Dy harta, dy Shqipëri: 46 bashki për Ramën apo 100 bashki për qytetarin? Syri.net, 04. 08. 2026

 

Sa herë qeveria shqiptare nuk dëshiron të flasë për shtetin dhe pushtetin, nxjerr hartën mbi tavolinë. Merr lapsin, fshin disa kufij, bashkon disa ngjyra dhe e quan këtë modernizim të shtetit. Sikur një bashki të bëhej më e aftë vetëm sepse është vizatuar më e madhe. Sikur qytetarit t’i vinte shërbimi më pranë, sa më larg t’i çohej institucioni.

Në dukje, debati i sotëm është mes dy numrave: 46 bashki të propozuara nga PS-ja dhe 100 bashki të propozuara nga PD-ja. Por numrat janë vetëm hija e debatit. Përplasja e vërtetë është ndërmjet dy mënyrave për ta lexuar reformën e vitit 2014 dhe dy ideve të kundërta për marrdhënien mes shtetit, territorit dhe qytetarit.

PS-ja e sheh reformën e vitit 2014 si sukses që ka nevojë për disa riparime. Sipas saj, kalimi nga 373 njësi vendore në 61 bashki ishte drejtimi i duhur; ndërkohë popullsia është pakësuar, vendbanimet kanë ndryshuar dhe kostumi administrativ duhet ngushtuar sërish. Nga 61 në 46 bashki: një hartë më e vogël për një Shqipëri që po zbrazet.

Logjika është pothuajse poetike në absurditetin e saj. Kur një territor humbet njerëzit, hiqi edhe institucionin. Kur periferia dobësohet, largoja edhe më shumë vendimmarrjen. Kur administrata nuk menaxhon dot territorin që ka, jepi territor më të madh. Është si t’i shtosh tri kate një godine që nuk mban dot katin përdhes dhe pastaj të shpallësh se ke rritur eficiencën.

PD-ja niset nga një diagnozë tjetër: reforma e vitit 2014 nuk është një sukses i rrudhur nga koha, por një dështim që kërkon rikonceptim. Ajo ndryshoi hartën, por jo qeverisjen. Krijoi bashki më të mëdha, por jo më funksionale. Premtoi më pak administratë, por dyfishoi numrin e punonjësve dhe kostot për mbajtjen e saj. Premtoi shërbime më të mira, por në shumë territore shërbimet u dobësuan, u përqendruan në qytetin qendror ose u larguan nga qytetari.

Ish-komunat u kthyen në njësi administrative pa organe të zgjedhura dhe pa peshë reale politike. Fshati nuk fitoi më shumë shërbime; fitoi më shumë kilometra deri te zyra. Qyteti i vogël nuk u integrua në një sistem zhvillimi; u shndërrua në periferi të brendshme të një bashkie gjigante. Qytetari nuk fitoi një bashki më të fortë; fitoi një kryetar më të largët.

Kështu, reforma e vitit 2014 ndërtoi një centralizim të veshur si pushtet vendor. Tirana u forcua ndaj vendit; qyteti qendror u forcua ndaj territorit bashkiak; kryetari u forcua ndaj komuniteteve. Një piramidë ku pushteti ngjitet lart te Rama, ndërsa përgjegjësia zbret poshtë te qytetari.

Propozimi i PD-së për 100 bashki nuk është rikthim nostalgjik te harta e vjetër dhe as një fabrikë e re vulash, zyrash e karrigesh. Ai mbështetet në një raport të plotë që lidh hartën me ndarjen e funksioneve, kompetencat, financimin, kapacitetet administrative, përfaqësimin demokratik, bashkëpunimin ndërbashkiak dhe koordinimin rajonal.

Funksionet që kërkojnë afërsi duhet të ushtrohen pranë qytetarit. Ato që kërkojnë ekonomi shkalle, infrastrukturë të përbashkët apo territor më të gjerë duhet të organizohen përmes bashkëpunimit ndërbashkiak dhe mekanizmave rajonalë. Kjo është diferenca mes decentralizimit dhe copëzimit: copëzimi prodhon njësi pa burime; decentralizimi prodhon institucione me përgjegjësi, financa dhe pushtet real.

Por reforma territoriale nuk është vetëm administratë dhe shërbime. Ajo është edhe model zhvillimi.

Shqipëria ka shumë qytete në hartë, por nuk ka ende një sistem policentrik funksional. Tirana dhe korridori Tiranë–Durrës tërheqin popullsinë, kapitalin, universitetet, administratën dhe investimet. Qytetet e tjera mbeten shpesh stacione nga ku pritet autobusi i radhës drejt kryeqytetit ose avionit të radhës drejt emigrimit.

Një reformë që redukton më tej numrin e bashkive rrezikon ta forcojë këtë gravitet. Mund të krijojë qendra administrative më të mëdha, por jo qytete më të forta. Mund të vizatojë territore më të gjera, por jo ekonomi më funksionale. Mund ta pastrojë hartën nga “rrëmuja” e bashkive, ndërsa pastron territorin edhe nga institucionet, përfaqësimi dhe mundësitë e zhvillimit.

Shqipërisë i duhet e kundërta: qytete dytësore të forta, bashki funksionale, marrëdhënie të qëndrueshme qytet–fshat, specializim ekonomik, komplementaritet ndërmjet qendrave dhe koordinim rajonal. Reforma duhet të krijojë koherencë ndërmjet territorit, funksioneve, financave, institucioneve, demokracisë dhe zhvillimit. Pa këtë lidhje, harta mbetet dekor institucional.

Prandaj varianti i PD-së është më i mirë për Shqipërinë. Jo sepse numri 100 ka fuqi magjike, por sepse mbështetet mbi një diagnozë më të drejtë dhe një model më të plotë. Reforma e vitit 2014 nuk mund të shërohet duke marrë një dozë edhe më të fortë të së njëjtës terapi.

PS-ja propozon ta përmirësojë centralizimin duke e përqendruar më tej. PD-ja propozon të rindërtojë vetëqeverisjen vendore mbi afërsinë, përfaqësimin, subsidiaritetin, funksionet e financuara dhe zhvillimin policentrik.

Dhe këtë dallim kanë filluar ta kuptojnë edhe qytetarët. Nga Prrenjasi në Divjakë, nga Maliqi në Patos, nga Cërriku në Dimal, Belsh, Memaliaj e Klos, komunitetet po kundërshtojnë hartën që u kërkon të besojnë se do të shërbehen më mirë pasi t’u hiqet bashkia. Në territore të tjera kundërshtimi ka hyrë në institucionet vendore dhe madje brenda vetë strukturave socialiste.

Kjo nuk është kapriço provinciale. Është reagimi i territorit ndaj një qeverie që, pasi largoi përfaqësimin dhe shërbimet, kërkon të largojë edhe vetë institucionin — gjithmonë, natyrisht, në emër të përmirësimit.

Dhe vala mund të zgjerohet. Krahas komuniteteve që po mbrojnë statusin e sotëm, do të ngrihen edhe qendrat që reforma e vitit 2014 i fshiu nga harta politike, por që propozimi i PD-së i njeh përsëri si bashkësi të afta për vetëqeverisje.

Sepse qytetarët nuk mbrojnë një tabelë në hyrje të qytetit. Mbrojnë zërin, institucionin dhe të drejtën për të vendosur mbi territorin ku jetojnë.

Në fund, zgjedhja nuk është vetëm mes 46 dhe 100 bashkive. Është mes një Shqipërie që administrohet nga larg dhe një Shqipërie që qeveriset nga afër.

Njëra hartë e sheh territorin nga tavolina e pushtetit. Tjetra nga pragu i shtëpisë së qytetarit.

Qeveria mund t’i fshijë bashkitë me laps. Por sa më shumë vija fshin nga harta, aq më shumë vija proteste vizaton nëpër Shqipëri.

 

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013