PËR TË BËRË AVOKATIN E DJALLIT QË PO NA NGROH GLOBIN! Liberale, 05. 10. 2019
Një nga fabulat që ndikoi shumë rininë time quhet
‘udhëtari dhe Djalli’, dhe flet për një udhëtar që po rrugëtonte në një mot
shumë të keq, natën dhe përgjatë një pylli shumë të rrezikshëm.
Ndërsa ecte nëpër pyll, udhëtari ndjeu praninë e një
qënie që e ndiqte nga pas, dhe pak e nga pak krijoi bindjen se ishte Djalli. Në
nxitim e sipër udhëtari rrëshkiti në një lum të thellë e të rrëmbyer ku humbi ndjenjat,
të cilat i rimori pranë një zjarri të madh dhe qënies së frikshme që po e
ushqente me dicka të ngrohtë. Heshtja, që mbretëroi për disa minuta, u prish
nga udhëtari: ‘më falni zotëri, ju më
shpëtuat jetën, ndërsa unë besoja se ju ishit Djalli’! ‘Nuk ka arsye për ndjesë, Djalli jam’- ju
përgjigj qënia e frikshme. Përgjigjja e shokoi udhëtarin, i cili vijoi: -‘po si shpjegohet që ju nuk po më bëni keq,
sikurse thonë shkrimet, por po kujdeseni për mua?!’. Përgjigja që morri
ishte nga ato që edhe mendja më e përgatitur nuk i pret –‘epo, historitë tregohen sipas atij që ka lapsin, po ti tregoja unë
ndryshe do ti kishe dëgjuar, miku im!’.
Sigurisht, morali i fabulës nuk është të vëri në
diskutim fjalën e Zotit. Në fund të fundit, gjithcka interpretohet ndryshe nëse
pranojmë se projekti më i madh i Djallit ishte ti mbushte mendjen njeriut se
nuk ekzistonte. Ajo na mëson se cdo informacion
i njëanshëm, kurdoherë, mund dhe duhet vënë në pikëpyetje. Tezë
vecanërisht e vlefshme kjo ku flasim në terrenin e shkencës, që është krijuar
pikërisht nga vënia në dyshim e saktësisë së dijes shkencore të mëparshme!
Në të njëjtin pozicion gjendemi edhe për një nga cështjet
më të rëndësishme që i është shtruar për zgjidhje njeriut të kohëve të sotme,
ngrohja globale. Këtë e kanë marrë në dorë alarmistët dhe po e profilizojnë ashtu
si ju vjen më mirë: njeriu po shkatërron mjedisin duke u fokusuar te paraja! Në
këtë theks shkoi edhe fjalimi, shumë i diskutuar në publik, i 16 vjecares Greta
Thunberg në Pallatin e Qelqtë të OKB. Fatkeqësisht ambjentalistët alarmist nuk
po kursejnë as një ëngjëll të plagosur nga fati, si Greta, për të arritur
synimet e tyre shumë të diskutueshme moralisht dhe shkencërisht. Te këto të
fundit do fokusohet edhe ky shkrim i shkurtër i opinionit.
Ndryshimet klimatike janë një fakt i padiskutueshëm
që ndikojnë thelbësisht jetën e njeriut. Tre janë grupet bazike që e trajtojnë
këtë cështje: grupi i parë dhe i dytë janë më së shumti shkencëtarë, kurse
grupi i tretë përfshin politikanë, ambjetalistë dhe njerëz së medias. Grupi i
parë janë shkencëtarë që bëjnë pjesë në Grupin e Punës së Panelit Ndërkombëtar
të Ndryshimeve Klimatike (IPCC) të UN. Këta besojnë se ndryshimet klimatike vijnë,
për së pari, prej faktit që njerëzit djegin karburante fosile: naftë, gaz
natyror dhe qymyr; gjë që cliron dioksid karboni në atmosphere, c’ka rrit
temperaturën e planetit. Grupi i dytë janë shkencëtarë që nuk e shohin kështu
problemin e ngrohjes globale. Ata quhen ndryshe edhe skeptikë, dhe besojnë se
janë të shumta arsyet për të cilat klima po ndryshon, si dielli, retë, oqeanët,
orbita e tokës, si dhe një pafundësi arsyesh të tjera, dhe se nuk ka prova që
lëshimi i CO2 është faktori dominant.
Megjithëse ka diferenca kuptimore mes dy grupeve të
shkencëtarëve, ata kanë edhe dakortësi. Dy më të rëndësishmet prej tyre janë: dioksidi
i karbonit është një gaz i efektit serë pa të cilin jeta në tokë nuk mund të
ekzistoj, por kur lëshohet në atmosferë prodhon një farë ngrohje; dhe se djegja
e karburanteve fosile nuk do ta shkatërroj njerëzimin apo akoma më pak Tokën,
sikurse na thonë ambjentalistët alarmistë me gojën e një fëmije si Greta. Atherë,
pse njerëzimi është në panik në lidhje me këtë cështje? Dhe këtu prezantohet
grupi i tretë; politikanët, ambientalistat dhe media. Alarmizmi mbi ngrohjen
globale ju siguron atyre, më shumë se cdo gjë tjetër, ato gjëra që ata duan më
shumë: për politikanët, para’ dhe pushtet; për ambjentalistët, para’ për
organizatat e tyre dhe konfirmin e idesë se njeriu është një forcë shkatëruese
për natyrën; dhe për median, para’ dhe tituj kryesorë me ‘fundin e botës që po
vjen’, që shiten shumë dhe shtrenjt.
Thënë këto, duket sikur po themi se njerëzimi duhet
ti harroj ndryshimet klimatike dhe tja fusi një gjumi të thellë. Jo dhe prap
jo! Njerëzimi duhet ti marri shumë seriozish, sepse ngrohja globale është një
fakt dhe me shumë risqe, vecanërisht për vende si Shqipëria; por ti largohet
alarmizmit që jo vetëm nuk prodhon dot asgjë, përvecse shpërdorimin e triliarda
dollarëve nga paratë e taksapaguesve të botës dhe shfaqjeve artistike si këto
që na dhuroi Greta, për tu fokusuar në zgjidhje të zgjuara, gjithëpërfshirëse
dhe të qëndrueshme, që vijnë nga cdo fushë e shkencës.
Comments
Post a Comment