PREFEKTËT USHTARAKË NJË TJETER HAP PËRGJATË FASHISTIZIMIT TË QEVERISJES! Mapo, 17. 11. 2017
Qeveria Rama 1 mund të përkufizohet mbështetur në pesë
karakteristikat e saj thelbësore: centralizuese, propogandistike, demagogjike, fasadiste
dhe policore. Për katër vite, në një progresivitet të dallueshëm, kjo qeveri rrëmbeu
cdo funksion vendor qeverisës dhe ushtroi vendimmarrjen e saj të paligjshme në
aktivitete vendore, me dimension të fortë propogandistik, demagogjik dhe
fasadist nëpërmjet “dhunës legjitime” të ushtruar nga policia e saj e
militarizuar! Ajo anashkaloi detyrat dhe funksionet e qeverisjes
kombëtare, si hartimi i politikave kombëtare për shpërndarjen e popullsisë në
territor, për transportet dhe infrastrukturën, për mbrojtjen e territoreve dhe
zonave natyrore, për turizmin, për kulturën e të tjera si këto, për t’ju
dedikuar cështjeve lokale, si të pastrehët, ndihma ekonomike, mbledhja e
taksave lokale, menaxhimi urban (lejedhënia dhe kontrolli i territorit), dhe
planifikimi territorial (planifikimi e projektimi urban).
Është kjo veprimtari dhe këto vecori të saj që na
kanë drejtuar rreth tre vite më parë në pyetjen legjitime, a po shkojmë drejt
fashizmit?! Pyetje kjo që e ka përgjigjen brenda, nëse këtyre karakteristikave
që e bëjnë pothuajse komuniste i shtojmë edhe dy të tjera. E kam fjalën për shkeljen
e të drejtave kushtetuese të individit si ajo për të siguruar mbijetesën, e
barazisë së shtetasve dhe të drejtat e pronësisë, por edhe të drejtat qytetare
si ajo e informimit publik dhe e përfshirjes qytetare në aktivitete qeverisëse.
E kam fjalën, gjithashtu, për marrdhënien okulte midis qeverisë dhe një grushti
njerëzish e bisnesesh në shpërndarjen e parave, pronave dhe punëve publike. Sepse
janë këto karakteristika, vecanërisht e dyta që ndryshe nga kolektivizmi
komunist ‘nuk e lufton sipërmarjen
private por e shfrytëzon atë për unitetin dhe të mirën kombëtare’, që i
japin asaj dimensionin unik të mortajës tjetër kolektiviste e marksiste, fashizmit.
Në këto rrethana të frikshme, z. Rama shkarkoi dhe
emëroi njëkohësisht të 12 prefektët e qarqeve. Një vendimarrje qeverisëse plotësisht
në baza ligjore e kushtetuese por që hapi një debat të madh publik. Shqetësimi
i parë vjen nga konteksi. Në një kohë kur
Kryeministri është vetkthyer në Kryebashkiakun e Republikës dhe udhëheq
nëpërmjet 61 drejtorëve të bindur apo të pabindur të tij lokal, kjo vendimarrje
të vë në dyshime të thella. Shqetësimi i dytë vjen nga vendimarrja në vetvete.
Shkarkimet lënë një shije të keqe sepse ato u kryen njëkohësisht, cka dëshmon
se nuk ishte një vendimarrje mbi parimin e meritokracisë apo praktikën e
vlerësimit të performancës individuale. Sidoqoftë, ajo që mori valencë të lartë
nuk ishin shkarkimet, por emërimet e 12 prefektëve të rinj. Të gjithë ata janë
ish ushtarakë të lartë, dhe z. Rama në konferencën për shtyp u shfaq shumë i
vetëdijshëm dhe krenar për këtë përzgjedhje të tij.

Përtej debatit public, mbi vendimarrjen e z. Rama për
prefektët, ka edhe një element shumë të rëndësishëm që e kornizon atë plotësisht.
Është baza ligjore mbi të cilën do të operojnë këta zyrtarë, dhe vecanërisht
funksionet dhe kompetencat që kanë. Nëse e studjon këtë bazë ligjore, kompetenca më e rëndësishme e tyre është ‘verifikimi i ligjshmërisë së vendimeve,
urdhrave dhe urdhëresave me karakter normativ të organeve të qeverisjes
vendore’. Pra vecanërisht aktiviteti i kuvendeve lokale, që në të njëjtën
kohë është veprimtaria e vetme qeverisëse jashtë kontrollit të z. Rama.
Sigurisht se, kujdo profesioni ti përkisnin prefektët, sikurse gjithmonë ka
ndodhur, Kryeministri do kishte pushtet mbi vendimet e Këshillave Bashkiakë.
Porse në rastin kur prefektët janë ushtarakë të formuar kulturalisht dhe
profesionalisht në komunizëm dhe drejtohen nga një epror me qasje fashiste
qeverisëse, është evident rreziku që i kanoset qeverisjes vendore.
Comments
Post a Comment