HALLI MË I MADH I TIRANËS URBANE QË NUK PO JA QAN NJERI! Mapo, 18. 05. 2018
Ajo që nuk po kuptojnë
elitat drejtuese të partive, vecanërisht elitat e partive opozitare meqë ato
janë të interesuara për rrotacion, është fakti se shoqëria shqiptare ka
evoluuar shumë përgjatë këtyre 25 vjetëve. Kjo është arsyeja bazike që partitë
shqiptare këmbëngulin ta mbajnë diskursin dhe veprimin politik në të njëjtat
lojra gjuhësore, konjuktura termash apo kuptimesh, skema apo strategji veprimi,
sikurse 25 vjet më parë. Ato vazhdojnë të mbështeten te strategjia ‘ne duhet të
votohemi sepse pala tjetër është shumë e keqe’, pa e kuptuar se po e limitojnë
komunikimin publik vetëm me votuesit që kanë trashëguar, ndërkohë që elektorati
shqiptar i përket tashmë një spektri më të diversifikuar. Ai nuk është më dy
polar, ku të dyja gjysmat votojnë kundër partisë armike, por është kolorifikuar
edhe me një pol të tretë që rritet gjithmonë e më shumë, dhe që voton partinë
që i jep argumenta ‘cfarë dhe si do të ndryshoj në vend, nëse ajo merr
drejtimin’.
Sigurisht, ky shkrim
modest, nuk ka për qëllim të rregullojë punët e partive, porse jemi shumë të
interesuar për produktin qeverisës të tyre që në rastin më të mirë hipotetik po
na qeverisin ‘duke na vjedhur më pak se qeverisja e mëparshme’. Për më keq
akoma, kjo qasje po ndërton një “paradigmë politike” të gabuar nëpërmjet të
cilës diskursi i partive tenton të shpjegojë dhe ti japi zgjidhje cdo problematike
shoqërore. Një ndër to, ajo që në fakt është drejtpërdrejtë në interesin e këtij
shkrimi, ka lidhje me ribërjen urbane të Tiranës dhe në mënyrë specifike me përgjigjen
e pyetjes ‘a duhet të ndërtojmë apo të vendosim një moratorium në Tiranë?’.
Pyetje bazike kjo për qytetin, por që elitat drejtuese të partive po i japin
përgjigje partiake, ndërkohë që ajo ka domosdoshmëri për një përgjigje të spektrit
ligjor dhe teknik. Cka prezanton edhe hallin më të madh të Tiranës sepse, për
këtë cështje, ligjorja dhe teknikja janë në konflikt të fortë mes tyre.
Nga njëra anë kemi
‘kontratën sociale’, nisur nga ligji i parë i Shtetit (Kushtetuta), të gjithë
shtetasit janë të barabartë në këtë organizimin tonë shoqëror që e quajmë
Republikë. Dhe në këtë kuptim, sikurse për shumëcka, edhe për cështjen e rizhvillimit
të pronës brenda të njëjtës njësi urbane duhet të ketë barazi. Mirëpo, mënyra e
fragmentarizuar e zhvillimit që kemi lejuar ka prodhuar njësi urbane ku vetëm
3-5 % (e mesatarizuar) të titujve të pronësive janë rizhvilluar ndërsa pjesa
tjetër mbeten në pritje. Sigurisht, që ribërja e qytetit është një aktivitet që
shtrihet në kohë, porse një gjë është e sigurtë, të gjithë këto tituj pronësish
duhen lejuar të rizhvillohen dhe të kenë të njëjtën masë zhvillimi/përfitimi,
sikurse kufitarët e tyre që janë rizhvilluar tashmë. Kështu që, nëse pranojmë
se jemi të barabartë, Tirana duhet të ketë një bum ndërtimi që i mundëson
rizhvillimin, vecanërisht, një pjese prej 20-30% të pronësive që janë në
emergjencë.
Nga ana tjetër kemi
‘dijen shkencore’, njohuritë dhe teknikat e bërjes dhe ribërjes së qytetit (Urbanistika),
të cilat na diktojnë se njësa urbane duhet të ketë kapacitetet maksimal mbatës.
Që do të thotë se në një njësi urbane mund të kryejnë aktitet njerëzor një
numër i përcaktuar qytetarësh, sepse në të kundërt njësia “bie”. Të njëjtat
dije na mësojnë se si ky numër maksimal i lejuar qytetarësh (densitet) mund të
konvertohet në volume të lejuara ndërtimore. Sigurisht, që këto numra varen nga
një sërë karakteristikash urbane të njësisë, porse në cdo rast ky kushtëzim
themelor duhet respektuar. Mirëpo, nga mënyra e fragmentarizuar e zhvillimit të
deritanishëm të të qytetit (mesatarizuar), ne e kemi arritur këtë limit
maksimal të lejuar. Përtej kësaj, cka është një argument shtesë, Tirana sot
përfshin 35 % të popullsisë kombëtare. Kështu që, nëse jemi shoqëri që pranojmë
shkencën, duhet menjëherë të kërkojmë moratorium ndërtimor në Tiranë.
Ky është halli më i
madh i Tiranës urbane. Nga njëra anë, sikurse ligjorja dhe morali shoqëror e
detyron, duhet të stimuloj ndërtarinë, dhe nga ana tjetër, sikurse shkenca dhe
teknika i kërkon, duhet të bllokojë zhvillimin volumor në ndërtim! Cdo shoqëri do
ndihej e kapur në një kurth të tmershëm, dhe do kërkonte zgjidhje të zgjuara
(risi teknike e shkencore), gjithëpërfshirëse (të dakortësuara në procese
demokratike) dhe të qëndrueshme (në balancë mjedisore, sociale dhe ekonomike),
por jo shoqëria shqiptare. Ajo mbetet në partishmërinë e saj! Një palë po na
thonë se ndërtimi duhet lejuar për tju përgjigjur ardhjeve të reja në qytet,
kurse pala tjetër se duhet bllokuar sepse shërben vetëm për të pasuruar
kryebashkiakun! Mes tyre qëndron poli i tretë, që megjithëse rritet
progesivisht në kohë mbetet i papërfaqësuar politikisht. Ai është i vetmi që
mund të dali jashtë konjukturave partiake dhe të kuptoj hallin më të madh të
Tiranës urbane.
Comments
Post a Comment