Zvërnec–Narta: jo një debat për resortin; por për kapitalin natyror të Shqipërisë. Mapo, 22. 06. 2026

 Ky shkrim është pjesë e një serie prej tre artikujsh kushtuar debatit mbi Zvërnec–Nartën. Artikujt trajtojnë respektivisht dimensionin e qeverisjes territoriale, dimensionin ekonomik dhe dimensionin mjedisor të çështjes. Teza e përbashkët është se debati nuk kufizohet te një resort turistik, por prek mënyrën se si Shqipëria qeveris, zhvillon dhe administron territorin e saj.

 

Debati për Zvërnec–Nartën është paraqitur shpesh si përplasje mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. Nga njëra anë flitet për investim të madh, turizëm elitar, vende pune dhe rritje të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Nga ana tjetër ngrihen shqetësime për lagunën, shpendët, biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura. Por ky debat varfërohet nëse mbetet te formula e vjetër “zhvillim apo mjedis”. Pyetja më serioze është tjetër: a po e trajton Shqipëria natyrën si kapital kombëtar, apo si dekor që mund të konsumohet për fitim afatshkurtër?

Në thelb, rasti Zvërnec–Nartë është debat për kapitalin natyror të vendit. Kapital natyror nuk janë vetëm pyjet, lagunat, deti, toka apo shpendët. Kapital natyror janë edhe funksionet që këto sisteme kryejnë: pastrimi i ujit, mbrojtja nga erozioni, ruajtja e biodiversitetit, balancimi i klimës lokale, peizazhi, cilësia e jetës dhe identiteti territorial. Këto janë pasuri reale, edhe kur nuk shfaqen në bilancet financiare të një projekti.

Zvërnec–Narta nuk është një truall i zakonshëm në pritje të “zhvillimit”. Është një territor ku ndërthuren laguna, pyje bregdetare, habitate, peizazh, biodiversitet dhe interes publik. Aty jetojnë dhe kalojnë specie jashtëzakonisht të rralla, si Pelikani kaçurrel dhe Karabullaku i zi, të cilat nuk janë hollësi romantike për broshura mjedisore, por tregues të vlerës së jashtëzakonshme ekologjike të zonës. Një territor ku këto specie gjejnë strehë nuk mund të trajtohet me të njëjtën logjikë si një parcelë ndërtimi në periferi.

Kujtesa institucionale shqiptare e di këtë. Qeveria e viteve 2005–2013 e mbajti të bllokuar për shumë kohë ndërtimin e autostradës Fier–Vlorë pikërisht sepse kërkohej një zgjidhje që infrastruktura të mos dëmtonte këto specie të rralla dhe habitatin e tyre. Pra, edhe një projekt publik madhor, si autostrada, u detyrua të ndalet, të rishikohet dhe të kërkojë ekuilibër me natyrën. Sot, për një zhvillim turistik privat, ky standard nuk mund të bjerë. Përkundrazi, duhet të jetë edhe më i fortë.

Këtu hyn koncepti i biokapacitetit. Biokapaciteti është aftësia e një territori për të prodhuar burime dhe për të absorbuar mbetje, ndotje dhe CO₂. Me fjalë të thjeshta, është kapaciteti mbajtës dhe rigjenerues i natyrës. Çdo territor ka kufij, ne në urbanistikë e kemi thelbësor kapacitetin maksimal mbajtës. Një territor mund të përballojë një nivel të caktuar ndërtimi, turizmi, infrastrukture, zhurme, ndriçimi dhe lëvizjeje. Kur këta kufij tejkalohen, dëmi nuk shfaqet gjithmonë menjëherë. Territori degradohet ngadalë: habitatet fragmentohen, uji ndotet, shpendët largohen, peizazhi humbet dhe ekosistemi dobësohet.

Bashkë me biokapacitetin duhet folur edhe për gjurmën mjedisore. Ajo mat kërkesën që aktiviteti njerëzor vendos mbi natyrën: tokë të zënë, ujë të konsumuar, energji të përdorur, mbetje të prodhuara, karbon të emetuar, trafik të shtuar dhe presion mbi habitatet. Nëse gjurma mjedisore është më e madhe se biokapaciteti, krijohet deficit ekologjik. Pra, njeriu konsumon më shumë natyrë sesa territori është në gjendje të rigjenerojë.

Për ta kuptuar më qartë këtë raport, mjafton të shohim disa shifra. Në literaturën e planifikimit të qëndrueshëm, gjurma ekologjike matet në hektarë globalë për person. Teorikisht, çdo individ në planet do të kishte në dispozicion rreth 1.7–1.8 hektarë globalë biokapacitet për të përballuar ushqimin, energjinë, konsumin dhe absorbimin e CO₂. Por konsumi real ndryshon shumë: India ka një gjurmë rreth 1.1 hektarë globalë për person, Kina rreth 3.7, Gjermania rreth 5.0, SHBA rreth 8.4, ndërsa Katari arrin rreth 15.7 hektarë globalë për person.

Këto shifra tregojnë se modeli i zhvillimit dhe i jetesës mund të konsumojë shumëfishin e biokapacitetit që i takon realisht një individi në planet. Prandaj pyetja për Zvërnec–Nartën nuk është nëse projekti është i bukur, luksoz apo fitimprurës. Pyetja është çfarë modeli konsumi territorial sjell ai. A respekton kufijtë ekologjikë të vendit, apo importon në Shqipëri gjurmën mjedisore të turizmit elitar global?

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë. Ne nuk jemi vend i madh, me territor të pafund dhe me burime natyrore lehtësisht të zëvendësueshme. Një pjesë e madhe e vlerës sonë turistike lidhet pikërisht me peizazhet, bregdetin, lagunat, malet, lumenjtë dhe zonat ende të paprekura. Nëse këto konsumohen përmes zhvillimeve të pakontrolluara, Shqipëria nuk po e rrit kapitalin e saj. Po e ha atë, po ha Atdheun.

Kjo është ajo që quhet ekonomi e deficitit mjedisor: një ekonomi ku fitimi financiar krijohet duke konsumuar më shumë natyrë sesa territori mund të rigjenerojë. Në letër, projekti mund të duket fitimprurës. Në realitet, humbja transferohet te komuniteti, te qytetarët, te brezat e ardhshëm dhe te vetë territori. Paratë hyjnë sot; dëmi ekologjik mbetet për dekada.

Kjo nuk do të thotë se çdo zhvillim turistik është i gabuar. Shqipëria ka nevojë për turizëm më cilësor, më të organizuar dhe më pak informal. Por turizmi cilësor nuk mund të ndërtohet duke dëmtuar pikërisht atë që e bën territorin të vlefshëm. Shprehjet “turizëm elitar”, “resort ekologjik” apo “zhvillim i qëndrueshëm” nuk mjaftojnë. Një projekt nuk bëhet i qëndrueshëm sepse përdor fjalën “eco”. Bëhet i qëndrueshëm vetëm nëse respekton kapacitetin mbajtës të territorit, kufizon gjurmën mjedisore, ruan habitatet, mbron aksesin publik dhe nuk e kthen natyrën në dekor privat.

Në fund, debati për Zvërnec–Nartën nuk është debat për të zgjedhur midis zhvillimit dhe mjedisit. Ky është një kurth i rremë. Debati real është nëse Shqipëria do të mësojë të zhvillohet duke ruajtur kapitalin e saj natyror, apo do të vazhdojë të prodhojë rritje ekonomike duke konsumuar pikërisht pasuritë që e bëjnë territorin të vlefshëm.

Sepse një vend nuk varfërohet vetëm kur i mungojnë paratë. Varfërohet edhe kur humbet pyjet, lagunat, peizazhet, biodiversitetin dhe aksesin publik në natyrë. Nëse këto humben, edhe një investim 4 miliardë euro mund të rezultojë jo zhvillim, por likuidim i kapitalit natyror të Shqipërisë.

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

LEGALIZIMET, PROCESI ME MORALIN E PIRAMIDAVE. Mapo, 23.04.2014