DËMET E NJË LIGJI PËR STREHIMIN SOCIAL! Mapo, 11. 05. 2018
Draftligji i ri ‘Për strehimin social’ e
përmbylli rrugëtimin e tij në kanalet dhe filtrat e Kuvendit dhe u kthye të
enjten e kaluar në ligj. Dhuratë kjo, që mazhoranca socialiste morri nga
qeverisja rilindase, dhe që mund ta përdori si një argument politik në
komunikimet e ‘bashkëqeverisjes me qytetarët’ për arritjet e tipit ‘si
asnjëherë në 25 vjet’ të qeverisjes së saj. Kaq është e gjitha, sepse ky ligj
nuk ka asnjë vlerë tjetër praktike. Në të kundërt, si cdo ligj tjetër që është
më mirë të mos jetë sesa është, ai realisht i zvogëlon shancet që një familje
në nevojë të arrijë ndihmën e shtetit për strehim. Dhe këtë e bën në dy mënyra:
së pari duke zëvendësuar paratë publike të shpenzuara për këtë synim me fjalë e
fjali boshe e demagogjike dispozitash ligjore; dhe së dyti duke përfshirë e
prioritizuar në përfitim grupe e komunitete që mund të kenë njëmijë e një nevoja
të tjera për tu ndjerë integruar në shoqëri, por jo për të arritur një strehim
të përballueshëm për ta.
Për ta bërë më të qartë
për këdo dhe që në fillim, duhet thënë se strehimi social është një funksion i
veti i qeverisjes vendore. Pra ky ligj, dhe 33 aktet nënligjore që pritet të
dalin në zbërthim dhe zbatim të tij nuk vjen si një premtim qeverisës në formën
e një angazhimi nga vet qeveria për qytetarët në nevojë, por si një miksim
midis okupimit të këtij funksioni vendor nga qeveria qëndrore dhe kufizim i
mundësive dhe oportuniteteve të pafundme të pushtetit vendor për ta trajtuar
këtë cështje vetëm me 6 programe që ligji përcakton. E thënë thjeshtë gjithë
esenca e këtij legjislacioni qëndron te: pengimi i rritjes dhe fuqizimi i kapaciteteve
lokale në ushtrimin e funksioneve të veta qeverisëse; shtimi i numrit të
grupeve dhe komuniteteve përfituese pa faturë financiare të rritur, që duhet ta
shoqëronte këtë veprim; dhe kornizimi e kufizimi i hapsirës së mundësive të
vendimarrjeve për pushtetin vendor, që ky të kryej këtë funksion të vetin qeverisës.
Për ti dhënë një
dimension hirearkik dëmeve që shkakton ky ligj do ta nisim me frymën
centralizuese që, sikurse cdo punë tjetër e qeverisë rilindase, e asfikson edhe
këtë produkt legjislativ. E thënë thjeshtë nëse qeveria qëndrore vendos të kaloj,
në përfitim të qeverisjes vendore, taksën me ndikimin më të vogël në buxhetin e
shtetit, gjysma e ligjit bie. Kjo sepse gjysma e dispozitave të tij, në mënyrë
të drejtpërdrejt ose të tërthortë, kanë si target të krijojnë dhe të mbajnë një
marrdhënie varësie të thellë dhe të përhershme, nga qeverisja qëndrore, të
qeverisjes vendore në kryerjen e këtij funksioni qeverisës. Kjo është një gjë
shumë e keqe edhe në lidhje me domosdoshmërinë e aftësimit të administratave
lokale për ta kryer këtë aktivitet në të ardhmen. E vetmja rrugë për tu
aftësuar në kryerjen e një aktiviteti qeverisës është të mësosh duke e kryer
atë aktivitet, ndërkohë ky ligj është draftuar që të bëjë ekzaktësisht të
kundërtën!
Populizmi dhe
vecanërisht demagogjia janë, gjithashtu, karakteristikat thelbësore të kësaj
qeverisje të centralizuar. Prandaj edhe ky ligj nuk i ka shpëtuar frymëzimeve
demagogjike të tipit ‘sa më shumë grupe apo komunitete përfituese të përfshijë,
aq më i mirë është’. Ky është kuptimi që prodhon edhe dëmin më të madh të këtij
ligji! Një ligj për strehimin social duhet
të shërbejë për të lehtësuar familjet që e kanë të pamundur për të arritur një
banesë në tregun e lirë. Tregu i banesave, sikurse cdo tjetër, nuk është
racist. Ai nuk të refuzon për shkaqe sociale, por për shkaqe ekononomike. Nëse
një familje e ka të pamundur të arrijë strehim në tregun e lirë, kjo ndodh
vetëm nëse ajo familje nuk ka mundësi të paguaj për të. Dhe janë këto familjet
që duhet të prioritizohen. Ekzaktësisht në të kundërt, ky ligj nëpërmjet
preferimit të komuniteteve e grupeve sociale të caktuara, përjashton këto
familje që kanë më shumë nevojë për ndihmën e shoqërisë.
Mënyrat e përzgjedhjes
së familjeve përfituese nga programet sociale të strehimit të propozuara nga ky
ligj janë vetëm gjysma e punës së tij. Gjysma tjetër, po kaq e rëndësishme,
janë rrugët dhe mënyrat që ky ligj propozon për tu siguruar këto banesa, që më
tej do të shpërndahen për familjet përfituese. Ky është dëmi tjetër që sjell ky
ligj! Përcaktimi dhe përkufizimi i një seti të mbyllur mundësish që pushteti
vendor të siguroj një stok banesash për ta ushtruar këtë aktivitet qeverisës,
nuk bën gjë tjetër vecse e limiton dhe e kornizon nivelin potencial të
suksesit. Dhe sa më i vogël suksesi në krijimin e stokut për tu shpërndarë, aq
më i vogël numri i familjeve përfituese. Me një fjalë, sikurse me dy dëmet e
tjera edhe me këtë, vet ligji punon që “puna” e tij të mos ketë produkt. Mirëpo,
qeverisë shumë pak i intereson produkti praktik i punëve qeverisëse, asaj i intereson
të këtë cfarë të thotë në shfaqjet e saj dhe ky ligj ja jep këtë mundësi.
Comments
Post a Comment