KORPORATA E INVESTIMEVE OSE MARRSHIM NË FASHIZËM! Liberale, 28. 10. 2019
Java që sapo u mbyll ishte e një rëndësie të vecantë
për ekonominë shqiptare, jo sepse solli ndonjë ndryshim në ekonomitë familjare
apo atë kombëtare, porse prezantoi dy pako dhuratash që do ta ndikojnë
jashtëzakonikisht shumë ekonominë shqiptare në të ardhmen e afërt. Pako e parë
është raporti i Bankës Botërore ‘Doing Business 2020’, i cili na thotë se
Shqipëria renditet e 88-ta në botë, një nga fundit në Europë dhe ka një rënie
prej 19 vendësh nga viti i kaluar, për klimën e të bërit bisnes. Kurse pakoja e
dytë është ligji për krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe disa
ndryshime potenciale në ligjin ‘Për Shpronësimet Publike’, të cilat sipas atyre
që i propozuan do të përmirësojnë ndjeshëm situatën ekonomike të vendit, ndër
të tjera edhe duke lehtësuar klimën e të bërit bisnes në Shqipëri për
investitorët e huaj apo vendas.
Kam ndjekur këto ditë analiza apo opinione shumë
profesionale, për secilën prej dy pako
dhuratash, por asnjë prej tyre nuk i trajtonte së bashku këto dy pako. Në të
kundërt, unë mendoj se vlera reale, ajo nga e cila mund të kuptojmë dicka -
nëse kemi qëllim ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes- është vëzhgimi i
kombinacionit të këtyre dy “ngjarjeve ekonomike”!
Është e qartë që vlerësimi i raportit të Bankës Botërore
na thotë se, përshkak të qeverisë dhe politikave apo projekteve të saj, mjedisi
që prodhon ekonomi reale –më shumë vende pune, cmime më të ulta, më shumë
produkte apo shërbime, buxhet më të madh publik- është gjendur në vështirësi
këtë vit dhe do ndihet akoma më shumë vitin tjetër e në vijim për ta kryer këtë
kontribut në ekonominë e vendit. Dhe ky është fakti i matur shkencërisht nga
institucioni më i rëndësishëm ekonomik në botë, vecanërisht në lidhje me këtë temë;
kurse dëshira poetike e shprehur me
ligjin e Korporatës, na thotë se qeveria ka aq shumë dëshirë të ndihmojë
sipërmarrjen private, saqë ka miratuar një ligj që shkel të gjithë ligjet e
tjera në këtë fushë.
Thjeshtuar deri në naivitet, mund të themi: qeveria
shqiptare ka marrë mbi vete “të drejtën” të shkeli cdo ligj të hartuar në këto
vite tranzicioni, “për të ndihmuar” ekonominë dhe sipërmarrjen private; dhe në
të njëjtën kohë ka hequr dorë nga detyrat e saj Kushtetuese për të përmirësuar
vetveten në mënyrë që të mos e pengoj sipërmarrjen private të përmirësoj
ekonomikisht jetën e qytetarit të Republikës! Këtu vijmë te thelbi i këtij
shkrimi modest; ‘pse qeveria nuk ndjek rrugën
tradicionale, rrugën që e ka drejtuar shumicën e vendeve të botës perëndimore
drejt mirëqënies, por një rrugë të pashkelur më parë nga asnjë vend që synon
demokracinë liberale?’!
Kuptim e kësaj
qasje politike duhet ta kërkojmë, dhe atje do ta gjejmë, te Ligji i së enjtes
së kaluar. Qeveria e Rilindjes, nëpërmjet tij, ka marrë ‘nën kontroll trojet dhe asetet publike, t’i përdorë si mjet “për të
nxitur investime private”; veprojë si kompani private me asetet publike nën
kontrollin e saj; të hyjë në marrëveshje me palë të treta, për çdo investim që
ajo konsideron të vlefshëm; të përdorë asetet e saj si kolateral për të marrë
hua të mëtejshme nga institucione financiare’. Sipas këtij ligji, Korporatës,
që do jetë një shtojcë e qeverisë, do t’i jepet pavarësi e plotë për të
menaxhuar asetet publike të Republikës, jashtë kuadrit ligjor aktual, përfshirë
ligjin për prokurimet publike. Në fakt, Rilindja nuk e lë me kaq, ajo po përgatit
ndryshime edhe për ligjin “Për shpronësimet publike”, duke ngritur një komision
të përhershëm me burokratë dhe duke e kthyer atë në një shtojcë të një pjese të
saj, sikurse është Ministria e Infrastrukturës.
Thënë këto, duket se i
thamë të gjitha, Rilindja as më fjalë dhe as me vepra nuk beson te Demokracia
Liberale, të cilën ajo e neverit sepse për të ‘është shumë individualiste, e fokusuar te liritë dhe të drejtat e
individit dhe në këtë kuptim shumë egoiste’. Kjo është arsyeja pse Rilindja
nuk ndjek reformat decentralizuese, liberalizuese e derregulluese, në mënyrë që
shteti të pengoj gjithmonë e më pak sipërmarrjen private në aktivitetin e saj konkurues
në treg. Rilindja beson te Demokracia Tjetër, te ajo ku individët (përfshirë gjithcka që zotërojnë) i
nënshtrohen shtetit. Rilindja beson te ajo që shoku Musolini, në librin e tij
‘Doktrina e Fashizmit’ do ta përkufizonte ‘gjithcka
i përket Shtetit dhe asgjë humane nuk ekziston apo ka vlerë jashtë Shtetit’.
Rilindja beson në atë, që fjalori më i rëndësishëm online, Merriam-Ëebster e përkufizon:
‘një filozofi politike, një lëvizje, një
regjim që lartëson kombin (kolektiven) mbi individin dhe që mbështet një qeveri
të centralizuar e autokratike të drejtuar nga një diktator, mbështetur në
rregullime të forta ekonomike e shoqërore dhe shtypja me forcë e opozitarizmit’; dhe që e quan Fashizëm!
Comments
Post a Comment