Më mirë në gjendjen natyrore, sesa në feudalizmin socialist! Politiko.al, 20. 10. 2026

 Kur shteti kthehet kundër qytetarit, protesta bëhet një çështje e lirisë.

Ka një moment kur protesta nuk është më kundërshtim i një qeverie, por revoltë kundër një mënyre sundimi. Kur qytetarët nuk dalin më në rrugë për të ndryshuar një ligj, një ministër apo një politikë publike, por për të kundërshtuar vetë marrëdhënien që pushteti ka ndërtuar me ta. Shqipëria ka hyrë në këtë moment, ndërsa protesta po merr përmasat e një revolucioni politik. Reagimi i policisë, me gaz lotsjellës, goditje plumba gome dhe ndërhyrje jashtë kufijve ligjorë, dëshmon një pushtet që gjithnjë e më shumë e trajton kundërshtimin si kërcënim, jo si të drejtë. Por revolucioni nuk është domosdoshmërisht dhunë. Ai është, mbi të gjitha, përmbysje e një marrëdhënieje të padrejtë pushteti.

Pikërisht në këtë moment lind një çështje vendimtare: protesta nuk duhet ta humbasë objektivin e saj në shumësinë e kërkesave. Shqipëria ka nevojë për shumë ndryshime: reforma kushtetuese, zgjedhore, ekonomike, institucionale e territoriale; mbrojtjen e pronës publike dhe private; rikthimin e konkurrencës, lirisë ekonomike dhe kontrollit demokratik mbi pushtetin. Por këto janë çështje që kërkojnë kohë, institucione dhe debat politik. Ndërsa protesta ka një objektiv të menjëhershëm: dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike. Nuk duhet ngatërruar objektivi i revolucionit me programin e qeverisjes që mund të vijë pas tij. Qytetarët mund të ndajnë të njëjtin shqetësim për mënyrën e qeverisjes, por të kenë mendime krejt të ndryshme për reformat që duhet të pasojnë.

Protesta nuk duhet të shndërrohet në një konkurs programesh politike. Ajo duhet të jetë vendi ku bashkohen njerëzit që, pavarësisht bindjeve, kundërshtojnë përqendrimin dhe abuzimin me pushtetin. Sepse dështimi i një proteste të tillë nuk do të ishte thjesht një humbje politike. Do të ushqente bindjen se edhe rezistenca qytetare është e pafuqishme përballë një pushteti që kontrollon institucionet. Dhe pikërisht këtu fillon problemi më i madh, ai që shkon përtej një kryeministri, një partie apo një mandati qeverisës. Është problemi i vetë arsyes për të cilën njerëzit kanë krijuar shtetin dhe kanë pranuar t'i nënshtrohen autoritetit të tij.

John Locke, një nga themeluesit e filozofisë politike liberale, e shpjegoi ’përse ekziston qeveria?’ me një qartësi që mbetet tronditëse edhe sot: njerëzit krijojnë shoqërinë politike për të mbrojtur më mirë jetën, lirinë dhe pronën e tyre. Këto të drejta nuk lindin nga qeveria, ato i paraprijnë asaj. Qeveria nuk është pronarja e jetës sonë, nuk është burimi i lirisë sonë dhe nuk është zotëruesja e pronës sonë. Është institucioni që ne krijojmë për t'i mbrojtur këto të drejta nga cenimi i të tjerëve. Por, çfarë ndodh kur kjo marrëdhënie përmbyset? Kur institucionet që duhet të mbrojnë njerëzit e ndershëm nga grabitqarët përdoren prej grabitqarëve për të sunduar mbi njerëzit e ndershëm? Kur ligji nuk është më kufiri i pushtetit, por instrumenti i tij? Kur policia, administrata dhe vendimmarrja publike shndërrohen nga garanci për qytetarin në mekanizma që përdoren kundër tij?

Ky është feudalizmi socialist i Shqipërisë së sotme. Feudalizëm, sepse pushteti ndërton marrëdhënie varësie, privilegji dhe nënshtrimi. Socialist, sepse vazhdon të përdorë retorikën e interesit kolektiv për të justifikuar përqendrimin e autoritetit mbi individin. Në këtë model, qytetari nuk është më burimi i pushtetit, por objekt i tij. Ai nuk trajtohet si individ i lirë që i ka deleguar shtetit disa kompetenca të kufizuara, por si një vartës që duhet të kërkojë leje, favore dhe mbrojtje nga ata që kontrollojnë institucionet. Dhe atëherë lind një pyetje që mund të tingëllojë e frikshme: a nuk do të ishte më e mirë edhe gjendja natyrore sesa një shtet që përdoret kundër qytetarëve të vet?

Locke e përfytyronte gjendjen natyrore si një gjendje lirie dhe barazie, megjithëse pa sigurinë që ofron një autoritet i përbashkët. Thomas Hobbes ishte shumë më pesimist. Për të, mungesa e një pushteti të përbashkët krijonte rrezikun e një lufte të të gjithëve kundër të gjithëve, ku jeta njerëzore sundohej nga frika dhe pasiguria. Por ja paradoksi: në gjendjen natyrore, njeriut i duhet të mbrohet vetë nga njerëzit e këqij. Me kalimin e kohës, ai mund të bashkohet me të tjerët, të krijojë marrëveshje, rregulla dhe institucione për mbrojtjen e përbashkët. Ndërsa në feudalizmin socialist, qytetarit mund t'i duhet të mbrohet edhe nga vetë institucionet që ka krijuar për ta mbrojtur! Në rastin e parë, kërcënimi vjen nga njerëzit e këqij. Në të dytin, kërcënimi mund të vijë nga njerëzit e këqij të përforcuar me pushtetin e shtetit.

Në gjendjen natyrore, grabitqari ka vetëm forcën e tij. Në një shtet të kapur, grabitqari mund të ketë në dispozicion edhe forcën që qytetari ka financuar për t'u mbrojtur prej tij. Kjo është tragjedia më e madhe e përmbysjes së kontratës politike. Nuk është fjala për idealizimin e mungesës së shtetit. Përkundrazi! Pikërisht domosdoshmëria e shtetit e bën të patolerueshëm shndërrimin e institucioneve në instrumente të interesave private. Një shoqëri nuk duhet të detyrohet të zgjedhë midis pasigurisë pa shtet dhe pasigurisë së prodhuar nga shteti. Ajo ka të drejtë të kërkojë një rend ku pushteti është i kufizuar, prona e sigurt, liria e mbrojtur dhe qeveria përgjegjëse përpara qytetarëve.

Kjo është edhe arsyeja pse protesta ngre një çështje shumë më të madhe sesa fati politik i një kryeministri. Ajo na vendos përpara pyetjes nëse shqiptarët do të vazhdojnë ta pranojnë shtetin si një pushtet mbi ta, apo do të kërkojnë rikthimin e tij në një institucion në shërbim të tyre. Dorëheqja e kryeministrit dhe krijimi i një qeverie teknike janë kërkesat politike përmes të cilave protestuesit propozojnë hapjen e këtij ndryshimi. Por çështja themelore është shumë më e thellë: rikthimi i marrëdhënies së drejtë midis qytetarit dhe shtetit, midis lirisë individuale dhe pushtetit publik.

Sepse shteti u krijua që njerëzit e mirë të mos kishin nevojë të mbroheshin vetë nga njerëzit e këqij dhe jo që njerëzit e mirë të kishin nevojë të mbroheshin edhe nga vet shteti!

 

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.