë fushën
e lojës që ka zgjedhur vetë qeveria dhe ta shohim nëse të paktën ekonomikisht
argumenti qëndron. Dhe për ta bërë këtë
do shkojmë te burimi, te mendimi ekonomik i Adam Smith.
Një nga tezat
themelore të Smith-it është se ndarja e punës kufizohet nga shtrirja e tregut.
Sa më i madh tregu, aq më shumë mund të specializohen njerëzit dhe aktivitetet
ekonomike; sa më shumë specializohen, aq më shumë rriten produktiviteti,
shkëmbimi dhe mirëqenia. Por këtu fillon telashi për reformatorët tanë
rilindas: madhësia e tregut nuk është madhësia e bashkisë. Tregu nuk ndalet te
tabela ku shkruhet “Mirë se vini në Bashkinë X”. Ai shtrihet aq sa shtrihen
transporti, lëvizja e njerëzve, mallrave, kapitalit, informacionit dhe
shërbimeve. Një qytet i vogël, i lidhur mirë me qytete të tjera, mund të jetë
pjesë e një tregu shumë më të madh sesa një territor administrativ gjigant, por
ekonomikisht i dobët.
Logjika rilindase
është ndërkohë mahnitëse në thjeshtësinë e saj: një bashki është e vogël dhe
nuk funksionon? Bashkoje me tjetrën. Përsëri nuk funksionon? Bëje edhe më të
madhe. Po ta çojmë konsekuentisht deri në fund këtë arsyetim, reforma perfekte
është fare pranë: një bashki e vetme me emrin Durasanë. Dhe kështu, problemi i
eficiencës vendore merr fund përgjithmonë. Vetëm se Smith na kishte shpjeguar
rreth dy shekuj e gjysmë më parë se madhësia ekonomike e një territori nuk
përcaktohet nga sipërfaqja që ngjyrosim me të njëjtën bojë në hartë, por nga
shtrirja e marrëdhënieve të shkëmbimit që ai arrin të krijojë.
Pikërisht këtu
çalon pretendimi se bashkitë duhet të bashkohen që të bëhen “funksionale”.
Funksionale për çfarë? Për demokracinë lokale, mbledhjen e mbetjeve,
transportin, furnizimin me ujë, planifikimin territorial apo tregun e punës?
Këto funksione nuk kanë të njëjtën shkallë optimizimi. Një komunitet mund të
ketë nevojë për qeverisje pranë qytetarit, ndërsa një impiant mbetjesh mund t'u
shërbejë pesë bashkive; transporti mund të organizohet në shkallë rajonale,
ndërsa tregu i punës mund të përfshijë dhjetëra njësi vendore. Të konkludosh
se, meqë një funksion kërkon shkallë më të madhe, duhet të zhdukësh njësinë
politike më të vogël, është afërsisht si të mendosh se, meqë një aeroport u
shërben dhjetë qyteteve, duhet t'i bashkojmë edhe qytetet.
Në fakt
ekzistojnë të paktën tri gjeografi të ndryshme: gjeografia e demokracisë,
gjeografia e shërbimeve dhe gjeografia e ekonomisë. E para kërkon afërsi,
përfaqësim, pjesëmarrje dhe llogaridhënie; e dyta kërkon shkallën ku secili
shërbim ofrohet me cilësi dhe kosto të arsyeshme; e treta kërkon lidhshmëri,
specializim, komplementaritet dhe treg. Ato mbivendosen, por nuk janë identike.
T'i fusësh të tria brenda të njëjtit kufi bashkiak dhe pastaj të shpallësh se
ke krijuar “bashki funksionale” është pikërisht sëmundja e reformave që
mendojnë se qeverisja rregullohet duke ndryshuar hartën.
Alternativa është
më pak spektakolare në PowerPoint, por shumë më serioze në qeverisje: në vend
që të bashkosh qytetet, lidhi; në vend që të zhdukësh bashkitë, bëji të
bashkëpunojnë. Për funksionet që kërkojnë ekonomi shkalle krijohen struktura
ndërbashkiake; për funksionet që kërkojnë shkallë rajonale ndërtohen
institucione në atë shkallë; ndërsa ekonomia integrohet përmes infrastrukturës,
transportit, tregjeve dhe marrëdhënieve që u lejojnë qyteteve të specializohen
dhe të plotësojnë njëri-tjetrin. Kjo është diferenca thelbësore ndërmjet
zmadhimit administrativ dhe integrimit funksional.
Dhe këtu Smith
bëhet veçanërisht i sikletshëm për Reformën Rilindase. Një sistem me shumë
qendra urbane nuk është domosdoshmërisht një ekonomi e fragmentuar. Nëse
qytetet lidhen, specializohen dhe shkëmbejnë me njëri-tjetrin, ato mund të
formojnë një treg të madh pa u shndërruar në një qytet të vetëm dhe pa u
qeverisur nga një bashki e vetme. Përqendrimi territorial dhe integrimi
ekonomik nuk janë e njëjta gjë. Mund të kemi njëkohësisht decentralizim
politik, bashkëpunim funksional dhe integrim ekonomik.
Sigurisht, kjo
kërkon më shumë punë sesa bashkimi i disa njollave me ngjyra në hartë. Kërkon
ndarje të qartë funksionesh, financim real vendor, subsidiaritet, bashkëpunim
ndërbashkiak dhe infrastruktura që lidhin qytetet. Mbi të gjitha, kërkon
pranimin e një ideje veçanërisht të pakëndshme për çdo pushtet centralizues: jo
çdo problem zgjidhet duke bërë pushtetin më të madh dhe qytetarin më të vogël.
Prandaj pyetja më
e varfër që mund t'i bëjmë Reformës Territoriale 2.0 është: “Sa bashki duhet të
mbeten?” Pyetjet serioze janë se cilat funksione duhet të qëndrojnë pranë
qytetarit, cilat kërkojnë bashkëpunim ndërbashkiak, cilat kërkojnë shkallë
rajonale dhe si lidhen qytetet në një treg të përbashkët duke krijuar
specializim dhe komplementaritet.
Adam Smith na dha
një pjesë të përgjigjes rreth dy shekuj e gjysmë më parë: për të zgjeruar
tregun nuk ke pse të zgjerosh bashkinë; duhet të zgjerosh shkëmbimin. Ky është
lajmi i keq për Reformën Rilindase 2.0. Sepse, kur edhe argumentin e eficiencës
ekonomike e çmonton babai i ekonomisë së tregut të lirë, reformatorëve tanë u
mbetet argumenti që nuk e thonë dot me zë të lartë: sa më pak bashki, aq më pak
vetëqeverisje; sa më pak vetëqeverisje, aq më shumë pushtet te Rama.
Comments
Post a Comment