DUHET TË BRAKTISIM TIRANËN, JO SHQIPËRINË! Liberale, 10. 02. 2020
Tema më e rëndësishme e analizës, opinionit dhe
dabatit televiziv të kohëve të fundit është tema e shpopullimit të Shqipërisë.
E trajtojnë nga shumë qasje, japin shumë argumeta, por askush nuk prek
shkaktarin e shkaktarëve: Shqipëria po shpopullohet përshkak të modelit të saj
territorial!
Modeli i sotëm territorial i Shqipërisë është
koncentrimi i popullisisë në Durasanë, apo në territoret e qarkut Durrës,
Tiranë dhe një pjesë e Elbasanit! Në fakt, edhe Elbasani po shpopulohet dekadën
e fundit në favor të Tiranës, sikurse edhe Fieri e Vlora, të cilat dy dekadat e
para të tranzicionit arritën ta ruanin një balancë të popullsisë për shkak të
migracionit që vinte nga fshatrat kufitare. Shumë shpejt Shqipëria territoriale
do të jetë qytet-shteti, Tiranë-Durrës.
Qytet-shteti Tiranë-Durrës është një megaqytet, që
përshkak të trashgimnisë është policentrik, por që në thelb ka qytetin e
Tiranës. Këtu janë grumbulluar pjesa dërmues e popullsisë, e cila për 30 vjet i
është dorëzuar migracionit të brendshëm nga dhjetë qarqet e tjera të vendit,
për një jetë më të mirë në Tiranë. Të gjithë u mblodhën në Tiranë, për arsye
objektive, por edhe përshkak të propogandës socialiste që reklamon punën e
shkëlqyer të kryebashkiakëve Rama dhe Veliaj.
Ky i fundit, ka pesë vjet që nuk shkulet nga ekranet
e televizioneve, duke treguar sesi Tirana urbane ja kalon Parisit, Berlinit,
Romës, e për të mos u zgjatur të gjithë qytetet europiane, duke fituar të
gjitha konkurset ndërkombëtare të arkitekturës, urbanistikës, apo të tjera që
kanë lidhje me cilësinë e jetës urbane. Aq bindës është në propogandën e tij,
saqë edhe banorët e Tiranës kanë filluar ta besojnë, imagjinoni qytetarët e
qyteteve të njëmbëdhjetë qarqeve të tjera të vendit!
Kryebashkiaku Veliaj shkon edhe më tej, ai cdo muaj i
bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë të braktisin vendbanimet e origjinës dhe të jetojnë në Tiranën e tij të
mundësive ekonomike dhe të cilësisë që “fiton konkurse ndërkombëtare” të jetës
urbane.
Diku ju thotë studentëve të mos kthehen në qytetet e tyre pas diplomimit, diku bën thirrje më të
përgjithshme, dhe së fundi, rasti që më shtrëngoi të shkruaj këto rreshta, ju
kërkon banorëve të periferive të braktisin zonat rurale!
Mirëpo, qytet-shteti i Tiranës së sotme është
përjashtuese. Në Tiranën e modelit të koncetrimit të popullsisë, bujqësia ka
vdekur. Pakkush në fshatrat që e rrethojnë ka mundësi të merret me bujqësi e
blegtori, sepse fshati është urbanizuar dhe banorët e tij mezi presin tja japin
tokën e paktë të mbetur, “firmave të ndërtimit” që ndërtojnë pallate për
fukarenjtë dhe vila për zengjinët.
Në Tiranën e modelit të koncentrimit të popullsisë,
prodhimi ka vdekur për tu zëvendësuar nga konsumi. Cdokush i shet kujtdo!
Shkëmbejmë para me mall, gënjëjmë veten se po fitojmë, por vetëm konsumojmë e
nuk prodhojmë asgjë. Në Tiranën e modelit të koncetrimit të popullsisë e gjithë
rinia shkon në Universitete, por për të marrë diploma dhe jo për dije. Sepse
punëdhënësi i vetëm është Shteti i Plotfuqishëm, dhe që të integrohesh në
administratën e tij, nuk të duhen dije, por të jesh integruar në strukturën e
një partie politike dhe një diplomë cfarëdo universiteti!
Të përjashtuar nga ekonomia bujqësore, ekonomia
prodhimit industrial dhe administrata publike, e vetmja rrugë që mbetet është
braktisja e vendit. Nuk ka tjetër, rrugë! Prandaj, mjeti i sotëm me të cilën
shqiptarët ikin nuk është anija “Legend” ,“Liria”, apo të tjera si këto, por
trampolina Durasanë! Kurse shtyra mbetet e njëjtë: elita politike e mbrapshtë
dhe e papërgjegjshme!
Në fakt, ne nuk duhet të braktisim Shqipërinë, por
Tiranën. Sepse Shqipëria jonë e bukur ka burime natyrore dhe territoriale, të
cilat po u populluan nga njerëz të lirë e të përgjegjshëm që fatin e tyre e
ndërtojnë vet, mund ti kthejnë ato në burime jetese dhe pasurimi. Në të kundërt
të Tiranës që ofron vetëm punësimin e 80 mijë të diplomuarve por pa dije, pjesa
tjetër e Shqipërisë mund të vetpunësoj e punësoj miliona shqiptarë të sotëm dhe
shqiptarë të të ardhmes ndryshe!
Tirana duhet braktisur, edhe për cilësinë e jetës së
sotme urbane. Ndryshe nga cfarë propogandon kryebashkiaku Veliaj, Tirana sot është e renditur në vendin e 176 nga
231, në vlerësimin e prestigjozes Mercel, për cilësinë e jetesës që qytetarit. Tirana
sot, ka nivel punësimi 5% më pak se mesatarja e vendit, nëse i besojmë
INSTAT-it. Po kaq ishte disniveli i punësimit edhe në Tiranën e vitit 2007, kur
atë e drejtonte kryebashkiaku Rama, nëse i besojmë Bankës Botërore.
Tirana sot është kryeqyteti më i ndotur i Europës, dhe
vijon të ndotet nga viti në vit, nëse i besojmë matjeve të database-it më të
madh të botës, Numbeo. Tirana
sot paraqitet me nivelin më të lartë të degradimit të tokës, përshkak të urbanizimit
të shpejtë dhe të paplanifikuar, nëse i besojmë Kombeve të Bashkuara! Prandaj,
duhet të braktisim Tiranën e Durasanës, jo Shqipërinë!
Comments
Post a Comment