STREHIM SOCIAL ME NJË LIGJ QË PËRJASHTON TË VARFËRIT! Mapo, 25. 05. 2018
Nëse synon të vlerësosh
paraprakisht një ligj duhet të lexosh ‘Relacionin’ që e shoqëron këtë
draftligj. Ai është një dokument që duhet të shpjegojë teknikisht nevojën e
shoqërisë, qëndrimin politik që e ushqen, rrugët për të arritur ato synime që përmbushin
nevojën shoqërore dhe kostot financiare për ta zbatuar këtë ligj. Në cdo rast,
‘Relacioni’ shkruhet teknikisht. Ligji mund të jetë i majtë apo i djathtë, në
raport me qëndrimin politik mbi të cilin është hartuar, por kurrësesi
relacioni! Kjo është arsyeja pse një administratë përbëhet nga segmente të
diferencuara politike dhe teknike. Por le të pranojmë se, sikurse shumëcka të
deformuar në këtë vendin tonë, edhe administrata teknike mund të jetë e
politizuar. Mirëpo në asnjë rast nuk duhet të tolerojmë që, ‘administrata
teknike e politizuar’ të jetë edhe demagogjike! Sepse të tillë e perceptova
administratën e Rilindjes Urbane, ndërsa fillova të lexoj relacionin e ligjit
‘Për Strehimin Social’!
Që në paragrafin e parë
të këtij dokumenti me 27 faqe, ndjeva se ligji nuk do ishte vetëm majtist përderisa
‘shpenzimet publike’ i konsideronte ‘investime’, por edhe demagogjik përderisa edhe
teknikët e administratës besonin se ‘për
herë të parë në më shumë se 25 vjet po hartohen politika sociale konkrete’.
Fatkeqësisht, ndjesia mu konfirmua plotësisht nga ligji. Në përfundim të
leximit të tij kuptova se: jo vetëm qëndrimi politik mbi të cilin ishte draftuar
ishte i gabuar dhe vet ligji dëmtonte adresimin e cështjes; porse asnjë nga të
gjashtë programet e tij nuk i përfshinte të varfërit. E thënë thjesht, programet
që duhet të shërbenin si instrumente nëpërmjet të cilave shoqëria të ndihmonte
një pjesë të saj, në pamundësi ekonomike, përjashtonin nga mundësitë konkrete
për të përfituar pikërisht këtë pjesë të shoqërisë. Duket si pohim i pakuptimtë
dhe i pamundur për të qënë i vërtetë, por le ti analizojmë të gjashtë programet
sociale një e nga një.
Programi që për mua ka
edhe vlerën më të madhe quhet ‘banesat me
qira’ dhe nënkupton krijimin dhe shpërndarjen e një stoku banesash në
pronësi e përdorim publik. Mirëpo, vet programi minimizon mundësitë praktike që
një familje e varfër të adresoj nevojën për strehim. Së pari, duke pranuar që
20% e familjeve përfituese mund ti përkasin shtresës së mesme të qytetit, dhe
së dyti duke përcaktuar se niveli i qirasë duhet të mbulojë kostot e shumta të
krijimit të kësaj pasurie deri në nivelin mesatar të qirasë në tregun e lirë. Po
a ka të varfër që e përballon nivelin mesatar të qirasë? Nëse po, nuk është i
varfër. Programi ‘për përmirësimin e
kushteve të banesave ekzistuese …’, gjithashtu, është një program i
trashëguar nga praktikat e mëparshme. Mirëpo, nëse programi i parë përjashton
vetëm shtesën e varfër, ky program për shkak të konfuzionit të brendshëm përjashton
cdo shtresë, sikurse e vetmja praktik e 2008-ës na dëshmon.
‘Programi i banesave me kosto të ulët’ është tallja më e madhe që
mund ti bëhet një shoqërie dhe kontributeve që ajo jep në ndihmë të një pjese
të varfër të saj. Ky program që ka startuar që prej vitit 2007, nuk mund të
përfshijë të varfërit për shkak të kushtëzimit të tij se, përfituesi duhet të
disponoj 30% të vlerës së apartamentit në treg të lirë dhe pastaj të paguaj
këstet që mbeten skllavëruese të kredisë. Më keq akoma, ky program i përdor
paratë e taksapaguesve për të privilegjuar të pasurit e industrisë së ndërtimit
dhe të bankave, për të shitur apartamente dhe dhënë kredi me vlerën e tregut të
lirë. Programi ‘për zhvillimin e zonës me
qëllim strehimin’ është quajtur para 2013-ës ‘për pajisjen e truallit me infrastrukturë’, dhe as atherë e as tani
nuk mund të përfshijë të varfërit. Gjithcka që ai merr përsipër, si: trualli;
projekti dhe infrastruktura, zënë 30% të kostos së ndërtimit dhe asnjë i varfër
nuk mund të përballoj 70% -shin tjetër.
Dy programet e tjera që
ligji ‘Për strehimin social’ prezanton janë programe të reja. Ato dhe
dispozitat e ligjit që janë shkruar për të kënaqur synimet centralizuese,
populiste, demagogjike, fasadiste dhe propogandistike të qeverisë, janë arsyet
pse ky ligj u paraqit si i ri dhe jo si një amendim i të vjetrit. Mirëpo, edhe
këto dy programe nuk sjellin asnjë risi në ndihmë të familjeve të varfëra. Për
më tepër, ato nuk kanë lidhje me strehimin social sepse ju përkasin fushës së
veprimit të Ministrisë së Brendshme. ‘Programi
i krijimit të banesave të përkohëshme’ është qartësisht një program i
emergjencave civile, kurse ‘programi i
banesave të specializuara’ ka lidhje në përgjithësi me mbrojtjen e
viktimave të trafikimit apo të dhunës në familje. Në mbyllje, një gjë mund ta
themi me siguri për programet e këtij ligji: paratë e taksapagueve shqiptar
mund të shkojnë kudo, por në asnjë rast për të ndihmuar të pastrehët që vërtet
kanë nevojë për ndihmë.
Comments
Post a Comment