Zvërnec–Narta: jo një debat për resortin; por për të drejtën politike të shoqërisë mbi zhvillimin e territorit. Mapo, 03. 06. 2026

 Ky shkrim është pjesë e një triptiku mbi debatin e Zvërnec–Nartës. Qëllimi nuk është të gjykohet një projekt i vetëm, por të shqyrtohen tre pyetje thelbësore që ai ka nxjerrë në pah: kush vendos mbi zhvillimin e territorit, çfarë modeli ekonomik po ndjek Shqipëria dhe si mbrohet kapitali i saj natyror. Secili prej këtyre dimensioneve trajtohet veçmas, por të tre së bashku formojnë një debat të vetëm mbi të ardhmen e zhvillimit territorial në vend.

 

Prej ditësh, tashmë, vëmendja publike është përqendruar te protesta kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit dhe Nartës. Për një sy të pastërvitur, kemi të bëjmë me një konflikt të zakonshëm, nga ata që kemi parë shumë në dekadën e fundit. Nga njëra anë qeveria që premton një investim i madh që shoqërohet me zhvillim ekonomik, vende pune dhe rritje të turizmit, dhe, nga ana tjetër banorë, aktivistë dhe qytetarë që shprehin shqetësime për mjedisin, pronën dhe të ardhmen e territorit. Përtej shikimit të parë, sa më shumë zhvillohet debati, aq më e qartë bëhet fakti se çështja nuk kufizohet te ndërtimi apo jo i një resorti, porse, mbi të drejtën politike të shoqërisë për të marrë pjesë në vendimet që formësojnë territorin, ku kjo shoqëri ushtron aktivitete dhe zhvillohet.

Për ta testuar këtë ‘hipotezë’ le të ngrejmë disa pyetje dhe të tentojmë tju përgjigjemi atyre. Sigurisht ne nuk do të sjellim pyetje të jashtëzakonshme, të tipit: si lindi kjo protestë apo kush e organizon atë (?); pse kalohet nga një çështje mjedisore te një çështje patriotike (?); pse mendohet që zgjidhja vjen nga burgosja e kryetarit të opozitës së bashku me atë të qeverisë (?)! Jo, ne nuk do ta bëjmë këtë. Ne do ngrejmë disa pyetje të zakonshme, porse, përgjigjet e të cilave mund të na ndihmojnë të kuptojmë më shumë mbi thelbësoren: të drejtën politike të shoqërisë mbi zhvillimin e territorit të tyre.

Bërë këtë parantezë të shkurtër, kalojmë te pyetja e parë: kush vendos mbi territorin? Në teori, përgjigjja duket e qartë: territori është një e mirë publike. Qeveria qendrore e administron, pushteti vendor përfaqëson komunitetin dhe planifikimi territorial krijon rregullat që balancojnë interesat private me interesin publik, drejt një ekulibri territorial të qendrueshëm, rizilient dhe që prodhon barazi mes përdoruesve të tij. Mirëpo, në praktikën e sotme, qytetarët përballen me vendime që duket se janë marrë shumë kohë përpara se ata të informohen. Shembujt janë pafund, për të përmendur vetëm disa nisur nga Astir, Kombinati, 5 Maji, etj. Pikërisht kjo ndjesi shfaqet edhe në rastin e Zvërnec–Nartës, sepse edhe në këtë rast, debati publik po zhvillohet pasi vendimi për ta lejuar atë është marrë tashmë dhe përveç këtij fakti askush nuk di asgjë.

Kjo na çon te një pyetje më e gjerë: a po lëviz Shqipëria drejt subsidiaritetit apo drejt centralizimit territorial? Parimi i subsidiaritetit, mbi të cilin mbështetet edhe qeverisja europiane, kërkon që vendimet të merren sa më afër qytetarëve dhe komuniteteve që preken prej tyre. Megjithatë, zhvillimet e dekadës së fundit tregojnë një prirje të kundërt. Reforma Territoriale e vitit 2014 uli ndjeshëm numrin e njësive vendore, duke e larguar pushtetin vendimarrës dhe shërbimet bazike nga qytetari. Kompetenca të rëndësishme planifikuese dhe zhvillimore u përqendruan gradualisht në nivel qendror, përtej propogandës për deçntralizim. Investimet strategjike, projektet kombëtare dhe vendimmarrja mbi zhvillimet territoriale u bënë gjithnjë e më shumë objekt i institucioneve qendrore, duke unifikuar karakteristikat lokale të domosdosshme për një zhvillim real. Në këtë kontekst, Zvërnec–Narta nuk paraqitet si një rast i veçuar, por si një tjetër episod i një proçesi të gjatë koncetrimi të qeverisjes territoriale.

Por ndoshta pika më e ndjeshme e debatit lidhet me pronën. Në territorin ku planifikohet zhvillimi ekzistojnë pretendime pronësore dhe çështje që vijojnë të jenë objekt proçesesh gjyqësore. Mirëpo, kjo nuk është një gjë për tu injoruar, ajo e zhvendos debatin nga niveli i politikave të zhvillimit në nivelin e shtetit ligjor. Në një shtet demokratik, ku qytetarët kanë të drejta politike mbi vendimarrjen për zhvillim territorial, investimi duhet të mbështetet mbi sigurinë juridike të pronës dhe jo anasjelltas. Përndryshe krijohet përshtypja se konflikti i pronësisë nuk po zgjidhet për të mbrojtur të drejtën, por për t’i hapur rrugë zhvillimit. Kjo është arsyeja pse debati për Zvërnec–Nartën nuk mund të reduktohet në një përplasje mes zhvillimit dhe mjedisit. Ai prek një nga parimet themelore të rendit demokratik: mbrojtjen e të drejtës së pronës.

Por territori nuk përbëhet vetëm nga prona private, ai përfshin edhe pronën publike dhe veçanërisht interesin publik mbi zhvillimin e saj. Kur toka është publike, ajo nuk është pronë e qeverisë, apo akoma më pak e Kryeministrit. Ajo është pasuri e qytetarëve, e administruar nga shteti në emër të tyre. Për këtë arsye, pyetja nuk është nëse projekti është i ligjshëm, por nëse ai është legjitim në sytë e pronarëve të vërtetë. Dhe, kjo lidhet drejtpërdrejt me një dallim të rëndësishëm: proçedura nuk është e njëjtë me pjesëmarrjen. Një qeveri mund të argumentojë se janë respektuar të gjitha proçedurat administrative dhe se janë ndjekur hapat e kërkuar nga ligji, por kjo nuk do të thotë se qytetarët kanë ushtruar të drejtat e tyre politike mbi zhvillimin e territorit. Protesta dëshmon të kundërtën, dhe pikërisht këtu qëndron një pjesë e madhe e tensionit për projektin Zvërnec–Nartë.

Në fund, njësoj si në rastin ndërtimit të këndit të lojrave të Parku i Liqenit, të stadiumit me kullë, të Teatrit Kombëtar me kulla; çështja nuk është nëse duhet apo nuk duhet të ndërtohet një resort turistik. Çështja është shumë më themelore. A do të vazhdojë Shqipëria të zhvillojë territorin përmes një modeli ku vendimet merren nga Kryeministri në vet të parë dhe larg komuniteteve që preken prej tyre, apo do të ndërtojë një model ku qytetarët, komunitetet lokale dhe interesi publik kanë të drejta politike mbi zhvillimin e territorit ku ushtrojnë aktivitete jetësore dhe zhvillohen?

Sepse debati për Zvërnec–Nartën nuk është në thelb debat për një resort. Është debat i përsëritur për të drejtat politike të shoqërisë mbi territorin e saj.

 

Comments

Popular posts from this blog

SUPERINTERVISTA QË PO NA PARALAJMËRON. Mapo, 21. 04. 2016

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

LEGALIZIMET, PROCESI ME MORALIN E PIRAMIDAVE. Mapo, 23.04.2014