Z. Berisha duhet t’ju kthej borxhin demokratëve. Liberale, 27.09. 2021
Përtej debatit publik nëse z. Berisha u vra
apo u vetëvra (politikisht) nga z. Basha mbetet edhe një e vërtetë e madhe, ai
jo vetëm fizikisht por edhe politikisht nuk ka “ndëruar jetë”! Takimet me
demokratë në tre nga qytetet kryesore të vendit, që ai i quan ‘Foltore’, po dëshmojnë
se kuotat e tij politike qëndrojnë shumë më lartë se ato të z. Basha dhe
ndoshta edhe se ato të z. Rama. Rreth tij nuk janë mbledhur vetëm demokratët e
zhgënjyer në shtatorin e këtij viti, kur ai ‘mori një thikë pas shpine’ nga
njeriu që kishte promovuar vet. Foltoret janë të mbushura me të larguar nga PD
(si antarë apo votues) të zhgënjyer përgjatë kohës në qeverisje dhe opozitë të
saj.
Na pëlqen apo jo (mua jo), koha po tregon se
vetëm z. Berisha zotëron aftësinë politike për të bashkuar copat e shkëputura
ndër vite të partisë. Çudia është se, këtë, ai po e bën për herë të dytë. Nëse
në 2005 ai arriti të grumbullojë elitën e larguar pa ndonjë ndikim të madh në
bazë dhe elektorat, këtë herë po ri-tërheq bazën e saj të shkëputur
veçanërisht, por jo vetëm, vitet e fundit. Kurse çudia mbi çudinë është se të
gjitha këto pjesëza janë larguar përshkak të ndonjë veprimi në qeverisje apo
opozitë të z. Berisha, pavarësisht nëse ky veprim ka qënë kryer: në mënyrë të
drejtpërdrejtë prej tij; apo nga trashëgimtari i tij dhe e vulosur prej
heshtjes aprovuese të tij.
Thënë këto, krijohet mundësia të themi
gjithashtu se z. Berisha ju ka një borxh të madh demokratëve dhe sot është koha
tjua kthejë. Pavarësisht se nuk janë të paktë njerëzit që besojnë se reagimi i
tij është pasojë e vetme e ‘thikës pas shpine’ që morri, zgjerimi i bazës
pjesmarrëse në takimet e tij bëjnë të mundur adresimin e të gjitha problematikave
të akumuluara në 28 vite brenda PDs. Me pak fjalë, edhe vet z. Berisha do e
ketë në kufinjtë e të pamundurës të fokusohet te “halli vet” pa trajtuar edhe
problemet e tjera të partisë. Këto probleme të shumta, pavarësisht dukjes së
ndryshme, mund të adresohen në tre veprime konkrete që z. Berisha duhet të
kryejë.
Së pari, z. Berisha duhet t’ja bëj të qartë audiencës
së tij dhe gjithë shqiptarëve se synimi i tij nuk është zëvendësimi i z. Basha
me një tjetër të privilegjuar e besuar të tij, apo akoma më keq me veten e tij.
Kjo ka qenë një prej akuzave të kundështarëve të tij, brenda dhe jashtë
partisë. Koha ka kaluar, por të gjithë e mbajmë mend tezën konspirative sipas
të cilës, z. Basha u emërua në krye të PDs me synimin afatmesëm që partia ti kalohej
një familjari të z. Berisha. Në të kundërt, nëse z. Berisha nuk e bën këtë
sqarim, foltoret e tij do e humbin peshën politike, akuzave ndaj tij do ti
shtohej një argument më shumë, dhe borxhi i tij ndaj demokratëve do të zgjerohej
më tej.
Së dyti, z. Berisha duhet të bëj përpjekje
serioze që trupit politik të PDs ti bashkohen shumica dërmuese e të larguarve,
pavarësisht sa të konsumuar publikisht (në vite apo në poste) janë ata. Kjo
duhet të shoqërohet me të njëjtin diskurs sigurues të të kthyerve, sipas të
cilit asnjë prej tyre nuk kthehet për poste politike apo qeverisëse, por për të
kontribuar në një ringritje të partisë. Në asnjë rast, kjo nuk duhet të
bllokojë hyrjet e energjive të reja në parti, të cilat do të mbajnë barrën e
rëndë të opozitarizmit të sotëm dhe qeverisjes së nesërme. Kjo qasje e z.
Berisha jo vetëm do të kundështonte akuzat ndaj tij, por edhe do të siguronte
një kthim të shpejtë të PDs në pushtet.
Së fundi, që në fakt është më e
rëndësishmja, z. Berisha duhet të bëj të qartë se përpjekjet e tij për një
‘bashkim, forcim dhe hapje’ të partisë nuk kanë të bëjnë vetëm me emra
njerëzish. Sikurse ai i ka prekur, përpjekja e tij ka synim thelbësor ‘kthimin
e parimeve fillestare mbi të cilat u krijua PD’. Në të treja ‘Foltoret’ e deritanishme,
z. Berisha, është kujdesur të theksoj se PD ka pasur dy parime kryesore:
interesin Kombëtar dhe të drejtat e individit. Nëse interesin Kombëtar e ka
laboruar disi me shembujt e marrë nga ngjarjet e Kosovës, për të drejtat e
individit është limituar në ato të drejta që atij vet i janë mohuar nga
drejtimi i sotëm i Partisë.
Përveçse më e rëndësishmja, kjo është edhe
më e vështira por në të njëjtën kohë edhe shteruesja në synimin thelbësor të
demokratëve ndaj kësaj nisme të z. Berisha. Partia Demokratike e humbi
identitetin politik, pikërisht kur humbi parimin e mbrojtjes së të drejtave të
individit. Në fakt, këtë e ka pranuar edhe vet z. Berisha. I pyetur nga Eni
Vasili në 12 shkurt 2014 për gabimet që i njihte vetes në qeverisje, ai do të
shprehej “Përgjegjësia bazë fillon me ligjin e tokës. Ligji i tokës u votua në
shkelje të parimit të pronësisë”. Nga këtu nis kthimi në parime dhe ‘bashkimi,
forcimi dhe hapja’ e partisë, por gjithashtu edhe kthimi i borxhit që z.
Berisha i ka demokratëve.
Comments
Post a Comment