AJO QË NA DUHET ËSHTË RINGRITJA, JO RINDËRTIMI! Liberale, 09. 12. 2019
Dëmet
materiale të tërmetit të 26 nëntorit duket se janë shumë më të mëdha sesa
perceptoheshin ditët e para. Qindra ndërtesa e banesa janë plotësisht të
pabanueshme, pra ose janë shembur vet ose duhen shembur nga autoritetet; dhe
dhjetëra mijëra të tjera kanë domosdoshmëri ndërhyrje të thella apo më të lehta
rikonstruktuese.
Nuk do të hyjmë në raportime shifrash të detajuara dëmesh
materiale, sepse duket se kjo është e vetmja gjë që po bëjnë mirë autoritetet,
nëse po e bëjnë saktë edhe këtë; por do e trajtojmë problemin nga qasja makro.
Ky është gabimi i parë që nuk duhet të bëjmë, nuk duhet të fokusohemi të gjithë
te shifrat për të lënë pas dore gjënë më të rëndësishme, gjetjen e rrugëve
strategjike dhe gjithëpërfshirëse për daljen nga kjo situatë.
Ne
duhet të dalim nga kurrthi i ‘legalizimit’, pra gjetjes së mënyrave për të
balancuar gabimet e kryera më parë duke bërë gabime të reja; për të hyrë në
rrugën e zgjidhjeve ‘të planifikuara’ më parë duke përfshirë në analizë të
gjithë variablat që ndikojnë në këto zgjidhje. Sepse këtë duket se kemi bërë në
këto vite, kemi legalizuar realitete të krijuara nga paaftësia jonë për të
planifikuar, projektuar dhe programuar, megjithëse e kemi ditur se këto
realitete do na conin në disa gjëndje edhe më të këqia se ato që kemi
legalizuar. Prandaj, thirrja e parë që duhet të bëjmë sot, është gjetja e
zgjidhjeve që na drejtojnë drejt synimit të qartë, afatgjatë dhe
gjithëpërfshirës për gjëndjen ku duhet të mbërijmë që vjen nga planifikimi,
projektimi dhe programimi.
Ajo
që na propozon qeveria, që në fakt nuk është as propozim për vlerësim por një
vendim i marrë dhe që duhet zbatuar, është ndërtimi i pesë lagjeve të reja në
Durasanë (një në Durrës, një në Lac dhe tre në Tiranë). Logjikë e thjeshtë;
tërmeti na shkatëroj disa mijëra apartamente, dhe përgjigjja jonë është të
ndërtojmë disa mijëra (dhjetë mijë) apartamente të reja dhe për këtë na duhen
disa qindra milion euro; porse logjikë legalizuese. Pra, shteti i madh dhe i
plotfuqishëm ju përgjigjet menjëherë qytetarëve të tij të dëmtuar nga tërmeti.
Njësoj si me ndërtimtarinë paleje, ju ndërtuar pa leje, ne shteti i madh dhe i
plotëfuqishëm bëjmë një ligj dhe ju japim lejen e legalizimit në dorë. Ju
shtuat volume paleje në ndërtesat me leje, ne bëjmë një ligj tjetër dhe
gjithashtu ju bëjmë të ligjshëm. Shumë larg zgjidhjeve të mbështetur në
planifikimin që përfshin të gjitha burimet që kemi në dispozicion dhe të gjithë
aktorët që ndikuan në këtë gjendje.
Tërmeti
nuk na pyet kur vjen, por mënyra sesi e presim varet tërrësisht nga ne,
prandaj, dëmet materiale nga tërmeti nuk erdhën rastësisht. Ato janë të tilla përshkak
të mënyrës sesi ne kemi lejuar zhvillimin ndërtimor, dhe në këtë rezultat kemi
kontribuar të gjithë. Kanë kontribuar institucionet shtetërore me inekzistencën e tyre megjithëse
qytetarët i kanë financuar nëpërmjet buxhetit të shtetit, kanë kontribuar
kompanitë e ndërtimit me mungesë deontologjike, megjithëse blerësit i kanë
financuar nëpërmjet buxheteve familjare apo kredive të marra, por ka kontrubuar
edhe cdo qytetar që i ka finacuar këto institucione të sektorit publik dhe
privat, në mungesë të përgjegjshmërisë individuale dhe shoqërore për të
kontrolluar produktet e financimit të vet.
Të
gjithë, kush më shumë e kush më pak, kemi dështuar, dhe hapi i parë është
pikërisht pranimi i dështimit. Pranimi i dështimit ka gjasa të mëdha të na
drejtojë në një mentalitet të ndryshëm nga ky, i cili na solli këtu ku jemi,
por gjithashtu na jep edhe zgjidhjen e duhur, të zgjuar, të qëndrueshme dhe
gjithëpërfshirëse që po kërkojmë në këtë moment të vështirë.
Kjo
zgjidhje nuk mund të na vij nga rindërtimi, apo rritja e stokut të banesave në
Durasanë, që na mban në të njëjtën logjikë dhe na drejton në të njëjtën gjëndje
finale; por nga ringritja ku duhet të kontribuojmë të gjithë nën një marrveshje
të re shoqërore për të zgjidhur hallin e sotëm dhe për të projektuar ndërtimtarinë
për të ardhmen. Shteti duhet të pranojë se ka dështuar në detyrën e tij më
bazike atë të planifikimit territorial dhe të sigurimit se zhvillimi ndërtimor,
që prej 27 vjetësh ka përfshirë shumë aktorë privat, të përfundojë në një qytet
të mirë jetueshëm dhe të sigurtë për qytetarët. Industria e ndërtimit duhet të
pranoj se ka dështuar në dorëzimin e ndërtesave, në tërrësinë e tyre,
plotësisht të sigurta dhe në një raport të drejtë midis kërkesës dhe ofertës.
Ndërsa ne qytetarët duhet të pranojmë se kemi dështuar me përgjegjshmërinë individuale
dhe shoqërore që shoqëron individin në vendet e demokracisë liberale dhe
ekonomisë së tregut të lirë.
Marrveshja
e re duhet të mbështetet në tre shtylla sipas kontributorëve. Së pari, shteti
duhet ti drejtohet stokur ekzistues të banesave për të siguruar të gjithë
apartamentet që i nevojiten; të miratoj një moratorium ndërtimi afatgjatë dhe
të ndërmarri një nisëm për ndryshime legjislacioni në shumë aspekte që kanë
lidhje me ndërtimtarinë. Së dyti, kompanitë e ndërtimit duhet të ofrojnë të gjithë
stokun e banesave që kanë të pashitur me cmime preferenciale (të afërta me
kostot që kanë pasur); të ristrukturojnë kapacitetet njerëzore dhe logjistike
dhe të zhvendosin vëmendjen nga ndërtimi i banesave që janë me shumicë në
ndërtimin e infrastrukturave (sociale dhe inxhinierike) që mungojnë. Dhe së
fundi, ne qytetarët duhet të kuptojmë se në sistemin ku kemi zgjedhur të
jetojmë nuk ka vetëm liri individuale por edhe përgjeshmëri individuale, dhe në
këtë kuptim, duhet të mbajmë përgjegjësi për vendimet dhe veprimet tona të lira
dhe individuale. Sepse edhe në kohët kur qytetari nuk kishte asnjë liri dhe në
këtë kuptim asnjë përgjegjësi dhe shteti “siguronte” gjithëcka, tërmeti erdhi
dhe solli dëme edhe më të mëdha.
Comments
Post a Comment