Zvërnec–Narta: jo një debat për resortin; por për modelin ekonomik të zhvillimit territorial. Mapo, 10. 06. 2026
Ky shkrim është pjesë e një triptiku mbi debatin e Zvërnec–Nartës. Qëllimi nuk është të gjykohet një projekt i vetëm, por të shqyrtohen tre pyetje thelbësore që ai ka nxjerrë në pah: kush vendos mbi zhvillimin e territorit, çfarë modeli ekonomik po ndjek Shqipëria dhe si mbrohet kapitali i saj natyror. Secili prej këtyre dimensioneve trajtohet veçmas, por të tre së bashku formojnë një debat të vetëm mbi të ardhmen e zhvillimit territorial në vend.
Debati për Zvërnec–Nartën është
paraqitur kryesisht si përplasje midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së
mjedisit. Njëra palë thotë se Shqipëria ka nevojë për investime, turizëm
cilësor dhe vende pune. Pala tjetër paralajmëron për dëme mjedisore, humbje
biodiversiteti dhe transformim të pakthyeshëm të një prej zonave më të ndjeshme
të bregdetit shqiptar. Të dyja qasjet kanë të vërtetën e tyre, por asnjëra nuk
shkon deri në fund të problemit. Pyetja reale në këtë debat që ka përfshirë në
protestë gjithë shoqërinë shqiptarë është se çfarë modeli ekonomik të
zhvillimit territorial po ndërtojmë?
Kryeministri, i vetmi njeri që
duket se di diçka konkrete për projektin, ka folur për një investim rreth 4
miliardë euro. Ky nuk është argument i vogël, sepse Shqipëria ka nevojë për
investime serioze, për turizëm më cilësor dhe për ekonomi më konkurruese. Pikëpyetja
fillon kur flasim për financimin e këtyre projekteve.
Në Shqipëri është krijuar bindja
se zhvillimi i madh mund të ndodhë vetëm nëpërmjet kapitalit të huaj. Sa herë kemi
nevojë një investim të rëndësishëm, debati fillon dhe mbaron te pyetja: pse nuk
vijnë investitorët e huaj? Kjo mënyrë të menduari krijon përshtypjen se vendi
vuan nga mungesa e parave. Por të dhënat tregojnë një histori tjetër. Shqipëria
nuk është vend pa kapital, por fatkeqësisht ajo nuk di ta organizojë, menaxhoj
dhe drejtoj kapitalin e vet.
Mjafton të shohim sistemin bankar
dhe do dallojmë se në fund të vitit 2025, raporti kredi/depozita ishte rreth
51.5%. Çfarë do të thotë se, për çdo 100 lekë që qytetarët dhe bizneset mbajnë
në banka, vetëm 51–52 lekë kthehen në kredi për ekonominë. Pjesa tjetër, rreth
48.5% e depozitave, nuk shkon në financimin e familjeve, bizneseve apo
investimeve prodhuese. Në vlerë bruto, bëhet fjalë për afërsisht 890 miliardë
lekë që nuk kanalizohen si kreditim i drejtpërdrejtë për ekonominë shqiptare.
Pra, para ka, por ato nuk lëvizin në drejtimin dhe me forcën që duhet. Ato
qëndrojnë në sistem, por por flejnë dhe nuk materializohen në formë fabrikash,
hotelesh, teknologjish prodhimi, bujqësie moderne apo turizëmi elitar.
Problemi thellohet edhe më shumë
kur shohim çfarë ndodh me fitimet që prodhon vetë ekonomia shqiptare. Sipas të
dhënave të Bilancit të Pagesave, në vitin 2025 të ardhurat nga investimet që i
përkasnin sipërmarrëve të huaj në Shqipëri arritën rreth 1.1 miliard euro. Edhe
pasi zbriten të ardhurat që shqiptarët marrin nga investimet e tyre jashtë
vendit, bilanci neto mbetet negativ me afërsisht 800 milionë euro, që për një
dekadë do të thotë 8 miliard euro. Kjo e bën paradoksin edhe më të fortë,
ndërsa kapitali vendas qëndron i fjetur në banka ose i ngrirë në beton, një
pjesë e madhe e fitimeve që prodhohet në territorin shqiptar largohet nga
Shqipëria.
Pastaj vjen pjesa tjetër e
historisë, ajo për të cilën kemi folur shumë por është kuptuar pak. E kam fjalën
për betonizimin e Tiranës dhe zonave me potencial turizmin, që përveç dëmeve të
tjëra është edhe një ngrënëse parashë. Sipas Censusit 2023, Shqipëria ka rreth
160 mijë banesa dhe apartamente të pabanuara, për të mos folur për 5- 6 milion
metra katrorë banim të ndërtuara 3 vitet e fundit në Tiranë ndërsa popullsia ka
rënë. Nëse llogarisim një vlerë mesatare modeste prej 70 mijë eurosh për
secilën, rezulton se rreth 14 miliardë euro janë të ngrira në asete që
prodhojnë pak ose aspak vlerë ekonomike.
Këto nuk janë thjesht mure bosh,
por kursime familjare, remitanca, vite pune dhe mundësi të humbura, të mbyllura
pas dyerve që nuk hapen. Sikurse janë edhe qindra mijëra banesa të dyta dhe të
treta, kryesisht njësi pushimi, që përdoren disa fundjavë në vit dhe pastaj
mbeten bosh. Në terma ekonomikë, kjo do të thotë se kemi dhjetëra miliarda euro
të vendosura në pasuri të paluajtshme pasive. Në vend që ky kapital të hynte në
fonde zhvillimi, sipërmarrje turistike, projekte të përbashkëta territoriale
apo investime prodhuese, ai është derdhur në beton që shpesh nuk jeton, nuk
punëson dhe nuk prodhon asgjë.
Këtu lidhet Zvërnec–Narta me
modelin ekonomik të Shqipërisë. Pyetja nuk është vetem, a duhet apo jo ky investim? Pyetja më
e rëndësishme është, pse shqiptarët duhet të mbeten gjithmonë shitës toke,
blerës apartamentesh ose punonjës sezonalë, dhe jo bashkëpronarë të zhvillimit?
Në një ekonomi me institucione të forta, treg financiar të zhvilluar dhe siguri
juridike, një pjesë e kapitalit vendas mund të kanalizohej drejt projekteve të
mëdha turistike, marinave, infrastrukturave rekreative dhe sipërmarrjeve
territoriale. Shqiptarët nuk do të shikonin zhvillimin nga gardhi, por do të
kishin aksione në të.
Fakti që kjo nuk ndodh nuk është problem parash, është
problem qeverisjeje. Është paaftësia e qeverisjes për të orientuar zhvillimin
dhe e elitës ekonomike të vendit për të ndërrmarrë rrisqe, që për tridhjetë
vjet Shqipëria ka prodhuar një ekonomi ku kapitali ose depozitohet, ose
betonohet, ose largohet. Dhe një ekonomi ku kapitali nuk qarkullon brenda
territorit, nuk financon prodhimin dhe nuk krijon pronësi të gjerë mbi
zhvillimin, mund të duket sikur rritet, por në të vërtetë dobësohet në
strukturë. Por jo vetëm kaq, por edhe na bën më pak konkurues në rajonin tone, meqë
Kryeministri, sikurse shprehet së fundmi, e ka me shumë merak garën me fqinjët.
Është e kuptueshme, paratë që larguhen nga Shqipëria shkojnë atje ku dijnë ti
investojnë.
Prandaj Zvërnec–Narta nuk është vetëm debat për një
resort, por pasqyrë e modelit ekonomik të
zhvillimit territorial.
Comments
Post a Comment