Skanimi i fundit: në kërkim të pronës publike që i ka shpëtuar kullëzimit! Syri.net, 19. 08. 2026
Në ditën e 80-të të një proteste që ka marrë përmasat e një kundërshtimi mbarëpopullor, makineria qeverisëse vazhdon të punojë me qetësinë e një zyre noteriale. Jashtë kërkohet largimi i qeverisë; brenda vulosen shkresat. Kriza e legjitimitetit nuk është më një hall i opozitës. Ajo është bërë problem i marrëdhënies së qeverisë me shoqërinë shqiptare si një e tërë dhe, gjithnjë e më dukshëm, i besueshmërisë së saj përballë partnerëve ndërkombëtarë.
Por
makineria nuk shqetësohet nga gjëra të tilla sentimentale. Ajo vazhdon të
prodhojë akte, të skanojë territorin, të inventarizojë prona dhe të përgatisë tjetërsimin
e tyre.
Dhe
tani rrezja e skanerit është kthyer edhe një herë.
Këtë
herë mbi godinat e vjetra të shtetit.
Një
udhëzim i ri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit kërkon
identifikimin e pasurive shtetërore mbi 70-vjeçare ose që mund të kenë vlera
historike, arkitektonike, artistike, arkeologjike apo etnografike. Për secilën
duhen mbledhur koordinatat, parcela, sipërfaqja, pronësia, përdorimi, numri i
kateve, aksesi, gjendja fizike e strukturore, historiku, fotografitë dhe
hartat.
Në
një vend normal do të ishte lajm i bukur: shteti po kërkon kujtesën e vet për ta mbrojtur.
Në
Shqipërinë e kullave, megjithatë, duhet bërë edhe pyetja e pahijshme: po inventarizohet historia që duhet shpëtuar,
apo po maten parcelat ndërtimore që ende “okupon” historia?
Sepse
kemi një problem të vogël logjike. Shteti shqiptar ka prej dekadash një stok,
të njohur dhe të mbrojtur ligjërisht, monumentesh e pasurish kulturore. Shumë
prej tyre vuajnë nga degradimi, mungesa e mirëmbajtjes, ndërhyrjet problematike
dhe presioni i zhvillimit.
Pra,
shteti nuk kujdeset dot siç duhet për trashëgiminë
që e di se e ka, por tani është shqetësuar të zbulojë edhe trashëgiminë
që nuk e di se e ka.
Një pasion i vonë për historinë.
Nuk bën sens.
Ose, më saktë, nuk bën sens nëse e lexon vetëm si
politikë të trashëgimisë.
Bën shumë më tepër sens kur kujton se çfarë ka ndodhur me
pronën publike gjatë këtyre viteve.
Në
vitin 2019, me ligjin nr.71/2019, u krijua Korporata e Investimeve Shqiptare.
Në vitin 2024, me VKM nr.137, iu dha kutia e veglave: prona shtetërore mund të
jepej me qira, enfiteozë, leasing, të shitej, të përdorej si kolateral apo në
forma të tjera zhvillimi.
Çelësi
ishte futur në bravë. Pastaj dera filloi të hapej.
Pronat
nisën të transferoheshin te Korporata. Në Vrinë të Konispolit ajo u autorizua
të identifikonte vetë pronat shtetërore me interes investimi, të saktësonte
kufijtë, t'i konsolidonte, regjistronte dhe të përgatiste masterplanin.
Pra,
nuk pritej më prona. Prona kërkohej
atje ku ishte.
Dhe
radari vazhdoi udhëtimin: “Selman Stërmasi”, “Asllan Rusi”, “Niko Dovana”,
Biblioteka Kombëtare, Pallati i Kongreseve, rezidenca shtetërore, ish-Kombinati
Metalurgjik, godina administrative, Expo Albania.
Në
janar 2025 qeveria i vuri kësaj filozofie edhe një emër që meriton çmim për
sinqeritet administrativ: “Për
zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore”.
Emrat ndryshojnë. Formula mbetet:
Identifiko. Konsolido.
Transfero. Zhvillo. Dhe, kur duhet: prish.
Kjo e fundit nuk është sarkazëm. Është terminologji
qeveritare. Në vendime konkrete, Korporata autorizohet të procedojë me prishjen e objekteve ekzistuese,
ndërsa zhvillimi mund të realizohej përmes procedurave konkurruese me partnerë
privatë.
Rasti i “Asllan Rusit” është ilustrues. Me VKM nr.298,
datë 28 maj 2025, Korporata autorizohet të veprojë si zhvilluese, të zhvillojë
procedurën për partner privat, të negociojë kontratën dhe të procedojë me
prishjen e objekteve ekzistuese. Në vitin 2026, me VKM nr.119, melodia luhet
përsëri: pronë shtetërore, Korporatë, partner privat, konsolidim, zhvillim dhe
mundësi prishjeje.
Kështu godina publike nis një jetë të dytë, shumë më
moderne. Dje ishte institucion. Sot quhet “aset”. Nesër bëhet “pronë për
zhvillim”. Pasnesër kantier.
Është një lloj rimishërimi
urban: godina vdes, trualli rilind.
Aty ku qytetari sheh një shkollë, stadium, institucion
apo godinë publike, makineria e zhvillimit ka mësuar të shohë diçka shumë më të
pastër: truallin poshtë saj.
Dhe tani mbërrijmë te udhëzimi i ri.
Pas stadiumeve, rezidencave, zonave industriale, godinave
administrative dhe parcelave të tjera shtetërore, skaneri hyn në një dhomë
tjetër: stokun e ndërtesave shtetërore
mbi 70-vjeçare.
Por atëherë qeveria duhet të na shpjegojë këtë paradoks
të vogël: pse një shtet që nuk arrin të
mbrojë siç duhet trashëgiminë që ka të identifikuar prej dekadash, ka zbuluar
papritur një energji të jashtëzakonshme për të kërkuar një stok të ri objektesh
për t'u mbrojtur?
Një shtet që mezi ruan atë që ka brenda në muze, papritur
po kontrollon edhe papafingon.
Dhe pyetja më interesante është tjetër: çfarë ndodh me
godinat që kontrollohen dhe nuk e
marrin statusin? Sepse edhe ato do të dalin nga procesi me një dosje të
admirueshme: koordinata, parcelë, sipërfaqe, pronësi, përdorim, gjendje fizike,
akses, fotografi, hartë.
Një katalog pothuajse perfekt.
Jo vetëm për të ditur çfarë duhet ruajtur.
Por, rastësisht, edhe për të ditur çfarë mund të zhvillohet.
Nuk kemi provë se ky është qëllimi i udhëzimit. Akuza serioze kërkon prova serioze. Por
kemi 13 vjet përvojë për të ditur se ku duhet ta mbajmë dorën mbi portofol kur
qeveria fillon të interesohet për pronën publike. Dhe kemi një varg aktesh që
provojnë se mekanizmi për identifikimin, konsolidimin, transferimin dhe
zhvillimin e saj ekziston.
Prandaj,
në ditën e 80-të të protestës, kjo histori merr një kuptim edhe më të rëndë.
Një qeveri që përballet me krizë të thellë
legjitimiteti shoqëror dhe me erozion të besueshmërisë ndërkombëtare vazhdon të
sillet me territorin sikur të kishte marrë hipotekën e Shqipërisë përjetë.
Jashtë protestohet. Brenda numërohen parcelat.
Sikur koha politike të kishte ngrirë. Sikur prona publike
të ishte një magazinë gjigante që duhet kontrolluar deri në raftin e fundit
para se të fiket drita.
Kjo është pikërisht mënyra e të menduarit kundër së cilës
protesta është edhe protestë për territorin: ideja se çdo pronë publike ka një
çmim, çdo godinë mund të reduktohet në parcelë dhe çdo parcelë mund të presë
zhvilluesin e radhës.
Prandaj, pas gjithë asaj që kemi parë, kjo duket frikshëm
si kontrolli i fundit i magazinës:
mos ka mbetur diku ndonjë copë pronë publike që i ka shpëtuar radarit.
Godina plaket. Institucioni
zhvendoset. Statusi ndryshon. Muret bien.
Vetëm trualli nuk plaket kurrë.
Dhe ndërsa Shqipëria hyn në ditën e 80-të të protestës, makineria vazhdon të kërkojë pronën e radhës
— dhe kulla vendin ku do të ngrihet nesër.
Comments
Post a Comment