NDËRTESAT QË NA RREZIKOJNË MË SHUMË NGA TËRMETI. Liberale, 16. 12. 2019
Tërmeti
i shtatorit dhe më pas ai i nëntorit na e bënë shumë të qartë kush ishin
godinat që na rrezikojnë jetën, shëndetin dhe ekonominë. Nëse më parë ne
thjeshtë mund të bënim parashikime, tashmë mund të themi me siguri se kush janë
‘gjeneratat’ e ndërtesave të cilat janë më të rrezikuara se të tjerat. Mjafton
të hartojmë statistikat se kush ndërtesa u dëmtuan, se cfarë përqindje zënë ato
në raport me gjeneratën e tyre, dhe në fund ti rankojmë sipas përqindjes
numerike që secila prej tyre zë në stokun e përgjithshëm shqiptar të ndërtesave;
dhe kështu dallojmë se kush janë ndërtesat që na rrezikojnë më shumë jetën,
shëndetin dhe ekonominë.
Kjo
statistikë, për së pari, do na ndihmonte të mbyllnim “debatin” se kush janë
ndërtesa më të forta, ‘ndërtesat e xhaxhit’ apo ndërtesat e kohës së
tranzicionit. Diskursi i të indokrinuarve duket se po merr valencë të lartë
këto kohë, dhe fatkeqësisht edhe në lidhje me tërmetin. Këta po synojnë që edhe
tërmetin dhe pasojat e tij ta përdorin për të na “vërtetuar” se regjimi
totalitar ishte më i mirë, se sistemi demokratik në të cilin po mundohemi të
ndërtojmë ne. Megjithëse sot nuk e kemi një statistikë, e cila mund të na
orientojë edhe në një “debat” të tillë, një gjë është e sigurt dhe mund t’ja
themi nostalgjikëve që sot: ndërtesat e gjeneratës së “satrapit” Zog nuk kanë
përsuar asnjë kolapsim apo dëme që sjellin rrezik të shtuar për jetën,
shëndetin apo ekonominë.
Ndihma
më e madhe që kjo statistikë mund të japë është krijimi i një baze të dhënash
mbi vulnerabilitetin, sipas gjeneratave, të ndërtesave shqiptare ndaj goditjeve
sizmike. Të shërbyer nga kjo bazë të dhënash ne kemi mundësi të ndërtojmë një
strategji konkrete mbi cfarë duhet të bëjmë konkretisht, për të rritur
kapacitetet tona adoptuese ndaj këtij fenomeni që nuk është rastësor për vendin
tonë. Tërmetet kanë ardhur në vendin tonë prej mijëvjecarësh, do të vijnë
përsëri dhe ne, nëse jemi një popull që mëson nga gabimet e veta, nuk duhet të
lejojmë që ata të na gjejnë aq të papërgattur sikurse na gjetën ato të
qershorit, shtatorit dhe nëntorit të këtij viti.
Derisa
të kemi të dhëna shkencore mbi vulnerabilitetin e ndërtesave, duke shpresuar se
do ti kemi një ditë, le të bejmë ca spekulime mbi këtë cështje, në gjuhën e
opinionit teknik. Në fakt, nuk do themi ndonjë gjë të re apo të ndryshme nga
ato që janë thënë më parë, por ky është rasti ku përsëritja është nëna e dijes
dhe jo babai i mërzisë, përderisa nuk na kanë shërbyer më parë.
Ndërtesat
më të rrezikshme në Shqipërinë e sotme janë ndërtesat e zhvilluara pa lejen e
autoriteteve shtetërore. Kjo, jo sepse atyre ju mungon një copë letër e dhënë
nga politikanët e mbështetur te burokratët
në qeverisje, porse ndërtesat pa leje përgjithësisht janë zhvilluar pa projekt
zbatimi. Që do të thotë se ato janë ndërtuar mbështetur në “inxhinier” popullor
dhe në njohuritë profane të tyre, të cilat me propabilitet teorik mund të jenë
edhe më të forta se ndërtesat e zhvilluara me projekt, porse asnjë teknik nuk
mund të na e vërtetoj dhe të na siguroj për këtë, nëse nuk bën më parë teste
shkencore. Ndërsa ndërtesat e zhvilluara me leje të autoriteteve, janë
gjithësesi të shoqëruara me një projekt zbatimi, dhe kjo prodhon të paktën një
siguri minimale.
Në
vend të dytë do të rreshtoja ndërtesat e banimit të zhvilluara në regjimin
socialist. Të ndërtuara në devizën politike ‘ndërtojmë shpejt dhe lirë’ apo
‘kombëtare nga forma dhe socialiste nga përmbajtja’, kjo gjeneratë strukturash
mbart në vetvete rreziqet që vijnë nga mungesa e vlerës së jetës së qytetarit.
Shumica dërmuese e tyre janë zhvilluar me projekte të tipizuar në të gjithë
vendin pa përfshirë ndikimin e truallit specific mbi të cilën zhvillohej.
Cilësia e materialeve të ndërtimit, në kushtet e mungesës së shkëmbimeve tregtare
me jashtë dhe përgjithësisht mungesave të shumta në lëndë të parë, lë shumë për
të dëshiruar; sikurse edhe cilësia e punime të kryera me kontribut vullnetar
apo nga njerëz të dënuar me burg. Koha e gjatë e jetës së tyre dhe mungesa e
mirëmbajtjes për dekata të tëra, gjithashtu ndikojnë negativisht.
Dhe
në vend të fundit, pra më pak të rrezikshmet janë ndërtesat shumëfamijare të
banimit, apo sikurse i quajmë pallatet. Kjo gjeneratë, ka shpëtuar në përgjithësi
nga kurthet e dy grupeve të mëparshme. Ato, ndryshe nga ndërtesat paleje janë
zhvilluar me një projekt zbatimi i cili është hartuar nga një grup projektimi;
dhe ndryshe nga ndërtesat socialiste kanë pasur mundësinë të përdorin materiale
me cilësi të lartë dhe të ndërtohen nga inxhinierë dhe specialistë të
ndërtimit. Sidoqoftë, edhe këto ndërtesa mbajnë risqet e tyre, që më së shumti
origjinalizojnë nga karakteri moral i diskutueshëm i njerëzve të sektorit
privat apo shtetëror të përfshirë në këtë industri.
Comments
Post a Comment