Një hall, një nder, një vote! Syri. net, 09. 09. 2026
Susan Stokes, një nga studiueset më të njohura të klientelizmit politik, ka analizuar mënyrën se si marrëdhënia demokratike ndërmjet qytetarit dhe politikës mund të zëvendësohet dalëngadalë nga një marrëdhënie shkëmbimi personal. Në librin Brokers, Voters, and Clientelism: The Puzzle of Distributive Politics, të shkruar me bashkëautorë, ajo studion pikërisht rolin e ndërmjetësve politikë që njohin qytetarët, nevojat e tyre dhe problemet konkrete mbi të cilat mund të ndërtohet mbështetja politike.
Në Shqipëri nuk kemi pse ta kërkojmë gjatë figurën e brokerit.
Ne e kemi. Quhet patronazhist. Ai nuk hyn te qytetari përmes debatit mbi
shtetin, taksat, pronën apo ekonominë. Hyn përmes jetës së tij të përditshme.
Di kush kërkon punë, kush pret legalizimin, kush ka problem me pensionin, kush
ka ngecur në kadastër dhe kush endet prej muajsh pas një dere të administratës.
Këtu fillon ndryshimi i madh.
Politika nuk e pyet më qytetarin “Çfarë shoqërie dëshiron?”. E pyet “Çfarë
halli ke?” E para të fton të mendosh, të krahasosh dhe të zgjedhësh ndërmjet
ideve. E dyta të lidh me dikë që premton se mund të të zgjidhë problemin. E
para ndërton qytetarin. E dyta ndërton klientin.
Klientelizmi shqiptar ka edhe
përmasa të ndryshme. Poshtë është klientelizmi i thërrimeve, ku qarkullojnë
vende pune, pensione, legalizime, dokumente dhe shërbime administrative. Lart
është klientelizmi i banketit, ku përfitimet janë të një shkalle tjetër
ekonomike. Por ky shkrim merret me thërrimet. Sepse aty patronazhimi hyn në
jetën e qytetarit të zakonshëm dhe, bashkë me hallin, fillon t’i formësojë edhe
mënyrën si ai kupton politikën.
Pas trembëdhjetë vitesh
patronazhimi, deputetët socialistë dërgohen në territor për të dëgjuar hallet.
Qytetari paraqet problemin. Deputeti e merr. Strukturat politike e referojnë.
Administrata e ndjek. Në fund mund të vijë edhe zgjidhja. Dhe kur vjen, qytetari
largohet me një bindje krejt njerëzore. “Ma zgjidhën hallin.”
Por aty ku qytetari sheh
zgjidhjen, politika ka kryer një shndërrim shumë më të thellë. Pensioni që të
takon nuk është dhuratë. Dokumenti që administrata duhet të lëshojë nuk është
nder. Legalizimi që duhet të shqyrtohet sipas ligjit nuk ka pse të kërkojë
ndërmjetës politik. Qytetari nuk ka nevojë për dikë që t’i hapë derën e
shtetit. Ka nevojë që dera të jetë e hapur sepse kështu e kërkon ligji.
Kjo është arsyeja pse
ndërmjetësimi politik është kaq i vlefshëm për pushtetin. E drejta nuk ka
fytyrë. Favori ka. Qytetari mund të mos kujtojë institucionin që kishte
detyrimin t’i jepte shërbimin, por kujton patronazhistin që e dëgjoi, deputetin
që telefonoi dhe partinë që “u interesua”. E drejta bëhet nder. Nderi bëhet
mirënjohje. Dhe mirënjohja mund të bëhet votë.
Për vite është ndërtuar pikërisht kjo infrastrukturë
ndërmjetësimi. Patronazhisti, strukturat e partisë, Bashkëqeverisja,
PasqyrAlbania, “Prania Besnike” dhe deputeti në territor vendosen në hapësirën
që duhej të lidhte drejtpërdrejt qytetarin me administratën. Paradoksi është
pothuajse absurd. Sa më shumë ndërmjetës politikë duhen që shteti të
funksionojë, aq më pak shtet ka. Por sa më shumë ndërmjetësim politik ka, aq më
shumë meritë mund të marrë pushteti për funksionimin e tij.
Dëmi, megjithatë, nuk mbetet
brenda administratës. Ai kalon te vetë politika. Partitë nuk ekzistojnë për të
konkurruar se kush zgjidh më shumë dosje personale. Për këtë ekziston
administrata publike. Partitë ekzistojnë sepse përfaqësojnë ide të ndryshme për
shoqërinë. Ideologjia nuk është dekor i politikës. Është arsyeja pse pluralizmi
ka kuptim.
E majta dhe e djathta duhet të
dallohen nga përgjigjet që japin për pyetjet themelore. Sa shtet dhe sa
individ? Sa centralizim dhe sa vetëqeverisje? Si mbrohet prona? Si tatohet puna
dhe kapitali? Si krijohet pasuria dhe si shpërndahet ajo? Gara demokratike
duhet të zhvillohet në diagnozën e problemit dhe në arkitekturën e zgjidhjes,
jo në numrin e patronazhistëve dhe telefonatave që hapin dyert e administratës.
Klientelizmi zhvendos pikërisht
këtë garë. Një program ekonomik kërkon gjykim. Një reformë institucionale
kërkon të mendosh për pasojat. Një ideologji kërkon të krahasosh mënyra të
ndryshme për të organizuar shoqërinë. Ndërsa pensioni i zhbllokuar, vendi i
punës apo legalizimi janë të menjëhershme, të prekshme dhe personale. Programi
kërkon gjykim. Halli prodhon mirënjohje.
Pas shumë vitesh, kjo logjikë
ndryshon edhe mënyrën si matet puna politike. Dëgjon lehtësisht frazën “Rama
punon, deputetët e tij janë në terren. Po opozita çfarë bën?” Por çfarë duhet
të bëjë opozita? Të japë pensione? Të legalizojë shtëpi? Të punësojë njerëz? Të
telefonojë drejtorë? Nëse ky bëhet standardi i politikës, konkurrenca
demokratike është deformuar që në nisje. Partia që kontrollon administratën hyn
në zgjedhje me shtetin në xhep.
Kështu ndryshon, pothuajse pa u
ndier, edhe pyetja me të cilën qytetari shkon drejt kutisë së votimit. Nuk pyet
më se cila parti e kupton më mirë problemin dhe propozon sistemin më të mirë që
ai të mos përsëritet. Pyet “Kush ma zgjidhi hallin?” Në atë çast klientelizmi
ka fituar diçka shumë më të madhe se një votë. Ka ndryshuar vetë mënyrën se si
politika gjykohet.
Dhe aty vota pushon së qeni
zgjedhje ndërmjet ideve, programeve dhe modeleve të ndryshme të shoqërisë.
Bëhet faturë mirënjohjeje. Demokracia kërkon pikërisht të kundërtën. Një shtet
ku qytetari të mos ketë nevojë për një njeri që njeh një njeri. Një shtet ku,
për të marrë atë që i takon, të mos ketë nevojë të njohë as patronazhistin, as
deputetin, as Kryeministrin.
Comments
Post a Comment