PO SHKOJMË DREJT NJË RINGRITJE KULTURORE APO THELLIMIT TË ETATIZMIT? Liberale, 23. 12. 2019
Ngjarje
të jashtëzakonshme, si ajo e tërmetit të nëntorit, shkundin shoqëritë nga përgjumja
e rehatisë së ‘gjëndjes ekzistuese’. ‘Gjendjet ekzistuese’, sado të këqija
qofshin ato, janë gjithmon më të lehta për tu panuar nga shumica dërmuese e
individëve të shoqërisë, sesa ndryshimi i tyre. Ndryshimet kërkojnë përpjekje
dhe punë, gjë që nuk është shumë e pëlqyeshme nga individi që, sikurse do na
thoshte Karl Poper, me dembelizmin dhe parazitizmin që i karakterizon
parapëlqejnë të gjejnë ato fakte që vërtetojnë hipotezën e tyre. Që në këtë
rast është ‘status quo’-ja, e cila edhe për shoqëritë më dembele tronditet nga
ngjarje të tilla të jashtëzakonshme!
Shoqëri
të ndryshme reagojnë në mënyra të ndryshme, në varësi të fazës së civilizimit në
të cilin ndodhen, ndaj ndryshimit të kërkuar. Nëse i referohemi Ogyst Kont,
shoqëri të ‘etapës së mitologjisë’ nuk kanë nevojë për fakte apo mendim
shkencor sepse këto shoqëri nuk kanë pyetje; kurse shoqëritë e ‘etapës së
kërkimit shkencor’ shtrojnë pyetje dhe presin përgjigje të arsyetura nga
komuniteti i tyre shkencor. Në raport me këtë, disa shoqëri i kthehen
kulturalisht riteve e zakoneve për respektim dhe adhurim të hyjnive që i kishin
“harruar” përgjatë kohës, kurse shoqëri të tjera ju japin kuptim politik në
praktikë, përgjigjeve të shkencëtarëve të tyre.
Në
një udhëkryq të ngjashëm gjendet edhe shoqëria shqiptare e tërmetuar në nëntor
të këtij viti: a do ti dorëzohet “mitologjisë” dhe do zhytet më thellë së
etatizëm e punizëm; apo do ti dorëzohet shkencës për të marrë një udhëtim të ri
kulturor në demokracinë liberale dhe sundimin e ligjit.
Mirëpo,
shoqëria shqiptare është në një hall edhe më të madh se ky, shkencëtarët e saj
nuk po i japin dot përgjegje shteruese. Gjithcka që ata na thonë konvegon në
pikën se ‘shteti nuk ka funksionuar’ në kontrollet që duhet të kryente dhe se
‘ndërtuesit ishin aq të pangopur për fitime’ saqë i ndërtuan strukturat me
mangësi sasiore dhe cilësore të materialeve të ndërtimit. Shoqëruar me një
nostalgji evidente për mitologjinë e ndërtimeve ‘të kohës së xhaxhit’, ajo që
shkencëtarët po na thonë është se, shoqëria shqiptare duhet të kthehet në mënyrën
e funksionimit centralist të ekonomisë dhe institucioneve, sepse vetëm kështu
mund të shpëtojmë nga dëmet nga tërmeti.
Në
realitet është plotësisht e kundërta; jo vetëm se ndërtesat e kohës së xhaxhit
u dëmtuan më shumë dhe më rëndë se ato të tranzicionit; jo vetëm se punimet
shkencore, që do na risnin kapacitetet mbrojtëse ndaj tërmetit, edhe në atë
kohë janë injoruar po aq sa sot; jo vetëm se jeta, shëndeti dhe pasuria e
individit vlen shumë më tepër sot se në atë kohë; por edhe për një arsye plotësisht
teknike që unë do tentoj ta prezantoj në këtë shkrim të shkurtër të
opinionit.
Ishte
niveli i lartë i korrupsionit dhe burrokracisë, si dy karakteristika bazike të
qeverive të mëdha të kuptime puniste dhe etatiste, që lartësuan konceptin ‘leje
ndërtimi’ mbi konceptin ‘projekt zbatimi’, që sollën këto dëme katastrofike nga
ky sulm i natyrës. Nëse do bënim një profil të procesit dhe aktorëve të përfshirë
në ndërtimin e një ndërtese, në këto vite tranzicion, do dallojmë tre grupe:
inxhinierët dhe punonjësit e tjerë, të cilët kontribuojnë me projektin dhe
zbatimin e tij; investitorët, që sigurojnë paratë që investohen dhe lejet e kërkuara
nga qeveria; dhe politikanët e burokratët, të cilët i japin këto leje dhe
kontrollojnë se projekti është hartuar dhe zbatuar në përputhje me normativat,
bile edhe i miratojnë këto normativa shtetërore.
Mbivlerësimi
i koncetit ‘leje ndërtimi’, i cili duhet të ishte një procedurë e thjeshtë
administrative porse u kthye në një ‘burokraci që kushtonte 20% të vlerës së ndërtesës’,
prodhoi rritjen e vlerës së investitorit që e siguronte këtë copë letër, dhe
politikanëve dhe burokratëve që kishin autoritetin për ta dhënë atë. Për
konseguencë logjike, ‘projekti i zbatimit’ dhe aktorët që e prodhonin atë u
c’vlerësuan deri në pikën e mosqënies, sepse askujt nuk i duhej projekti, kur
“lufta” e vërtetë ishte të merrje lejen e ndërtimit! Marrdhënia e roleve të
aktorëve dhe kontributeve të tyre në procesin e zhvillimit pësuan tërmetin e
tyre kulturor, dhe rezultati u prezantua i qartë në sytë e të gjithëve kur
godinat e kësaj mendësie u takuan me tërmetin natyror.
Prandaj,
në këtë moment të rëndësishëm, duhet të kemi kujdes të madh të mos marrim rrugën
që na vjen më shumë për shtat, ti rikthehemi kulturës së vjetër, e të fuqizojmë
politikanët dhe investitorët; por të marrim rrugën e një ringritje të re
kulturore, ku shkenca dhe teknika të kenë rol deciziv. Sepse kultura e vjetër
etatiste, na drejton në mbivlerësimin e mëtejshëm të ‘lejes së ndërtimit’, dhe
kjo nga ana e saj na drejton në një shtet më të madh të populluar nga burokratë
dhe politikanë më të pasur, por kurrësesi në ndërtesa më të qëndrueshme nga
tërmeti. Te ato, na drejtojnë liritë politike e ekonomike, që rrisin
përgjeshmëritë e individit (përfshirë nivelin deontologjik të profesionistëve)
dhe një rol i ri i shkencës, teknikës dhe risive në jetët tona.
Comments
Post a Comment