Kulla që nuk e prek Parkun Rinia, vetëm i hipën sipër. Syri.net, 04. 10. 2026
Tirana paska ende një problem serioz: ka mbetur një copë park pa kullë. Kishte pemë, bar, shëtitore, stola, njerëz që kalonin, fëmijë që luanin dhe të moshuar që rrinin, pra të gjitha vjetërsirat që zakonisht gjenden në një park. Por nuk kishte hotel, zyra dhe apartamente private 78 metra mbi tokë. Për një kryeqytet që kërkon të na bindë çdo ditë se po hyn në modernitet, ky ishte qartësisht një boshllëk që duhej korrigjuar.
Konkursi “Tirana
Fountain Plaza” nxori fitues projektin e studios BIG – Bjarke Ingels Group për
zhvillimin e hapësirës ku ndodhet kompleksi “Tajvani”, në Parkun Rinia.
Projekti parashikon një ndërtesë rreth 78 metra të lartë, me hotel, zyra dhe apartamente
private, të ngritur mbi kolona dhe me nivele nëntokësore parkimi. Vetë qeveria
e paraqet si pjesë të “vizionit për Tiranën e vitit 2030”, një hap tjetër drejt
një qyteti më modern, më të bukur dhe, sigurisht, më progresist.
Zgjidhja është
vërtet moderne. Deri dje mendonim se një ndërtesë zinte hapësirë sipas volumit,
përdorimit, flukseve dhe ngarkesës që sillte në qytet. Tani kemi mësuar se, po
ta vendosësh mbi kolona, ajo pothuajse pushon së qeni çështje urbane. Poshtë
mbetet toka, sipër shtohen mijëra metra katrorë funksionesh private dhe, diku
ndërmjet kolonave dhe apartamenteve, prodhohet progresi. Me pak imagjinatë, ky
parim mund të zgjidhë edhe të ardhmen e hapësirave të tjera publike të Tiranës:
parqet mbeten parqe, sheshet mbeten sheshe, mjafton që kullat t’i vendosim disa
metra mbi to.
Problemi,
megjithatë, nuk është lartësia e ndërtesës dhe as emri i arkitektit. Një objekt
mund të jetë elegant, spektakolar dhe i denjë për revistat më të mira të
arkitekturës, por kjo nuk na thotë asgjë për arsyen pse duhet të ndërtohet
pikërisht aty dhe me atë intensitet. Arkitektura mund t’i japë një formë shumë
të bukur një vendimi të keq urbanistik. Madje, sa më e bukur forma
arkitektonike, aq më lehtë harrojmë të pyesim për formën urbane.
Pyetja serioze,
pra, nuk është nëse projekti është i bukur. Është se çfarë nevoje të Tiranës
zgjidh një hotel i ri, një stok i ri zyrash dhe apartamentesh private pikërisht
në Parkun Rinia. Çfarë problemi urban zgjidhet? Çfarë mungese publike
plotësohet? Pse kjo pronë duhet të marrë një të drejtë zhvillimi kaq të lartë
dhe pse ky volum duhet përqendruar pikërisht këtu? Janë pyetje shumë më të
mërzitshme se renderat, por qytetet, për fat të keq, nuk funksionojnë sipas
bukurisë së prezantimeve.
Në mungesë të
përgjigjeve, kemi krijuar një fjalor të mrekullueshëm. Çdo ndërtesë e re është
“ikonike”, çdo ndërhyrje është “transformuese”, çdo shtim volumesh është
“zhvillim”, çdo projekt i huaj është “modern”, ndërsa çdo pyetje për
vendndodhjen, intensitetin apo ngarkesën urbane rrezikon të shpallet rezistencë
ndaj progresit. Kështu moderniteti bëhet fare i thjeshtë për t’u matur: nëse
ndërtesa është e lartë, është moderne; nëse ka xham, është edhe më moderne;
nëse e projekton një studio ndërkombëtare, bëhet europiane. Nëse renderi ka
pemë, biçikleta dhe njerëz të buzëqeshur, atëherë kemi zgjidhur edhe cilësinë urbane
të jetesës.
Pastaj vjen
argumenti i pronës private. Prona është private, na thuhet, sikur me këtë të
kishte përfunduar edhe diskutimi. Vetëm se parcela mund të jetë private, ndërsa
qyteti rreth saj nuk është. Parku Rinia, rrugët, infrastruktura, hapësira
publike, silueta dhe drita nuk janë private. Dhe, mbi të gjitha, vlera e shtuar e asaj prone nuk është
prodhuar vetëm nga pronari.
Një pronë në zemër
të Tiranës nuk vlen, aq sa vlen, vetëm sepse ekziston një certifikatë pronësie.
Vlera e saj rritet sepse përreth ka park publik, rrugë, sheshe, infrastrukturë,
transport, ndriçim, mirëmbajtje dhe investime të vazhdueshme urbane. Një pjesë
e rëndësishme e vlerës së saj ekonomike është, pra, vlerë e shtuar nga investimi publik. Sa më i mirë të bëhet Parku
Rinia, aq më shumë vlen prona pranë tij. Sa më shumë para publike hidhen në
qendër, aq më i madh bëhet potenciali privat për ta kapitalizuar atë
vendndodhje.
Kështu krijohet një
marrëdhënie vërtet moderne mes publikes dhe privates: publiku paguan parkun,
infrastrukturën dhe rikualifikimin; prona private merr vlerë; pastaj kjo vlerë
kthehet në apartamente, hotel, zyra dhe çmime më të larta shitjeje. Qytetarit i
mbetet privilegji të admirojë renderin dhe të mësojë se, falë parave të tij,
qyteti po bëhet gjithnjë e më modern.
Mirëpo, pikërisht
këtu hyn planifikimi urban. Jo për të diskutuar nëse pronari ka apo jo të
drejtë mbi tokën e vet, por për të përcaktuar sa nga potenciali i asaj toke
mund të kthehet në ndërtim, pa cenuar interesin e qytetit, dhe sa nga vlera e
shtuar e krijuar edhe nga investimi publik duhet t’i rikthehet publikut.
Përndryshe planet, standardet dhe institucionet janë tepër. Mjafton hipoteka
dhe çdo pronar mund të tregojë qiellin mbi parcelë e të pyesë deri ku vazhdon
prona e tij.
Rasti i Parkut
Rinia, në thjeshtësinë e vet, e bën këtë raport pothuajse brutal. Hapësira
publike nuk mund të trajtohet si ajo që mbetet pasi kemi maksimizuar të drejtën
private të zhvillimit. Një park nuk është vetëm toka që nuk është mbuluar me
themele. Është dritë, horizont, gjelbërim, shkallë njerëzore, qetësi dhe raport
me qiellin. Mund të mos e betonosh sipërfaqen dhe prapë t’ia ndryshosh krejt
karakterin.
Përpara se të na
kërkohet të admirojmë projektin, do të ishte shumë më e dobishme të shihnim
intensitetin e zhvillimit, ngarkesën mbi infrastrukturën, raportin me parkun,
alternativat e shqyrtuara dhe mekanizmin me të cilin qyteti përfiton nga vlera
e shtuar që vetë investimi publik ka ndihmuar të krijojë. Këto tregojnë nëse
kemi urbanistikë. Renderi tregon vetëm nëse kemi një arkitekt të mirë.
Emri, gjithsesi,
është zgjedhur në mënyrë të përkryer: Tirana
Fountain Plaza. Tingëllon modern, metropolitan dhe ndërkombëtar. Shumë
më mirë sesa përshkrimi banal i asaj që do të kemi realisht: hotel, zyra dhe
apartamente private mbi Parkun Rinia, në një pronë vlera e së cilës është
shumëfishuar edhe nga investimet publike përreth.
Ndoshta ky është
edhe progresi më i madh që kemi bërë. Më parë ndërtonim pallate dhe i quanim
pallate. Tani ndërtojmë superstruktura dhe i quajmë vizion, transformim,
modernitet dhe bukuri. Publiku investon, prona merr vlerë, zhvilluesi e
kapitalizon dhe qytetari fiton të drejtën të admirojë fasadën.
Parkun Rinia,
natyrisht, nuk do ta prekim. Do t’i hipim sipër dhe këtë do ta quajmë progres.
Comments
Post a Comment