NGA ‘SHTATË MILION NË PESË SHTETE’ TE DURASANA! Mapo, 29. 11. 2017
Në vitin 1989, televizioni
i vetëm shqiptar, RTVSH-ë, transmetoi një cikël emisionesh me titull ‘Shtatë
milion në pesë shtete’. Duhet të ketë qenë i fundit nga emisionet e shumta me
peshë patriotiko-nacionaliste, temë kjo shumë e pëlqyer nga regjimi stalinist i
asaj kohe. Përmbajtja e ciklit më kujtohet pak, por tema e tij është ngulitur
thellë në memorien time. Cikli laboronte tezën se, sa të lirë jetojnë
shqiptarët në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë duke i vënë përball
mungesën e lirisë së shqiptarëve të tjerë që jetonin në katër shtetet kufitare
me të. Gjetje artistike, kjo, shumë inteligjente e propogandës bolshevike për
të thënë një gjysëm të vërtete me synimin për të fshehur gjysmën tjetër të së
vërtetës. E gjithë propaganda e realizmit socialist mbështetej te trajtimi i
lirisë së shqiptarit si clirim nga pushtimi i Atdheut nga forca ushtarake të
huaja, për të fshehur skllavërimin e shqiptarit nga shqiptari përshkak të
sistemit politik në vend.
Nuk do zgjatem për të
riprodhuar përshkrimin e situatës së shtatë milion shqiptarëve në pesë shtete,
sipas këtij cikli, sepse shumëkujt mund ti kujtohet më mirë se unë. Por do
vijmë në ditët e sotme. Sot, pas tridhjetë vitesh situata ka ndryshuar shumë. Cështja
e shqiptarëve në Greqi po njihet për ditë e më tepër. Shqiptarët e Malit të Zi
dhe Maqedonisë tentojnë të evidentohen si të tillë (shqiptar) në dimension
sasior, për tu pranuar si faktor bazik politik në këto vende. Por, edhe në
dimensionin cilësor për të marrë në kontroll administrimin e territoreve
vendore ku ata janë shumicë. Më të realizuarit janë shqiptarët e Kosovës, të
cilët kanë formuar ‘de jure’ shtetin e tyre dhe po punojnë që këtë synim ta
realizojnë edhe ‘de fakto’, duke zvogëluar pushtetin ndërkombëtar dhe zgjeruar
pushtetin e tyre në institucionet e vendit. Por, edhe për të mbajtur territore historikisht
të tyre, të cilat konjukturat ndërkombëtare kërkojnë t’ja dhurojnë Malit të Zi.
Për të vijuar më tej na
duhet që, për së pari, ti kërkojmë ndjesë historianëve dhe njohësve nga fusha
të tjera të cështjes kombëtare për këtë vlerësim amatoresk të një urbanisti.
Dhe për së dyti, të sintetizojmë atë që kemi thënë në një fjali të vetme:
shqiptarët që banojnë në territore shqiptare por në shtete të tjera po punojnë
për të mbajtur territore historikisht të tyre, dhe për të shtrirë e zgjeruar
legjitimitetin e tyre në to. Përball kësaj të vërtete, fatkeqësisht, qëndron e
vërteta tjetër. E vërteta e marrdhënies të shqiptarëve të Shqipërisë me
territorin historikisht të banuar prej tyre dhe asnjëherë të diskutuar nga
ndërkombëtarët që prej 1913-ës. Shqiptarët
e Shqipërisë kanë bërë ekzaktësisht të kundërtën në këto tridhjetë vjet. Ata
kanë lëshuar territoret e tyre historike për tu grumbulluar në Durasanë. Qytet-
shtetin e së ardhmes së Shqipërisë që po shkon mbrapsht, sikurse në shumcka,
edhe në marrdhënien midis qytetarit (kombit) dhe territorialitetit (shtetit)!
Ky është destinacioni
final i kësaj rruge që kemi marrë ne shqiptarët e Shqipërisë. Troje kufitare e
periferike të braktisuara dhe mbipopullim të territoreve të bashkive Durrës,
Tiranë dhe Elbasan. Sigurisht sot jemi në mes të këtij udhëtimi, dhe në hartën
e territoreve të Shqipërisë të banuara nga shqiptarë mund të gjenden edhe
qëndra të tjera, por sidoqoftë duke vëzhguar trendin destinacioni i së ardhmes
kuptohet lehtësisht. Pas braktisjes së fshatrave për të banuar në qyteza, dhe
pas braktisjeve të qytezave për të banuar në qytete, faza e tretë e imigrimit
të shqiptarëve është grumbullimi në këto tre qytete të mëdha të vendit. Të
cilat duke u tejshtrirë do bashkohen për të formësuar, një ditë në të ardhmen
afatmesme, Durasan-in. Përvec trendit kemi edhe studimet. Sipas një të tilli të
Kombeve të Bashkura (OKB) ‘Projeksionet
globale mbi popullsinë nga viti 1950 deri në vitin 2100’, Shqipëria e vitit
2100 do të popullohet nga 1,7 milion banorë.
Nëse këto dy produkte
të parashikimit i bëjmë bashkë, përfundimi do ishte katastrofik. Shqipëria e 28
mijë e 800 kilometrave katror e populluar nga 3. 2 milion shqiptarë, pas një
shekulli do katandiset në Durasanin e 2 mijë e 200 kilometra katrorë e të populluar
nga 1.7 milion banorë. Projeksion i tmerrshëm, i frikshëm, por me mundësi të
madhe që të vërtetohet në të ardhmen. Sepse që sot jemi në gjysëm të rrugës. Që
sot jemi 2.8 milion banorë, nga të cilët 1.4 milionë vetëm në këto tre qytete
të vendit. Emigracioni, imigracioni dhe ulja e nivelit të rritjes natyrore të
popullsisë, tre murtajat që vijnë nga injorimi i shkencës dhe mungesa e
shpresës, do të plotësojnë pjesën e mbetur të rrugëtimit në këtë trend. Prandaj,
ajo që na mbetet dhe është domosdoshmëri patriotike, është të ulemi dhe ta
mendojmë gjatë dhe urtë këtë fatkeqësi që ka prekur vendin. Ta mendojmë dhe ti
japim zgjidhje të zgjuar, të qëndrueshme, ndërbrezore dhe gjithëpërfshirëse.
Comments
Post a Comment