TË FILLOJME TË FLASIM PËR RINGRITJEN! Liberale, 02. 12. 2019
Tërmeti
i 26 nëntorit vijon të na shkundi mendjen dhe zemrat prej ditësh, dhe duket
sikur nuk do të na i heqi më kthetrat nga shpina, nëse ne nuk e braktisim më
parë. Duhet ta braktisëm tërmetin në të
njëjtën mënyrë si lëshuam qeverinë të ikte me vetmine e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë
së saj. Sepse, në këto ditë të tmerrshme, ne nuk kemi më qeverisje. Jemi vetëm,
me familjet tona, me fqinjët tanë, me të afermit tanë, me bashkëqytetarët tanë,
me të njohur apo të panjohur ndër shqiptarë të gjithë trojeve shqiptare, bile
edhe me të huaj që po bëjnë punët e institucioneve tona; por pa qeveri
funksionale.
Shqiptarët
e kuptuan se Shteti i tyre nuk është asgjë më tepër se një ‘kasolle’ kashte që
bie nga flladi më i lehtë i erës, në një kohë kur prej 6 vjetësh ju ishte
premtuar se po ndërtohej një ‘Shtet’ aq të fuqishëm sa do tju përgjigjej, ashtu
si nuk ju ishte përgjigjur asnjëherë tjetër në 30 vjet! Kështu që e flakën
qeverinë, sikurse bëhet me cdo vegël të dëmtuar që nuk shërben dhe morrën në
dorë fatin e tyre. Mes dhimbjes dhe ankthit, ishte e mrekullueshme të dalloje
një pafundësi individësh që vet- fituan lirinë e brendshme nga gërdalla qeveri
e Rilindjes, dhe me përgjeshmërinë që ta siguron vetëm kjo lloj lirie morrën në
dorë fatin e jetës së tyre, të të afërmëve e fqinjëve dhe kujtdo tjetër që
kishte nevojë për ndihmë.
Në
këtë frymëzim të përgjithshëm lirie duhet të shfaqemi të përgjegjshëm dhe të
hapim një derë të madhe, e cila mund të na drejtoj në një ngritje të re
kulturore të shoqërisë. Dhe kur them ringritje nuk bëhet fjalë vetëm për të dalë
nga humnera ku na groposi tërmeti në bashkëpunim me qeverinë inekzistente, por
për një ringritje kulturore në lartësinë që duhet por nuk e mbëritëm dot kurrë
në 30 vite tranzitim nga një shoqëri e gënjeshtrës në një shoqëri të së vërtetës.
Kushdo ekspert, nga cdo fushë e mendimit teknik e shkencor, mund dhe ka detyrim
moral e patriotik ndaj popullit të tij të propozojë rrugëdalje. Unë, shumë
modestisht, i përulur ndaj kombit tim që më shumë sesa nga tërmetet është dëmtuar
nga qeveritë dhe orbitat "intelektuale" në shërbim të tyre, po
prezantoj bruto disa mendime nga fusha e urbanistikës dhe zhvillimit territorial.
Ky
do të jetë një proces i gjatë, me kosto të mëdha jo vetëm ekonomike, dhe i ndarë
në dy shtylla, të cilat duhet të fillojnë të zbatohen të dyja menjëherë. Sot do
fokusohemi te shtylla e parë, e cila quhet ‘faza e emergjences’ dhe shërben për
të dalë nga kjo gjëndje katastrofike ku e kemi cuar veten në drejtimin e
qeverive injorante të këtyre viteve. Ajo duhet të përbehet nga katër projekte
emergjente që nisin me shkatërrimin e ndërtesave të pabanueshme apo me risk të
madh, pastrimin e territorit nga mbetjet e tyre dhe kthim e tij në hapsira të
hapura dhe të gjelbërta. Kjo kërkon verifikim në terren të qëndrueshmërisë
mekanike të cdo ndërtese, c'ka kërkon shumë kohë nëse nuk niset nga ato ndërtesa
që dukshëm shfaqen të dëmtuara.
Paralelisht
me këtë projekt duhet të nisi ai për kthimin e ndërtesave në gjendjen mekanike
të projektuar, edhe në respektin e riskut sizmi. Pra, balancimin e cdo
diference që ndërtesa ka sot, e cila nuk ishte përcaktuar në projekt. Kjo nis me mbylljen e plotë dhe të menjëhershme
të hapjeve të kateve të para që janë kthyer në dyqane. Tregtia e shitjeve me
pakicë tashme po koncentrohet në qëndrat tregtare, dhe këto dyqane me carje nuk
janë më as nevojë ekonomike. Prishja e menjëhershme e të gjitha shtesave
vertikale paleje në ndërtesa në ndërtesat me leje, është një projekt
komlementar me të parin. Asnjë kat shtesë mbi projektin që ka marrë leje nuk
duhet toleruar, përfshirë ngarkesa të tjera të vendosura në taracë. Sepse, në
një Republikë normale asnjë qytetar nuk mund të privilegjohet mbi një qytetar
tjetër. Asnjë familje që jeton në një pallat nuk i ka ndonjë borxh, aq më pak
jetën, familjeve të kateve të fundit që kanë shtuar sipërfaqet e banesës së
tyre duke shtuar kate.
Një
moratorium të plotë për ndërtim banesash për një periudhë 5-10 vjecare, në
funksion të qyteteve, është domosdoshmëri. Që do të thotë, të ndalohet ndërtimi
i banesave të reja për 5 vjet në fshatra apo qytete të vogla të vendit, dhe 10
vjet në qytetet e mëdha si Durrësi, Tirana, Vlora, Fieri, Elbasani e të tjera.
Kjo politikë nuk duhet konsideruar, sikurse shpesh ndodh, si një dënim apo
hakmarrje ndaj administratave lokale apo sipërmarrjes së ndertimit, por si një
qëndrim logjik, racional dhe i arsyetuar politik. Shqiperia post komuniste ka
rritur stokun e ndërtesave dhe banesa të saj në këto vite tranzicioni me 1.1
milion njësi, ndërkohë që ka zvogëluar popullsinë me 0.7 milion banor.
Projeksione të Bankës Botërore përcaktojnë një ulje të ndjeshme të popullsisë në
të ardhmen. Në këtë konteks, shtimi i volumeve të reja ndërtimore do të ishte,
në rastin më të mirë një budallik, në mos një krim. Lejedhenia duhet të kryhet
vetëm për rikontruksion për të njëjtin volum, rivitalizim dhe modernizim të ndërtesës
ekzistuese.
Comments
Post a Comment