Kur e keqja bëhet sistem: ponerologjia politike dhe Shqipëria e sotme! Politiko.al, 15. 09. 2026
Ka një moment në jetën e një regjimi politik kur nuk mjafton më të numërosh skandalet. Një ministër nën hetim, një kryetar bashkie i arrestuar, një tender i dyshimtë, një koncesion, një leje ndërtimi, një pronë publike që përfundon në një projekt privat. Kur këto raste përsëriten për vite, pyetja ndryshon vetvetiu. Nuk pyet më vetëm pse sistemi nuk e lufton korrupsionin. Fillon të dyshosh se korrupsioni nuk është më defekt i sistemit, por vet sistemi dhe mënyra se si ai funksionon dhe riprodhon pushtetin.
Prej disa kohësh më ka tërhequr
një koncept jo shumë i njohur në debatin shqiptar: ponerologjia politike. Termi
lidhet me psikologun polak Andrew M. Lobaczewski, i cili u përpoq të kuptonte
se si e keqja depërton në politikë dhe, me kalimin e kohës, krijon një rend që
e mbron dhe e riprodhon atë. Nuk më intereson këtu të bëj diagnoza psikologjike
për Edi Ramën, ministrat apo zyrtarët e tij. Më intereson një pyetje shumë më
shqetësuese: çfarë u ndodh njerëzve normalë kur jetojnë gjatë brenda një
sistemi të deformuar?
Kjo është ndoshta ideja më e
fortë e ponerologjisë. Nuk është e nevojshme që të gjithë njerëzit e sistemit
të jenë të këqij. Mjafton që sistemi të fillojë të shpërblejë disa sjellje dhe
të ndëshkojë disa të tjera: besnikërinë mbi profesionalizmin, bindjen mbi
integritetin, heshtjen mbi kundërshtimin. Pak nga pak, ai fillon të përzgjedhë
njerëzit që i përshtaten. Pushteti jep akses te burimet; burimet krijojnë
interesa dhe varësi; varësitë prodhojnë bindje dhe mbështetje; dhe këto
riprodhojnë pushtetin. Korrupsioni, klientelizmi dhe favorizimi nuk janë më
thjesht defekte të makinës. Ato bëhen pjesë e karburantit të saj.
Por pasoja më e rëndë nuk është
vetëm ajo që i ndodh shtetit. Është ajo që i ndodh njeriut. Nëpunësi kupton se
profesionalizmi nuk mjafton. Sipërmarrësi se konkurrenca nuk mjafton. I riu se diploma, puna dhe talenti nuk
garantojnë përparimin. Qytetari se halli zgjidhet më shpejt me një mik, një
deputet, një parti apo një telefon sesa duke trokitur normalisht në derën e
institucionit. Askush nuk ka nevojë t'ua shkruajë këto rregulla. Njerëzit i
mësojnë vetë, duke parë çdo ditë se kush shpërblehet, kush mbetet mënjanë dhe
kush ndëshkohet.
Pikërisht këtu sistemi bëhet më i fuqishëm edhe se dhuna shtetërore. Dhuna
kërkon policin, urdhrin, kërcënimin dhe ndëshkimin. Një sistem i konsoliduar
arrin diçka më efikase: njerëzit fillojnë ta parashikojnë vetë se çfarë duhet
bërë për të mbijetuar brenda tij. Njëri hesht, tjetri gjen mikun, një tjetër
afrohet me partinë, dikush pranon kompromisin e vogël sepse “kështu bëhet”.
Pushteti nuk ka më nevojë ta detyrojë çdo njeri të përshtatet. Njeriu fillon të
përshtatet vetë.
Dhe këtu krijohet dikotomia më e rëndë: ose përshtatesh me sistemin, ose
sistemi të shtyn jashtë tij. Në një vend të vogël si Shqipëria, kur e njëjta
logjikë marrëdhëniesh depërton në administratë, ekonomi, karrierë dhe jetën
publike, hapësira për të jetuar jashtë saj ngushtohet. Për shumë njerëz, dalja
nga sistemi fillon të ngatërrohet me daljen nga vendi. Emigrimi, sigurisht, ka
arsye të forta ekonomike: paga, arsim, shërbime dhe mundësi më të mira. Por
pjesa dërmuese largohen sepse janë lodhur nga mënyra se si duhet të jetohet këtu:
të njohësh dikë, të kërkosh një nder, të gjesh një ndërmjetës, të heshtësh kur
duhet të flasësh, të bësh kompromis me gjëra që nuk do të doje t'i pranoje. Në
këtë kuptim, emigrimi bëhet edhe votë me “këmbë” kundër sistemit.
Dhe këtu sistemi hyn në një cikël vetpërsësitës. Sa më shumë largohen ata
që nuk pranojnë të përshtaten, aq më shumë rritet pesha relative e atyre që
janë përshtatur. Sa më shumë shtohen të përshtaturit, aq më normale bëhen
rregullat e sistemit. Sa më normale bëhen ato, aq më e vështirë bëhet jeta për
ata që ende i kundërshtojnë; dhe sa më e vështirë bëhet jeta për ta, aq më
shumë prej tyre largohen. Sistemi përzgjedh shoqërinë dhe shoqëria e
përzgjedhur pastaj riprodhon sistemin. Ky është rrethi vicioz: përshtatja
ushqen sistemin, sistemi prodhon më shumë përshtatje, ndërsa largimi pakëson
vazhdimisht numrin e atyre që mund ta sfidojnë.
Pas një kohe nuk kemi më vetëm një qeveri që ka ndërtuar një piramidë patronazhimi
e klientelizmi. Kemi një pjesë të madhe të shoqërisë që ka mësuar të jetojë
brenda tij: dikush sepse përfiton, dikush sepse ka nevojë, dikush sepse ka
frikë të humbasë atë që ka, dhe shumë të tjerë sepse janë mësuar se “kështu
funksionojnë gjërat”. Sistemi bëhet jashtëzakonisht rezistent, sepse nuk mbahet
më vetëm nga njerëzit në majë. Mbahet nga mijëra përshtatje të vogla të
njerëzve poshtë. Mund të ketë skandale, arrestime, ministra që largohen dhe
emra të rinj në qeveri, por mekanizmi vazhdon të funksionojë.
Kjo mund të shpjegojë edhe paradoksin e një shoqërie që është thellësisht e
pakënaqur, por njëkohësisht politikisht e paralizuar. Njerëzit ankohen
privatisht, por përshtaten publikisht. E dinë se sistemi është i padrejtë, por
kërkojnë një mënyrë për të gjetur vendin e tyre brenda tij. Ndërsa ata që nuk
munden ose nuk duan ta bëjnë këtë, largohen. Kështu sistemi mund të arrijë pikën
e tij më të rrezikshme: të bëhet pothuajse i pathyeshëm jo sepse shumica e do,
por sepse ata që mund ta kundërshtonin janë përshtatur, janë lodhur ose janë
larguar.
Ndoshta ky është përfundimi më i frikshëm i ponerologjisë politike: e keqja
nuk ka nevojë t'i bëjë të gjithë njerëzit të këqij. I mjafton t'i përshtatë ata
që qëndrojnë, t'i largojë ata që nuk pranojnë të përshtaten dhe, në fund, të
mbetet e rrethuar nga një shoqëri që e riprodhon vetë. Pikërisht atëherë beteja
nuk është më vetëm politike. Bëhet betejë morale e një shoqërie për të rifituar
veten.
Comments
Post a Comment