Ata harruan Madisonin, Amerika jo. Politiko.al, 07. 09. 2026
“If men were angels, no government would be
necessary.”
Kur James Madison shkroi këto fjalë në Federalist
No. 51, në vitin 1788, nuk po formulonte vetëm një nga frazat më të bukura
të filozofisë politike amerikane. Ai po prekte problemin themelor të çdo
qeverisjeje: njerëzit kanë nevojë për qeveri pikërisht sepse nuk janë engjëj,
por qeveritë gjithashtu drejtohen nga njerëzit dhe, për pasojë, as ata që
ushtrojnë pushtetin nuk mund të trajtohen si engjëj.
Prej kësaj premise të thjeshtë, pothuajse të
ftohtë në realizmin e saj, buron një pjesë e madhe e arkitekturës kushtetuese
amerikane. Madison e çonte argumentin më tej: sfida është, së pari, t’i japësh
qeverisë fuqinë për të kontrolluar të qeverisurit dhe, më pas, “oblige it to control itself” (ta
detyrosh të kontrollojë vetveten). Pikërisht këtu qëndron thelbi i Amerikës: jo
vetëm te fuqia e qeverisë, por te fuqia për ta kufizuar atë.
Kushtetuta amerikane nuk u ndërtua mbi
besimin se qeveria do të kishte gjithmonë të drejtë. Përkundrazi, ajo u ngrit
mbi një mosbesim të shëndetshëm ndaj pushtetit të përqendruar dhe mbi pranimin
se çdo autoritet, sado legjitim, mund të gabojë, të teprojë apo të abuzojë.
Prandaj pushteti u nda, u krijuan checks and balances dhe u ngritën
garancitë kushtetuese të individit. Në këtë kuptim, Kushtetuta nuk është vetëm
një instrument që i tregon qytetarit kufijtë e tij përballë shtetit, është para
së gjithash, një instrument që i tregon shtetit kufijtë e tij përballë
qytetarit.
Që në vitin 1803, me vendimin historik Marbury
v. Madison, Gjykata e Lartë amerikane konsolidoi një parim revolucionar për
kohën. Edhe pushteti politik i nënshtrohet kontrollit kushtetues. Kongresi mund
të miratojë ligje, Presidenti mund t’i firmosë dhe qeveria mund të marrë vendime,
por autoriteti që ushtrojnë nuk u jep atyre monopolin mbi të drejtën dhe të
vërtetën. Në fund të fundit, edhe institucionet drejtohen nga njerëz, dhe
njerëzit, siç na kujton Madison, nuk janë engjëj.
Pikërisht këtu historia e Sali Berishës me
Shtetet e Bashkuara fiton një kuptim shumë më interesant sesa kronologjia e një
vendimi të vitit 2021 dhe zhvillimeve të vitit 2026.
Në Shqipëri, atëherë, nuk na u komunikua
thjesht një vendim amerikan. Na u komunikua pakthyeshmëria e tij. Zyrtarë
amerikanë, përfshirë ambasadoren e kohës në Tiranë, folën me një siguri që
linte shumë pak hapësirë për vetë konceptin e rishikimit. U theksua se nga
qindra raste të ngjashme asnjë nuk ishte kthyer mbrapsht, se nuk ishte realiste
të pritej që ndryshimi i administratës amerikane të ndryshonte rezultatin dhe
se institucionet amerikane ishin plotësisht të bindura për vendimmarrjen e
tyre.
Mesazhi politik ishte i qartë: ky vendim
ishte gdhendur në gur!
Dhe pikërisht aty ndodhi paradoksi. Në
përpjekjen për të treguar forcën e një vendimi amerikan, disa përfaqësues të
Amerikës harruan diçka shumë më të thellë dhe më amerikane se vetë vendimi.
Harruan Madisonin.
Sepse problemi nuk është që një qeveri merr
vendime, as që një Sekretar Shteti, një ambasador apo një administratë mund të
gabojë. Etërit Themelues e kishin pranuar gabueshmërinë njerëzore në themel të
sistemit që po ndërtonin. Problemi fillon kur pushteti harron se mund të gabojë
dhe kur një vendim administrativ paraqitet jo si produkt i institucioneve të
një kohe të caktuar, por si një e vërtetë mbi kohën, rishikimin dhe vetë
mundësinë e korrigjimit.
Në një republikë të ndërtuar mbi kufizimin e
pushtetit, kjo është një ide e çuditshme. Në Amerikë mund të kontrollohet
Presidenti, të sfidohet Kongresi, të rrëzohet një akt i pushtetit dhe të
ndryshojë një politikë shtetërore. Atëherë përse duhej konsideruar i përjetshëm
një vendim i një qeverie?
Koha dha përgjigjen e saj.
Sot Sali Berisha ndodhet në Shtetet e
Bashkuara, hyn në territorin amerikan, takohet dhe zhvillon aktivitet politik
atje. Situata që iu paraqit shqiptarëve si praktikisht e pakthyeshme nuk është
më ajo e vitit 2021. Dhe këtu qëndron lajmi i madh, përtej entuziazmit politik
të një pale apo zhgënjimit të tjetrës.
Nuk është historia e një shqiptari që mundi
Amerikën. Amerika nuk u mund. Përkundrazi, Amerika fitoi.
Fitoi Amerika e Madisonit mbi idenë e
pagabueshmërisë së pushtetit. Fitoi sistemi që është mjaftueshëm i fuqishëm për
të mos u bërë rob i vendimeve të veta dhe një kulturë politike që nuk e sheh
korrigjimin si poshtërim të autoritetit, por si shenjë të pjekurisë së tij. Një
shtet mund të jetë shumë i fuqishëm dhe megjithatë i brishtë; një demokraci
bëhet vërtet e fortë kur nuk ka nevojë të pretendojë se çdo vendim i saj është
i përjetshëm.
Edhe Sali Berisha ka kontributin e vet në
këtë histori. Për pesë vjet ai refuzoi ta trajtonte një vendim të qeverisë
amerikane si verdikt të historisë. E kundërshtoi publikisht, politikisht dhe
institucionalisht, edhe kur i thuhej se çështja ishte e mbyllur. Në këtë kuptim,
këmbëngulja e tij kërkonte nga sistemi amerikan pikërisht atë që Madison
kërkonte nga qeveria: aftësinë për të kontrolluar vetveten.
Prandaj do të ishte shumë pak ta lexonim
vizitën e sotme të Berishës në SHBA vetëm si triumf personal. Ka një fitues më
të madh: demokracia amerikane.
Regjimet autoritare e kanë tmerr korrigjimin,
sepse ndërtohen mbi mitin e pagabueshmërisë. Udhëheqësi nuk gabon, qeveria nuk
gabon, institucioni nuk gabon dhe, për pasojë, vendimi nuk ndryshon. Demokracia
funksionon mbi një logjikë tjeter, ajo mund të rishikojë vetveten, të ndryshojë
pa u shembur dhe të korrigjojë pa humbur legjitimitetin. Kjo nuk e zvogëlon
shtetin. Përkundrazi, e madhështon.
Në Tiranë, pesë vjet më parë, disa na
prezantuan një Amerikë të vendimeve të pakthyeshme. Por përtej Atlantikut
vazhdonte të ekzistonte Amerika tjetër: ajo e Kushtetutës, e kufizimit të
pushtetit, e checks and balances, e rishikimit dhe e vetëkorrigjimit.
Amerika e Madisonit.
Sepse njerëzit nuk janë engjëj. As qytetarët,
as politikanët, as ambasadorët, as Sekretarët e Shtetit dhe as Presidentët.
Etërit Themelues e dinin këtë shumë mirë. Prandaj nuk ndërtuan një Republikë që
kërkon prej qytetarit të besojë se qeveria nuk gabon; ndërtuan një Republikë
që, pikërisht sepse qeveria mund të gabojë, duhet të jetë gjithmonë e aftë të
kontrollojë, të rishikojë dhe të korrigjojë vetveten.
Disa e harruan këtë për një moment.
Amerika jo.
Comments
Post a Comment