Kartelin qeveri–krim po e çmonton opozita! Politiko.al, 24. 09. 2026

Ka diçka të çuditshme në debatin publik të këtyre ditëve. Po dalin përgjime, dokumente, dosje dhe informacione që ekspozojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet ndërmjet pushtetit politik, interesave ekonomike dhe botës së krimit. Flitet për një sistem që po çahet, për njerëz të pushtetit që shfaqen në komunikime komprometuese dhe për një vëmendje ndërkombëtare gjithnjë e më të madhe ndaj Shqipërisë. Por mes gjithë kësaj zhurme mbetet thuajse pa përgjigje pyetja më e thjeshtë: kush e ka vënë në lëvizje këtë proces? Kush po e çmonton kartelin qeveri–krim? Përgjigjja është opozita.

Nuk është hera e parë që puna politike e opozitës prodhon një rezultat të tillë. Në vitin 2023, ajo ndërgjegjësoi shoqërinë për rrezikun e projektvendimit për ndërtesat mbi 50-vjeçare, që mund të prekte mbi 120 mijë ndërtesa banimi dhe mijëra familje. Veçanërisht në Tiranë dhe në qendrat e qyteteve kryesore, prishjet rrezikonin të çlironin trojet më të vlefshme, duke shtyrë familjet tradicionale drejt periferive dhe duke ua lënë qendrat feudalëve të rinj që vetë sistemi po krijonte. Reagimi kapërceu ndarjen demokrat–socialist dhe projekti u braktis, të paktën momentalisht. Opozita nuk e futi këtë fitore në makinerinë e propagandës që kërkon duartrokitje për çdo rezultat. E njëjta modesti duket edhe sot: nuk po rreh gjoksin, por për syrin e stërvitur gjurma e punës së saj është e qartë.

Sot përballja është shumë më e madhe. Opozita prej vitesh nuk flet më për raste të shkëputura korrupsioni, por për një sistem ndërvarësie mes pushtetit politik, interesave ekonomike të privilegjuara, narkotrafikut dhe krimit të organizuar: kartelin qeveri–krim. Dhe nuk u mjaftua ta denonconte brenda vendit. Gjetjet, dokumentet dhe argumentet e saj i çoi në takime, forume e organizata ndërkombëtare, duke lobuar që partnerët perëndimorë ta shihnin Shqipërinë përtej fasadës së stabilitetit institucional. Vëmendja ndërkombëtare që shohim sot, pra, nuk lindi në vakum; ajo është edhe fryt i një pune të gjatë për ta bërë problemin shqiptar një çështje ndërkombëtare.

Rezultati është i prekshëm. Vetëm nga nëntori 2024 deri në qershor 2026, EPP dhe IDU kanë miratuar të paktën gjashtë qëndrime ose rezoluta të fokusuara te Shqipëria, ku rikthehen shqetësimet për kapjen e shtetit, korrupsionin, deformimin e zgjedhjeve, krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me politikën. Në qershor 2026, Asambleja Politike e European People’s Party foli shprehimisht për “state capture”, “widespread corruption” dhe “criminal influence”. International Democracy Union, në maj 2026, foli për korrupsion sistemik, kapje të shtetit dhe lidhje ndërmjet krimit të organizuar dhe niveleve më të larta të pushtetit; ndërsa në dhjetor 2025 përdorte konceptin domethënës “State-Party-Crime Fusion”. Nuk kemi më një deklaratë të vetmuar, por një varg qëndrimesh që po artikulojnë ndërkombëtarisht atë që opozita kishte denoncuar prej vitesh.

Edhe jashtë familjeve politike simotra të opozitës, tabloja ka marrë konture shqetësuese. ODIHR, në raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, evidentoi mungesën e një fushe të barabartë gare, keqpërdorimin e burimeve publike, presionin mbi punonjësit publikë, raste të pretenduara të blerjes së votës dhe probleme me fshehtësinë e saj. Pra, pjesë të mekanizmit për të cilin opozita kishte paralajmëruar po dokumentoheshin edhe nga institucione të pavarura ndërkombëtare.

Pastaj ofensiva ndërkombëtare u zhvendos drejt Shteteve të Bashkuara. Në shtator, Sali Berisha zhvilloi takime me kongresmenë amerikanë dhe me drejtues të niveleve më të larta të Departamentit të Drejtësisë, përfshirë Attorney General Todd Blanche dhe Associate Attorney General Stanley Woodward Jr. Në këto takime u shtruan narkotrafiku, ndikimi i krimit të organizuar, korrupsioni, zgjedhjet dhe funksionimi i shtetit ligjor. Ajo që kishte nisur si denoncim në Tiranë kishte mbërritur tashmë në tavolinat e Washingtonit.

Dhe pikërisht këtu kronologjia bëhet interesante. Në të njëjtën periudhë, hapësira publike shqiptare fillon të mbushet me përgjime, komunikime, dokumente dhe informacione që hapin dritare brenda një bote deri dje të mbrojtur nga errësira. Nuk dimë zyrtarisht burimin e të gjitha këtyre materialeve, por diçka është e dukshme: informacioni mbi marrëdhëniet brenda sistemit po del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit të vetë sistemit.

Natyrisht, një takim politik nuk prodhon një përgjim dhe një denoncim nuk vë automatikisht në lëvizje një shërbim inteligjent. Shkakësia konkrete mund të mos bëhet kurrë publike. Por politika lexohet edhe përmes proceseve, kronologjisë dhe gjurmëve që ato lënë. Shërbimet e vendeve partnere nuk veprojnë në boshllëk dhe vëmendja e institucioneve të mëdha ndaj një vendi të vogël nuk lind nga hiçi. Për vite opozita ka çuar jashtë vendit informacione, dokumente dhe denoncime për narkotrafikun, paratë kriminale, korrupsionin dhe zgjedhjet. Sot këto çështje kanë hyrë në një tjetër nivel të vëmendjes ndërkombëtare.

Dhe tani informacioni po bën rrugën e kundërt: po kthehet brenda Shqipërisë dhe po ndryshon mënyrën se si shqiptarët shohin sistemin. Çdo përgjim, dokument apo komunikim i ri e bën më të vështirë që ajo që po ndodh të shpjegohet si një varg rastesh të izoluara. Këtu qëndron një nga arritjet më të rëndësishme të betejës së opozitës: debati po zhvendoset nga korrupsioni i individëve te mënyra se si funksionon vetë sistemi.

Prandaj çmontimi i kartelit qeveri–krim nuk po ndodh vetvetiu dhe as sepse ndërkombëtarët u zgjuan një mëngjes dhe zbuluan papritur Shqipërinë e narkoshtetit. Opozita e identifikoi problemin, e denoncoi, e bëri të kuptueshëm për shqiptarët dhe e çoi përtej kufijve. Materialet që po dalin sot mund të kenë burime të ndryshme, por terreni politik mbi të cilin ato po marrin kuptim është punuar prej vitesh.

Opozita edhe këtë herë nuk po rreh gjoksin. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumëkush sheh goditjet, por jo dorën politike që ka punuar gjatë për t'i bërë të mundura. Për syrin e stërvitur, megjithatë, fakti është aty. Karteli qeveri–krim po del nga errësira, po ekspozohet para shqiptarëve dhe po vendoset nën dritën e partnerëve ndërkombëtarë. Dhe në këtë rrugëtim, gjendet puna e opozitës.

 

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.