Protestuesit kërkojnë zgjedhje, analistët u ofrojnë një parti! Syri.net, 17. 10. 2026
Në Shqipëri kemi parti për çdo shije politike. Parti të mëdha e të vogla, të vjetra e të reja, parti që kanë qeverisur dhe parti që presin radhën. Kemi kryetarë që ndërrojnë parti dhe parti që ndërrojnë emër, por jo kryetar. E megjithatë, kur studentë dhe qytetarë dalin në shesh për të kërkuar largimin e qeverisë, nga studiot televizive u vjen një këshillë e vyer: krijoni edhe ju një parti! Sikur halli i demokracisë shqiptare të jetë mungesa e një partie tjetër!
Kjo ishte receta që u përsërit gjatë tri mbrëmjeve
të fundit të emisionit Opinion në TV Klan. Sipas shumicës së
panelistëve, që protesta të kishte peshë politike, duhej të shndërrohej në një
forcë elektorale. Panelistët nuk ua mohonin studentëve të drejtën për të
protestuar, por vinin në dyshim mundësinë që protesta të arrinte qëllimet e saj
pa hyrë në garën për pushtet. Për ta, sheshi mund të shprehte pakënaqësinë,
ndërsa vetëm organizimi partiak mund ta kthente atë në rezultat politik. Ata e
shihnin protestën si një stacion në rrugën drejt pushtetit, jo si një mënyrë më
vete për të ndikuar mbi të.
Dhe këtu shfaqej paradoksi i
debatit: studentët dhe protestuesit dukeshin më të qartë se analistët për
mënyrat se si funksionon demokracia. Të parët e dinin çfarë kërkonin. Të dytët
këmbëngulnin t'u shpjegonin çfarë duhej të bëheshin. Pas kësaj këshille, në
dukje praktike, fshihet një përmbysje e logjikës demokratike.
Politologia britanike Carole
Pateman, në veprën Participation and Democratic Theory (1970),
kundërshton idenë se demokracia mbaron te zgjedhja e përfaqësuesve një herë në
disa vjet. Për të, qytetarët duhet të marrin pjesë vazhdimisht në çështjet që
ndikojnë mbi jetën e tyre. Qytetari nuk lind politikisht ditën e zgjedhjeve dhe
nuk zhduket sapo mbyllen kutitë e votimit. Ai mbetet qytetar edhe të nesërmen,
me të drejtën për të folur, për të kundërshtuar dhe për të ndikuar mbi vendimet
që prekin jetën e tij.
Në këtë këndvështrim mund të
kuptohet edhe protesta. Njeriu që del në shesh nuk po konkurron
domosdoshmërisht për të qeverisur. Ai kërkon që zëri i tij të dëgjohet dhe
pushteti t'i përgjigjet. Edhe pse protesta nuk është e njëjtë me format
institucionale të pjesëmarrjes që analizon Pateman, ajo mbështetet mbi të
njëjtin parim: qytetari ka rol politik edhe kur nuk është kandidat për asgjë.
Demokracia njeh tri mënyra të
ndryshme për ta ushtruar këtë rol. Në demokracinë përfaqësuese, qytetari zgjedh
ata që do të vendosin në emër të tij. Partitë konkurrojnë, kërkojnë votën dhe
marrin mandatin për të qeverisur. Por qytetarët u japin përfaqësuesve të
drejtën për të ushtruar pushtetin, jo të drejtën për ta konsideruar atë pronë
të tyre. Në demokracinë e drejtpërdrejtë, qytetari vendos vetë. Në një referendum,
për shembull, përgjigjen nuk e jep një politikan në emër të tij, por vetë
populli me votë.
Në demokracinë pjesëmarrëse,
qytetari nuk ka nevojë të kërkojë një post për të ndikuar mbi qeverisjen. Ai
mund të marrë pjesë në hartimin e një plani urban, të kundërshtojë një vendim
që prek lagjen e tij, të kërkojë ndryshimin e një ligji apo të dalë në
protestë. Nuk synon domosdoshmërisht të marrë pushtetin; kërkon që pushteti ta
dëgjojë. Në njërin rast zgjedh përfaqësuesit, në tjetrin vendos vetë, në të
tretin merr pjesë dhe ndikon. Janë tri mënyra të ndryshme të jetës demokratike,
jo tri rrugë që përfundojnë detyrimisht te një parti.
Dhe studentët duket se e kuptojnë këtë fare mirë, edhe pa e njohur
Pateman-in. Ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme dhe të padiskutueshme të
qeverisë, krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira e të
barabarta dhe kthimin e vendimit te qytetarët, që me votën e tyre të zgjedhin
partinë që dëshirojnë t'i qeverisë.
Protestuesit nuk kanë dalë në shesh sepse Shqipërisë i mungojnë partitë
opozitare. Përkundrazi, sipas tyre, qeverisja ua ka bërë të pamundur këtyre
partive të mbrojnë interesat e qytetarëve përmes rrugëve të zakonshme
demokratike. Prandaj kërkojnë të ndryshojnë kushtet në të cilat zhvillohet gara
politike, jo të shtojnë një konkurrent tjetër në të njëjtën garë. Ata nuk
kërkojnë ta zëvendësojnë votën e lirë me sheshin e protestës. Kërkojnë që sheshi t'ia kthejë pushtetin
votës.
Është njësoj sikur banorëve që kundërshtojnë ndërtimin mbi parkun publik
t'u thuash se duhet të kandidojnë për këshillin bashkiak. Ose prindërve që
kërkojnë kushte më të mira në shkollë t'u sugjerosh të marrin drejtimin e
institucioneve arsimore. Mund ta bëjnë edhe këtë, por nuk është ajo që po
kërkojnë. Nuk ka nevojë të marrësh drejtimin e bashkisë për të kërkuar një
qytet më të mirë. As të marrësh drejtimin e qeverisë për të kërkuar largimin e
saj.
Një student ka provimet përpara, një mësues duhet të kthehet nesër në
klasë, një prind shqetësohet për të ardhmen e fëmijëve. Ata mund të jenë
anëtarë partish, simpatizantë apo qytetarë pa përkatësi politike. Nuk kanë pse
të heqin dorë nga jeta e tyre e zakonshme për t'u shndërruar në politikanë. E
drejta për të kërkuar ndryshim nuk mund të kushtëzohet me dëshirën për të zënë vendin
e atyre që qeverisin.
Këtu qëndron ironia më e hidhur e debatit. Duke këmbëngulur në një rrugë që
protestuesit nuk e kërkojnë, panelistët shfaqin të njëjtin qëndrim që këta
qytetarë kundërshtojnë te qeverisja: bindjen se dikush tjetër e di më mirë se
vetë qytetari çfarë është e mira për të. Qeveria, sipas protestuesve, nuk ua
dëgjon kërkesat. Analistët i dëgjojnë, por u shpjegojnë se duhet të kërkojnë
diçka tjetër. Njëra palë vendos në vend të qytetarit; tjetra përpiqet t'i
tregojë çfarë duhet të dëshirojë.
Natyrisht, një protestë mund të lindë një parti. Por kjo është zgjedhje e
protestuesve, jo një provim që duhet ta kalojnë për të dëshmuar pjekurinë e
tyre politike. Ndoshta, përpara se t'u japim studentëve leksione për
demokracinë, duhet t'i dëgjojmë pak më shumë. Ata kërkojnë zgjedhje të lira mes
partive ekzistuese, jo një parti tjetër në fletën e votimit.
Në një vend ku partitë nuk mungojnë, qytetarët kanë dalë në shesh sepse
kërkojnë që demokracia përfaqësuese të funksionojë. Dhe përgjigjja që marrin
është: krijoni edhe një parti!
Sikur problemi të jetë se qytetarët nuk kanë mjaftueshëm politikanë, dhe jo
se politikanët nuk po i dëgjojnë mjaftueshëm qytetarët.
Comments
Post a Comment