PESË VALËT E SPEKULIMIT NË TREGUN E PASURIVE TË PALUAJTSHME. Mapo, 08. 11. 2017
Cudia më e madhe në tregun e imobiliareve është
dinamika e cmimeve. Megjithëse mundësia për tu pajisur me një leje ndërtimi ka
pësuar oshilacione të forta, cmimet nuk kanë ndryshuar në të njëjtën
perspektivë. Asnjë vëzhgues i tregut të lirë nuk do ta shpjegoj dot këtë fakt
empirik. Nuk e shpjegon dot, më vete, as mungesa e planifikimeve urbane dhe e
politikave kombëtare territoriale. Ajo që ka ndodhur është fakti se produktet e
këtij sektori asnjëherë nuk kanë qënë plotësisht në treg, por i janë dorëzuar
pesë valëve të spekulimit me Atdheun, qytetet dhe konsumatorët. Ne i kemi
prekur edhe më parë këto pesë valë, por sot do ti trajtojmë eksluzivisht.
Në valën e parë, të quajtur nga unë ‘shitja e
ajrit’, blerësi blente premtimin për një banesë me një cilësi të caktuar, ndërkohë
që banesa nuk ishte ndërtuar akoma. Shumëkujt i kujtohet, por pakkush e ka
kuptuar dëmin që i erdhi Atdheut territorial prej boshatisjes së qëndrave
ekzistuese të banimit nga imigracioni, dhe dimensionit urban të qyteteve që u lëshuan
apo pushtuan nga banorët në tranzit banimi. Sidoqoftë, janë të shumtë
konsumatorët e këtij tregu ‘presale’ që nuk e morën atë cilësi, sasi e
vendndodhje të apartamentit që kishin parapaguar. Kështu që, ose ju dorëzuan
“fatit” që i kishte rënë, ose e pranuan atë “fat” pas zvarritjes me vite nëpër
gjykata.
E dyta ishte ‘shitja me
klering’, ku ekipeve apo ndërmarrjeve që ofronin shërbime, punime apo
materiale ndërtimi u ofroheshin si pagesë sipërfaqe në ndërtim. Kjo valë ju
kujtohet më mirë të përfshirëve në këtë skemë, të cilët megjithëse sot janë
zotërues të disa apartamenteve apo hapsirave të shërbimit, mbeten në vështirësi
jo vetëm të bëjnë investime për të zgjeruar dhe modernizuar aktivitetin, por
edhe për të përballuar jetesën e përditshme. Produktet e kësaj vale i ndjejnë
edhe blerësit të cilët gjejnë në treg të njëjtën ofertë me dy cmime të
ndryshme. Sidoqoftë, edhe nga kjo valë spekulimi, e dëmtuara më e madhe mbetet
Shqipëria territoriale dhe urbane.
Vala e tretë ishte dhe mbetet ajo e ‘shitjes për panoramën’ më të mirë. Përgjatë saj ofrohen apartamente
e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, parqet urbane,
pyjet natyrore, bregliqenet apo breglumenjtë. Ishte kjo valë që inkurajoi
zhvillimin e industrisë së “turizmit”, produkti i së cilës është i qartë për
këdo: as urbane dhe as turistike. Një miks i shëmtuar që shkatërroi mundësinë
për të zhvilluar një industri shumë produktive për ekonominë kombëtare. Ajo dëmtoi
edhe blerësit, kur krenarisë së një banese ‘me panoramë të shkëlqyer’ ja zinte
vendin mjerimi i shëmtisë së pallatit që ndërtohej midis dritares së tij dhe
panoramës.
Vala e katërt e spekulimit në tregun e pasurive të
paluajtshme sapo ka filluar. Unë e kam quajtur ‘shitja për luks’ dhe ka të bëjë me modelin e tejshtrirjes së re drejt
periferive por pa ekuilibuar më parë shtrirjet ekzistuese urbane. Shembuj gjen
në cdo komunë, por më përfaqësuesi është ‘Bulevardi i Ri’. Ky model na barazon
me virusin, që në mënyrë ciklike, pasi konsumon e shkatërron cdo burim natyror
të një mjedisi e braktis atë për të pushtuar në një mjedis tjetër. Përvec
Atdheut dëmtohet cdo familje që zotëron një pronë në zonat ekzistuese të
qytetit, përfshirë ata që për një cilësi më të mirë jetese blejnë një pronë të
re pa shitur më parë të vjetrën.
‘Rrokada e pronarëve’
është vala e pestë. Ajo është premtuar nga arkitekti i Planit të Tiranës, z.
Boeri dhe ka lidhje me atë që ky e quante ‘zhvendosje të të drejtave volumetrike’,
apo ‘transferta e të drejtave të zhvillimit’ sikurse e quanin shpikësit e tij
amerikanë. Ndryshe nga varianti original, ky i yni nuk ndërmeret për të konservuar
territoret natyrore por për të justifikuar dëmet e shkaktuara nga mënyra e
zhvillimit të lejuar në bumin ndërtimor të viteve 2000-2010. Pa eksploruar me instrumenta
të tjerë, kjo valë do të detyrojë zhvendosjen e të drejtave të zhvillimit të pronarëve
të vjetër në periferi, në përfitim të pronësive të reja të krijuara gjatë kësaj
periudhe.
Të pesta këto valë të spekullimit në tregun e pasurive të
paluajtshme, që kanë karakteristika individuale, shfaqen të unifikuara, për sa
i përket, asaj të keqe të madhe që kanë prodhuar dhe do të prodhojnë në vijim.
Janë këto valë, arsyeja që cmimet e banesave dhe njësive të shërbimit, dinamika
e zhvillimit të tyre dhe kërkesa konsumatore nuk shkojnë në një trend logjik.
Grushti i njerëzve që vendosin, apo oligarkët sikurse i identifikojmë së fundi,
nuk lejuan që mbiprodhimi të shkaktonte humbje për ta, por ja shkarkuan këtë
dëm Atdheut territorial, dimensionit urban të qyteteve dhe mbajtësve të titujve
të pronësive të vjetra, të krijuara rishtas dhe në zhvillim e sipër.
Comments
Post a Comment