Kur reforma territoriale ha demokracinë lokale! Syri.net, 11. 08. 2026

Në Shqipëri kemi zbuluar një mënyrë të re për të luftuar burokracinë: nuk heqim burokratët, heqim të zgjedhurit. Është një shpikje institucionale që meriton patentë. Mazhoranca socialiste po përgatitet të reduktojë numrin e bashkive nga 61 në 46 dhe na shpjegon se qytetarët nuk duhet të shqetësohen: shërbimet do të vazhdojnë, njësitë administrative do të mbeten, strukturat në territor do të jenë aty. Zyra administrative do të funksionojë, nëpunësi do të jetë pas sportelit dhe qytetari, teorikisht, do të marrë shërbimin. Vetëm një gjë e vogël do të mungojë: pushteti që ai zgjedh me votë. Dhe pikërisht kjo “gjë e vogël” quhet demokraci lokale.

Në pesëmbëdhjetë territore që sot janë bashki, qytetarët nuk do të zgjedhin më kryetarin dhe këshillin e tyre bashkiak. Nuk do të kenë më parlamentin e tyre lokal. Vendimmarrja politike do të zhvendoset në një qendër tjetër, ndërsa në territor do të mbetet administrimi. Pra, burokracia mbetet, vota ikën. Është një lloj kirurgjie institucionale ku premtohet dobësimi i trupit, por në vend të dhjamit hiqet truri.

Këtë film e kemi parë. Reforma e vitit 2014 u prezantua edhe si instrument për uljen e kostove burokratike. Shqipëria kishte 373 bashki dhe komuna dhe argumenti dukej elegant: bashkojmë njësitë, eliminojmë administratat e tepërta, kursejmë para dhe rrisim eficiencën. Matematikë e bukur në PowerPoint. Vetëm se shteti nuk jeton në PowerPoint. Rreth vitit 2015 pushteti vendor kishte afërsisht 20 mijë punonjës; në vitin 2024 numri iu afrua 39 mijëve. Pra, njësitë politike u pakësuan në mënyrë drastike, ndërsa punonjësit pothuajse u dyfishuan.

Kjo është një nga ato mrekullitë shqiptare ku kursimi prodhon më shumë shpenzim, thjeshtimi më shumë burokraci dhe decentralizimi më shumë koncetrim. Nëse reforma e vitit 2014 do të kishte qenë vërtet një reformë kundër kostos burokratike, pas dhjetë vjetësh duhej të kishim më pak administratë. Por kemi më shumë. Çfarë kemi më pak? Më pak kryetarë të zgjedhur, më pak këshilla të zgjedhur, më pak qendra politike lokale dhe më pak vende ku qytetari mund ta kapë pushtetin prej xhakete dhe t’i kërkojë llogari.

Sepse demokracia lokale nuk matet me numrin e sporteleve apo të tavolinave në zyrat e administratës. Ajo matet me një pyetje shumë më të thjeshtë: kush e zgjedh njeriun që merr vendimin? Para reformës së 2014-s, qytetari në komunitetet që ishin komuna apo bashki zgjidhte kryetarin dhe këshillin e tij. Mund t’i pëlqente ose jo, mund ta rizgjidhte ose ta përzinte me votë. Pas reformës, në shumë prej atyre territoreve mbeti administratori. Por administratori nuk merr mandat nga komuniteti. Ai emërohet. Qytetari zgjedh më pak; pushteti emëron më shumë.

Tani propozohet edhe një kat tjetër mbi të njëjtën ndërtesë. Pesëmbëdhjetë bashki të tjera humbasin statusin politik, ndërsa territoret dhe strukturat administrative vazhdojnë të ekzistojnë. Atëherë ku qëndron kursimi? Te demokracia? Sepse, nëse struktura mbetet, administrata mbetet dhe shërbimi duhet të vazhdojë, ajo që zhduket është pikërisht ajo që qytetari zgjidhte: kryetari dhe këshilli i tij. Vijat që fshihen në hartë janë vetëm pjesa e dukshme e reformës; pas tyre fshihet një rishpërndarje e pushtetit. Pyetja themelore nuk është sa të mëdha do të jenë bashkitë, por sa larg qytetarit do të vendoset pushteti që qeveris mbi të.

Këtu hyn parimi i subsidiaritetit. Nuk është ndonjë ornament akademik për raportet e integrimit europian. Është një ide demokratike fare e thjeshtë: atë që mund ta vendosë komuniteti, nuk ka pse ta vendosë qendra. Pushteti duhet të ushtrohet në nivelin më të afërt me qytetarin që është në gjendje ta ushtrojë atë. Modeli Rama ecën në kahun e kundërt. Komuniteti humbet të zgjedhurin dhe fiton administratorin; vendimmarrja largohet, emërimi afrohet; pushteti nuk shpërndahet, por ngjitet shkallë pas shkalle drejt qendrës.

Dhe këtu historia bëhet edhe më ironike. Sepse kjo që po bëjmë sot është e kundërta e drejtimit që Shqipëria mori në vitin 1992. Atëherë po dilnim nga një sistem ku pushteti lokal ishte hallkë e shtetit-parti dhe drejtuesit lokalë prodhoheshin nga hierarkia politike, jo nga vullneti i komunitetit. Demokracia e re shqiptare bëri lëvizjen e kundërt: nga emërimi drejt zgjedhjes, nga vartësia prej qendrës drejt mandatit prej qytetarit. Kryetarët e bashkive dhe komunave, bashkë me këshillat vendorë, u bënë shprehje e sovranitetit qytetar në territor.

Tridhjetë e katër vjet më vonë po ecim në kahun e kundërt. Reforma e 2014-s shkriu komunat, zhduku kryekomunarët dhe këshillat e tyre të zgjedhur dhe la në territoret e tyre administratorët e emëruar. Reforma e 2026-s kërkon ta vazhdojë të njëjtën logjikë me pesëmbëdhjetë bashki të tjera. Atëherë po zëvendësonim emërimin me votën. Sot po zëvendësojmë votën me emërimin. Atëherë po shpërndanim pushtetin për të ndërtuar demokracinë; sot po e mbledhim për të ndërtuar piramidën.

Prandaj debati nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë 61, 46 apo një numër tjetër bashkish. Numri është fundi i diskutimit, jo fillimi i tij. Pyetja është nëse po e çojmë pushtetin drejt qytetarit apo po e largojmë prej tij. Sepse një reformë që ruan administratën, por eliminon përfaqësimin; që mban zyrën, por heq parlamentin lokal; që mban administratorin, por zhduk të zgjedhurin, nuk ka reformuar burokracinë. Ka reformuar demokracinë. Dhe e ka reformuar në kahun e gabuar.

Në vitin 1992 nisëm t’ia kthenim pushtetin vendor qytetarit. Në vitin 2026, me emrin modern “Reforma Territoriale 2.0”, rrezikojmë t’ia marrim përsëri. Paketimi ka ndryshuar. Produkti politik është shumë më i vjetër. Dhe kur pushteti largohet nga qytetari, ngjitet shkallë pas shkalle drejt qendrës.

Të gjitha rrugët po çojnë te Rama.

 

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013